Dërgohesh vetëm pasi të kesh qëndruar me Jezusin

Apr 25 • Meditimi i ditës

25 prill 2016 – E hënë, Shën Marku, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1 Pjt 5,5b-14; Ps 88; Mk 16,15-20)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e ndikon mbi mua,

se si më krijon në imazhin dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

 

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

nga zhurma që i ndërpret raportet e lidhura, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso sesi të të njoh në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për shkak të dashurisë sate

që ma ke shprehur nëpërmjet njerëzve të tjerë. 

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mk 16, 15-20

 

15 Dhe u tha:

“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi i dërgon dishepujt. Ata janë të thirrur për të qëndruar me të dhe për të qenë të dërguar (Mk 3, 14). Duhet të jenë të guximshëm, pavarësisht frikës. Zoti do të jetë me ta dhe do ta vërtetojë mesazhin. Ndodhi ngjallja. I Kryqëzuari ecën në tokë në personat e nxënësve të vet.

– O Zot, më dërgo çdo ditë të dëshmoj për ty me veprat e mia. Duhet të shërbej në të sëmurët, të varfrit, të uriturit, të burgosurit dhe të pastrehët e botës.

  

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo gjë që më largon?

Ndërsa e paramendoj Jezusin sesi është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »