Papa Benedikti XVI dhe e Lumja Nënë Tereza

Apr 25 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

Papa Gjon Pali II kishte një nderim, admirim dhe bashkëpunim të veçantë me të Lumen Nënën Tereze. Ajo pati ndikuar që ky Papë vërtet i madh të ishte edhe miku dhe përkrahësi i Kishës dhe Popullit Shqiptar në  shumë kushte dhe rrethana.

Këtë drejtim dhe orientim e ka edhe papa i sotëm në dorëheqje Benedikti XVI i cili në disa raste edhe botërisht e ka lavdëruar Nënën Tereze duke e paraqitur atë si shembull jete dhe dëshmitare  bindëse të dashurisë së krishterë.

Në enciklikën e parë të tij “Deus Caritas est” (Hyji është Dashuri) Papa shkruan kështu për Nënën Tereze: “E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës është një shembull shumë i dukshëm i faktit se koha që i kushtohet Hyjit në lutje jo vetëm nuk e dëmton efektshmërinë dhe zellin e dashurisë për të afërmin, por në realitet është burimi i pashterëshëm i saj. Në letrën e saj me rastin e Kreshmeve të vitit 1996 e Lumja shkruante kështu; “Ne kemi nevojë për këtë lidhje intime me Hyjin në jetën tonë të përditshme. E si mund ta sigurojmë? Përmes lutjes!”.  (Benedikti XVI, Hyji është Dashuri, Letra enciklike mbi dashurinë e krishterë, nr. 36, fq. 98).

 Më 16 dhjetor 2007, e diela e III-të e Ardhjes Benedikti XVI ndër të tjera tha: “Gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Zoti është afër nesh, është me mua, është me ne, në gëzime dhe në pikëllime, në shëndet dhe në sëmundje, si miku ynë besnike…

 E Lumja Nëna Tereze e Kalkutës a nuk ishte ndoshta dëshmitarja  e paharrueshme e gëzimit ungjillor në kohën tonë? Ajo jetoi për çdo ditë në lidhje me mjerimin, degjenerimin e njeriut, me vdekjen. Shpirti i saj e ka njohur sprovën e natës së errët të fesë. Mëgjithatë ajo iu ka dhuruar të gjithëve buzëqeshjen e Zotit.

 Në një shkrim të saj lexojmë: “Ne e presim me paduresë parajsën, ku është Zoti, por ne kemi mundësi të jemi në parajsë qysh tani sa jemi në këtë botë, shi nga ky çast. Të jemi të lumtur në Zotin domethënë: të duam si do Ai, të ndihmojmë si ndihmon Ai, të dhurohemi si dhurohej Ai” (La gioia di darsi agli altri, Ed. Paoline, 1987, fq. 143).

Po, gëzimi depërton në zemrën e atij që  vihet në shërbim të të vegjëlve dhe të varfërve. Kush dashuron kështu, Zoti banon në të, shpirti i tij është në gëzim…”

Papa Benedikti XVI më 4 janar 2008 e vizitoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë  “Dono di Maria”  (Dhurata e Marisë), të cilën Papa Gjon Pali II para 20 viteve ia kishte dhuruar Nënës Tereze në Vatikan, para Sallës së Audiencave “Pali VI”, për t’i pranuar dhe strehuar të varfrit e Romës, ata që nuk kanë as kulm mbi kokë.

Kjo shtëpi-strehimore pranon në ditë deri në 100 vetëve, disa edhe për bujtje  apo për kërkim të punës dhe për çështje tjera, për një kënd sigurie dhe dashurie në botën anonime që shpesh i përbuzë të mjerët, sidomos botën femërore.

Edhe ky gjest dëshmon bindshëm sa Papa Benedikti XVI çmon jetën dhe veprën e Nënës Tereze dhe dëshminë e dashurisë së krishterë të Misionareve të Dashurisë, si dhe të varfrit.

Me këtë rast ai ndër të tjera  i tha fjalët e Nënës Tereze: “Është Krishtlindje sa herë i krijojmë Jezusit mundësinë t’i dojë të tjerët përmes nesh”.

Dhe vazhdoi kështu: “Vite të tëra, kur isha Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kam kaluar shumë orë të mia afër  këtij institucioni të merituar, që e ka dëshiruar paraardhësi im, Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II, i cili ia ka besuar këtë të Lumes Nënës Tereze të Kalkutës…

Kushdo që trokit në derën tuaj merr si dhuratë nga Maria pritjen me krahë të hapur nga ana e motrave dhe e vullnetarëve… Uroj që ky stil i dashurisë ungjillore ta vulosë e ta dallojë gjithnjë thirrjen tuaj në mënyrë që, përpos ndihmës materiale, t’iu komunikoni atyre që i takoni për dite, të njëjtin zjarr për Krishtin, që gjallëroi gjithnjë jetën e Nënës Tereze…”.

Papa Benedikti XVI e përfundoi këtë vizitë me këto fjalë: “Kjo shtëpi e ka një emër të bukur “Dhurata e Marisë”, dhe na fton të gjithëve, në fillim të vitit të ri, ta dhurojmë jetën tonë pa kurrfarë lodhje”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »