Pastrim pranveror i zemrës

Apr 27 • Meditimi i ditës

27 prill 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 15,1-6; Ps 121; Gjn 15,1-8)

 

Prania e Hyjit

 

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Zotit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i/e përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Gjn  15, 1-8

 

1 “Unë jam hardhia e vërtetë,

e im Atë është vreshtari.

2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt,

Ai e pret,

kurse secilin që jep fryt,

Ai e pastron,

që të japë më shumë fryt.

3 Tashmë ju jeni të pastruar

me anën e fjalës që ju thashë.

4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju.

Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt

prej vetvetes,

i shkëputur prej hardhisë,

po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua.

5 Unë jam hardhia,

ju jeni shermendet.

Kush mbetet në mua e unë në të,

ai jep shumë fryt,

sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.

6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua,

hidhet jashtë porsi shermendi i prerë

e thahet.

Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen.

7 Nëse mbeteni në mua,

dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju,

kërkoni gjithçka të doni

dhe do t’ju jepet.

8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë:

nëse jepni shumë fryt

e dëftoheni nxënës të mi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Çfarë ndodh kur lus në “Momentin e Shenjtë”? Jezusi më pastron me fjalë. Mund të mendoj p.sh. se për Zotin s` kam shumë rëndësi, ose për botën, por në qoftë se luftoj që të besoj se jam një mik/e i/e ngushtë i/e Jezusit, imazhi im i vetvetes pastrohet. Nëse jam zemër-ngurtë, urdhri i tij i dashurisë për të tjerët më pastron. Të lutesh në “Momentin e Shenjtë” është një larje e përditshme, është pastrim pranveror i zemrës.

– “Kërkoni gjithçka të doni.” Nëse banoj në Jezusin – zemra në zemrën – do të kërkoj vetëm atë që ai dëshiron. Ai dëshiron që dashuria hyjnore të rrjedh si një lumë në këtë botë; ky është një sfond për një lutje të vërtetë. “U bëftë vullneti yt edhe në tokë.”

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën e madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »