Dokumente të rralla 4-shekullore të Zamputtit për Historinë e Shqipërisë

Apr 28 • Recension

Nga Albert Ramaj

Albanisches Institut në St. Gallen ka botuar librin e Injac Zamputtit “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)“. Injac Zamputti është shumë i respektuar në qarqet shkencore, sidomos historike, por edhe etnografike, kulturore, letrare e jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe më gjerë. Këtë respekt Zamputti e gëzon për shkak të punës dhe veprimtarisë së tij të zellshme dhe serioze, e cila e përcolli tërë jetën e tij. Në kohën e regjimit komunist, ai punoi në kushte shumë të vështira, por serioziteti dhe përkushtimi ndaj shkencës, bëri që historiografia shqiptare të përparojë shumë përmes botimeve të tija, bile lirisht mund të thuhet se Zamputti ishte shtylla kryesore në Shqipëri që historiografia e mesjetës shqiptare, në kohën e diktaturës komuniste, të mos jetë vetëm ideologjike.

Opusi i Zamputtit është i gjerë, kur shohim listën e publikimeve të tij. Duhet pasur parasysh se përgatitja e tij serioze akademike bëri që ai të “zhytet“ në botën e shkencës, duke filluar në vendlindjen e tij në Shkodër, për ta mbyllur në Itali. Në Shkodër, saktësisht në kolegjin Saverian, ku ishte formuar Zamputti në kohën e rinisë së tij, kishte mësimdhënës shumë të mirë; këtu po cek vetëm dy: Dom Ndre Mjedja dhe Giuseppe (Zef) Valentini.

Qysh në kohën 21 vjeçare Zamputti ligjëron letërsinë shqipe në Kolegjin Saverian në krah të Dom Ndre Mjedjes, kurse mësimet që mori nga Giuseppe Valentini ishin mbresëlënëse për tërë jetën e Zamputtit. Valentini ishte mësuesi i tij për leximin e dokumentacionit për historinë shqiptare. Me Valentinin nuk mundi të takohej më pas përfundimit të luftës së dytë botërore, sepse Valentini gjendej tashmë në Itali, kurse Zamputti në Shqipëri, por njëri (Valentini) në anën tjetër të Adriatikut vepronte më përkushtim për historinë shqiptare, e tjetri (Zamputti) në anën tjetër dhe me të njëjtën frymë europiane – edhe pse nuk e lejonin të shkonte nëpër arkiva të Europës.

Injac Zamputti mbeti në Shqipëri dhe iu përkushtua tërësisht shkencës, konkretisht historisë shqiptare të mesjetës dhe me botimet e veta arriti që ato vepra të mbesin edhe sot kryevepra historiografike dhe burime kryesore historike të asaj periudhe.

Librin e Zamputtit “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)“, që kishte lënë në dorëshkrim dhe që është vazhdim i serisë së vëllimeve me dokumente të botuara prej tij, po e botojmë me kënaqësi dhe lirisht mund të themi edhe me krenari. Ky libër është shumë i rëndësishëm për historinë shqiptare, pikërisht për vitet e lartshënuara 1623-1653, sepse Zamputti lexon, transkripton dhe përkthen dokumente të rëndësishme, që janë ende të panjohura për studiuesit shqiptarë dhe që i pajisë me shënime e lista vendesh e njerëzish. Për veprën dhe rëndësinë e saj nuk do të flasim këtu, pasi ketë gjë mund ta vlerësojë vetë lexuesi.

Për botimin e kësaj vepre, falënderojmë të birin e autorit, Jozef Zamputtin, i cili na ofroi këtë botim dhe i cili me zell të madh përgatiti për shtyp këtë vepër që babai i tij kishte lënë në dorëshkrim dhe nuk kishte arritur që ta botonte deri sa ishte gjallë. Po ashtu falënderoj shtëpinë botuese Faik Konica, që, me shumë dëshirë, pranoi të jetë bashkëbotuese e këtij libri. Kjo vepër ishte paraparë që të botohet qysh më parë, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Injacit, por nuk mund të realizohej. Pas bisedimeve edhe me Jozefin, e pamë të arsyeshme që, në fund të kësaj vepre, të botojmë jetëshkrimin e Injac Zamputtit (përgatitur nga vetë Jozefi). Po ashtu është shumë e rëndësishme për studiuesit botimi i bibliografisë së Injac Zamputtit, që kishte përgatitur vetë ai ditët e fundit të jetës së tij dhe që e gjeni në fund të librit. Ky vëllim “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)” ndjek ata të mëparshmit e kësaj serie, dmth: dy pjesët e periudhës 1479-1506 (pjesa e parë 1479-1499, Tiranë 1967; pjesa e dytë 1499-1506, Tiranë 1979) dhe tre vëllimet që ndjekin: 1507-1592, 1593-1602, 1603-1621.

Libri mund të gjendet në libraritë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »