Zoti vërtet do që të gëzohemi

Apr 28 • Meditimi i ditës

28 prill 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 15,7-21; Ps 95; Gjn 15,9-11)

 

Prania e Hyjit

 

Disa minuta do të ndalem e të mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

 

Shumë vende në këtë moment janë duke e kaluar agoninë e luftës.

E përkuli kryet në shenjë falënderimi për lirinë time personale

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;

Ke ecur dhe vepruar nëpër këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.

Koha të cilën e ke kaluar në tokë ka qenë për ty e mbushur duke u kujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; kurse ajo më e rëndësishmja – mua më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 15, 9-11

 

9 Sikurse Ati më ka dashur mua,

ashtu edhe unë ju kam dashur ju.

Qëndroni në dashurinë time!

10 Nëse i mbani urdhërimet e mia,

do të qëndroni në dashurinë time,

sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim

dhe qëndroj në të.

11 Jua thashë këto,

që gëzimi im të jetë në ju

e gëzimi juaj të jetë i plotë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Sikur të kishim mundur të kuptonim dashurinë e pakufishme të Hyjit ndaj nesh, jeta do të ishte një udhëtim radikal gëzimi. Gëzimi mund të jetë i pranishëm edhe në momente të vështira. Gëzimi i Jezusit është i thellë, madje edhe në mundimin e tij. Ky është një gëzim për shkak të vetëdijes se Ati e do. Gëzimi im duhet të burojë nga një vetëdije e thellë se Zoti më do pafundësisht.

– O Zot, unë nuk e di pse po kujdesesh që gëzimi im të jetë i plotë. E pra, ti megjithatë kujdesesh, kështu që më lejo që tani ta meditoj këtë dhe të lavdëroj e të falënderoj

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »