Dashuria ndriçon

Apr 29 • Meditimi i ditës

29 prill 2016 – E premte, Shën Katerina nga Siena, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1Gjn 1,5-2,2; Ps 44; Mt 25,1-13)

 

Prania e Hyjit

 

Vetëdijesohem se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

 

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 25,1-13


1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ky është një paralajmërim dramatik se duhet të jesh gati për Zotin kurdo ardhtë ai tek ne. Duhet të sigurohemi që “llambat tona” – jetët tona – të japin dritë për Fjalën e Zotit dhe për të gjitha ato gjëra që Zoti kërkon prej nesh.

– Përpara diskutohej shumë për “katër gjërat e fundit” – vdekjen, gjyqin, parajsën dhe ferrin – dhe njerëzit nxiteshin të mendojnë për këtë. Në dritën e këtij tregimi ndoshta kjo nuk është një ide e keqe. A do të isha i/e gatshëm/e në këtë moment të takoja “ballë për ballë” Zotin i cili është dashuria vetë?

– O Zot, bëj që të rritem në dashuri!

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E imagjinoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »