Përvoja e vajtje-ardhjes

Apr 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela VI e Pashkëve (C)

 

Leximi i parë   Vap 15, 1-2.22-29

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen. Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërvet të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje! Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejën tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë  të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi   67

Ref: Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin

——————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

——————————————————

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

——————————————————

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

 

Leximi i dytë   Zb 21, 10-14.22-23

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.  Fjala e Zotit

 

Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek

ai do të banojmë.

Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 14, 23-29

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë.”           

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Dy ngjarje që ne njerëzit i përjetojmë mjaft emocionalisht janë shkuarja dhe ardhja. Vajtja-ardhja. Tekstet e Shkrimit Shenjt para festës së të ngjiturit e Zotit në qiell flasin nga njëra anë për shkuarjen e Jezusit, nga ana tjetër për ardhjen e tij të sërishme. Sa herë e kemi përjetuar të pikëlluar kur dikush i ynë i afërm i është dashur të shkojë, të udhëtojë, e çfarë gëzimi kur vjen sërish dhe rri me ne një kohë. Sikur Jezusi dëshiron të na përkujtojë këtë realitet të jetës kur thotë: “Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati.” Tekstet liturgjike para Ngjitjes së Zotit në qiell dhe para Rrëshajëve e trajtojnë pikërisht këtë përvojë të vajtje-ardhjes. Prandaj është mirë t`i kushtojmë vëmendje këtyre pasazheve ungjillore. T`i meditojmë për të parë se çfarë kuptimi kanë ato për jetën tonë.

Të shkosh për t`u kthyer përsëri. A shkojnë te dyja bashkë? Jezusit i duhet “të ngjitet në qiell” nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes në mënyrë që të jetë i pranishëm në një mënyrë krejt të re. Po, me besim mund ta hamendësojmë që në fakt shkuarja e Jezusit nuk është largim, por vajtje për t`u kthyer në mënyrë të re. Shkuarja është njëkohësisht ardhje. Por për ta përjetuar këtë është e mundur vetëm atëherë kur lejon që të shkosh, kur lejon të lëshosh diçka me dhimbje, kur je në gjendje ta durosh vetminë dhe zbrazëtirën.

Çka do të thoshte kjo për ne, si individ dhe shoqëri? Kjo do të thotë që edhe në jetën shpirtërore ekziston diçka si shkuarje e Zotit, një humbje e pranisë së Jezu Krishtit, përvoja e lamtumirës në kuptimin religjioz, përvoja e një zbrazëtie dhe vetmie fetare. Kjo është ajo përvoja kur ankohemi: “Nuk po mundem më të besoj në Zot. Nuk po mundem më të lus.” E gjithë kjo nuk është mëkat, siç ndoshta jemi mësuar të dëgjojmë ndonjëherë, këto janë përvoja të thella njerëzore. Madje shenjtërit kanë vuajtur nga kjo “humbje” e Zotit, si p.sh. Shën Tereza e Vogël apo siç pat thënë njëherë Nënë Tereza se kishte vuajtur tmerrësisht shumë për shkak se nuk kishte mundur të luste më. Edhe Jezusi në kryq pat bërtitur: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”

Braktisja e Zotit – përvoja e mospranisë së Zotit – të mos mundesh të lutesh më – zbrazëtia na merr frymën edhe në kuptimin religjioz, sepse kemi mësuar se nuk guxon të ndodh sepse janë shenja të mosbesimit. Mirëpo nuk është kështu. Në jetën shpirtërore ka prej kohe në kohë braktisje të Zotit, por edhe kthim të Zotit. Kjo zbrazëti në realitet nuk është zbrazëti, ajo në fakt është prani e Zotit. Teologu Karl Rahner i pat thënë këto fjalë të thella: “Në botë dhe në zemra nuk ka vende mirëfilli të zbrazëta, nuk ka vakum. Dhe atje ku krijohet hapësirë nëpërmjet ndarjes, nëpërmjet vdekjes, nëpërmjet braktisjes, nëpërmjet zbrazëtisë në dukje, aty ku kjo zbrazëti nuk mbushet me botën dhe prodhime dhe thashetheme apo me pikëllimin vrasës të botës, aty është Zoti.” Në jetë pra, është e qartë, na duhet ta përjetojmë këtë “largim” të Zotit, domethënë, t`i lëshojmë idetë, paramendimet tona mbi Zotin e ideve të njerëzve, sepse vetëm kështu Zoti mund të arrijë përsëri, në mënyrë të re, në zemrat e njerëzve. Zoti duhet të dalë nga të paramenduarit antropomorf – prej fëmije, në mënyrë që të mund të arrijë në mënyrë të re prej një të moshuari. Dhe për të ndodhur kjo njeriut i duhet qenë në gjendje ta durojë zbrazëtinë në dukje të dhimbshme të Zotit, por që në fakt ai tashmë është i pranishëm, ka ardhur; qoftë edhe kur unë i mbush këto zbrazëtia me lloj-lloj mbeturinash dhe e turbulloj vetveten dhe shmang udhën. Ekziston një vend në mua që nuk mund të mbushet nga kjo botë. Është malli, dëshira e flaktë që më shtynë drejt të përtejmes, sepse është e drejtuar kah Zoti. Dhe këtë mosplotësim të dëshirës së flakët më duhet ta duroj. Këtë zbrazëtirë më duhet ta duroj. Por kjo zbrazëtirë është vetëm në dukje, në realitet Zoti tashmë është aty.

Nëse e kemi këtë para sysh, atëherë duhet t`ia bëjmë vetes një pyetje kritike: si flasim ne para të tjerëve kur e përjetojmë braktisjen e Zotit? Shohim sesi njerëzit provojnë ta kompensojnë këtë humbje dhe si vrapojnë si pula pa krye për të përmbushur dëshirat e tyre të flakta. E pra s` arrijnë t`i plotësojnë ato. A thua është e domosdoshme që shoqëria jonë vërtetë ta humbë Zotin në mënyrë që ai të mund të vijë përsëri?

“Po shkoj dhe do të kthehem tek ju”. Si duket, Zotit i duhet njëherë të shkojë. Zoti, në të cilën njeriu më parë besonte, i duhet njëherë të shkojë. Zoti që është vetëm për të mirët, vetëm për ata që shkojnë në kishë, vetëm për ata që lusin, që bën mot të mirë sipas qejfit, që është si magjistar, ky Zoti duhet të shkojë. Sa jemi në gjendje ta durojmë këtë braktisje të këtij imazhi të Zotit? A besojmë që lëshimi i ideve të vjetra të Zotit që krijon në dukje zbrazëtirë është parakusht që Zoti gradualisht të vijë përsëri në jetën tonë? Në mënyrë krejt të re? A është kisha jonë, famullia/misioni ynë vend shpirtëror ku mund të përjetohet prania e Zotit për të gjithë. Sa arrijmë të presim, të qetësohemi, ta durojmë zbrazëtinë në jetën tonë? Nëse po, atëherë do të kontribuojmë që të dalë në dritë e vërteta e pranisë së Zotit edhe atëherë kur ndihemi të zbrazët. Atëherë vjen Zoti në mënyrë të re. Atëherë fillon të rritet diçka, krejt e re, ndoshta në fillim irrituese, por që i lejon Shpirtit të Zotit të veprojë në jetët tona. Vetëm Ai do ta ripërtërijë fytyrën e tokës!

 

Lutja e besimtarëve

Vëllezër e motra, Fjala e Zotit na kujton dashurinë e pafund të Hyjit për ne dhe angazhimin që kemi për të dashur njëri-tjetrin. T’i besojmë Jezusit që ndërhyn për ne e t’i drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona.

Të themi së bashku: Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë

– Jezus, ti je tek Ati në dashurinë e amshuar, megjithatë je dhe mes nesh. Ne po të lusim: Qëndro pranë të gjithë atyre që kanë përgjegjësi në shoqëri, që të vendosin paqe dhe të kujdesen për drejtësi, të lutemi.

– Bekoje Papën tonë Françeskun, që të jetë në gjendje të vazhdojë të marrë hapat e ripërtëritjes së Kishës dhe të gjejë mbështetje te sa më shumë të krishterë, të lutemi.

– Ndihmoji të gjithë dyshuesit, të gjithë kërkuesit dhe të gjithë ata që nuk mund të besojnë, që të zbulojnë ty dhe ta ndërtojnë jetën e tyre në mënyrë kuptimplote, të lutemi.

– Qëndro pranë atyre që kanë përjetuar ngjarje të rënda, që të fitojnë forcë dhe të marrin zemër për të vazhduar jetë, të lutemi.

– Forcoji në të gjitha bashkësitë shpirtin e dashurisë dhe pranimin e ndërsjellë dhe bëj që kur kanë mendime të ndryshme së bashku dhe me lutje të kërkojnë zgjidhje, të lutemi.

– Zgjo në të gjithë adoleshentët dhe fëmijët një gëzim të vërtetë të besimit, të lutemi.

– Bëj që Kisha kurrë mos të harrojë që ti je në qendër të gjithë jetës dhe që vetëm ty të përket lavdërimi dhe falënderimi, të lutemi.

O Atë, burimi i dashurisë, dëgjoi lutjet tona: përforco në ne dhuratën e ngushëllimit, që të zbatojmë urdhërimet e tua, të gatshëm t’i japin të drejtë shpresës që është në ne.  Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: At Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »