Të rritesh në besim, edhe në momente konfuzioni

May 1 • Meditimi i ditës

1 maj 2016 – E diela 6-të e Pashkëve C, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 15,1-2.22-29; Ps 66; Zb 21,10-14.22-23; Gjn 14,23-29)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty, 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndjej veten tani?

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin pa u ngutur, disa herë, pastaj do të përgjoj ç`po ndodh në zemrën time…

 

Gjn 14, 23-29

 

23 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse ndokush më do,

ai do të ma mbajë fjalën,

Ati im do ta dojë,

tek ai do të vijmë

dhe tek ai do të banojmë.

24 Kush nuk më do,

nuk i mban fjalët e mia.

E fjala që po dëgjoni, nuk është imja,

por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.

25 Këto fjalë jua thashë

ndërsa banova me ju.

26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës,

të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim,

Ai do t’jua mësojë të gjitha

dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.

27 Po ju lë paqen,

po ju jap paqen time!

Nuk po jua jap siç e jep bota.

Mos t’ju shqetësohet zemra

as të mos ju trembet.

28 Ju dëgjuat se ju thashë:

‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’.

Po të më donit, do të galdonit

se po shkoj tek Ati,

sepse Ati është më i madh se unë.

29 Ju thashë tani

‑ para se të ndodhë,

që të besoni kur të ndodhë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi gradualisht i përgatit nxënësit për ditën kur ai më s`do të jetë me ta në formën e dukshme fizike. Ata s`e dinin (siç e dimë ne) çfarë po përgatitej të ndodhte, prandaj ishin të hutuar. O Hyj, më ndihmo të rritem në besim,madje edhe në momente konfuzioni.

– Jezusi u bën thirrje ndjekësve të vet jo që të mbështeten në praninë e tij fizike, por të jenë të hapur ndaj një forme më ndryshe dhe më të thellë të lidhjes me të. Shpesh e kemi të vështirë ta lëmë të vjetrën dhe ta përqafojmë të renë. Por, duke u kapur pas të kaluarës jemi në rrezik që të lejojmë që lutja jonë e tanishme të jetë e vdekur.

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja po zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj në bazë të Fjalës së Zotit?

E imagjinoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe lutjeje në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »