LIGJËRATË TE KATEDRALJA: Prof. Ledi Shamku do të mbajë ligjëratë për continuumi-n e identitetit arbënor dhe rolin e klerit katolik në ruajtjen e tij

May 2 • Kisha në Kosovë

Fondacioni “DRITA”, në kuadër të aktivitet të tij edukativo dhe formues – Tribuna “I krishteri dhe shoqëria” – për të tretin vit me radhë organizon konferenca me personalitete të rëndësishme të kulturës nga trojet shqipare dhe Europa.

Takimi i radhës nga këto tribuna do të jetë më 5 maj 2016, ora 19:00, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales “Nënë Teresa” në Prishtinë, në të cilën është ftuar të ligjërojë Prof. Ledi Shamku, profesoreshë e sociolinguistikës në Universitetin e Bolonjës dhe Deputete në Parlamentin Shqiptar.

Prof. Ledi është njohëse e shkëlqyer e gjuhësisë, studiuese e personaliteteve të mëdha gjuhësore të traditës shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Ajo do të vijë për të mbajtur ligjëratën për identitetin arbënor, atë shpirt identitar që Kleri Katolik ka ruajt përmes gjuhës e të folmes shqipe.

Prof. Ledi, do të ketë si pikënisje Frang Bardhin, por pastaj do të shpalosh plejadën e madhe të burrave humanist që e kanë kultivu dhe i ka dhanë shpirt humanizmit shqiptar ndër shekuj deri në ditët tona. 

Duke e pasur parasysh se personalitete të këtilla nuk i kemi shpesh në praninë tonë, shpresoj se nuk do të lëmë të na iket ky rast dhe me kënaqësi do të bashkëdiskutomjë për shpirtin identitar arbënor, i cili fatkeqësisht në kohë të fundit është prekur prej shumë ideologjive që e popullojnë shoqërinë dhe shkencën tonë.

Kush është Ledi Shamku?

Ledi Shamku-Shkreli lindi në Tiranë, më vitin1971 dhe studimet i ka kryer në falultetin Histori-Filologji, në degën Gjuhë-Letërsi. Në vitin 1991 u largua nga Shqipëria, u vendos në Bologna të Italisë, ku qëndroi deri më vitin 1999.

Zonja Shkreli ka një karrierë të pasur në jetën akademike dhe shkencore ku ndër të tjera spikasin themelimi në vitin 2000  i lëndës se Sociolinguistikës pranë Fakultetit të Filozofisë, Psikologjisë dhe Shkencave Sociale (degë deri më atë kohë e munguar). Po në atë vit, ndërmori studimet e thelluara të nivelit master pranë Università di Bologna. Në vitin 2001 u punësua si kërkuese shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë.

Në vitin 2005 themeloi Rrethin Gjuhësor të Tiranës, me president nderi gjuhëtarin e mirënjohur, prof. Tullio De Mauro. Po ashtu në vitin 2005, themeloi gjerdanin albanologjik “Excipere” pranë botimeve “Çabej”, gjerdan të cilin e drejton edhe sot e që numëron deri më tani 22 botime albanologjike me vlerë. Në vitin 2006 themeloi për herë të parë lëndën “Kulturë Gjuhësore” pranë Universitetit Europian të Tiranës, ku edhe dha mësim në peridhën 2006-2008. Në vitin 2007 dhe 2009 ka dhënë  leksione të posaçme pranë Scuola Dottorale, Università di Napoli, Istituto di Studi Orientali. Në shkurt të vitit 2012 mori titullin “Doktor Shkencash në Sociolinguistikë dhe Filologji”. Znj.Shamku është autore e dhjetra botimeve dhe artikujve shkencorë në fushën e gjuhësisë si dhe programeve në fushën e arsimit të Partisë Socialiste. Përsa i përket veprimtarisë politike, në vitin 2007 u zgjodh Anëtare e Asamblesë Kombëtare e më pas anëtare e Kryesisë PS. Po atë vit, Asambleja Kombëtare e PS e caktoi Kryetare të Komisionit Kombëtar të Edukimit në Partinë Socialiste. Me këtë detyrë, në harkun kohor 2007-2009 ndërmori Dialogun me Shqipërinë në fushën e Arsimit, që konsistoi në 97 tryeza programore për arsimin në mbarë vendin. Nga viti 2009 e deri më sot është Deputete e Partisë Socialiste për Tiranën, dhe anëtare e komisionit parlamentar të Arsimit, Kulturës dhe Mediave.

(Rev. Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »