Motivuar (jo) nga dashuria

May 2 • Meditimi i ditës

2 maj 2016 – E hënë, Shën Atanazi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 16,11-15; Ps 149; Gjn 15,26-16,4a)

 

Prania e Hyjit

 

Ajo që është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.

E marr me mend praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,

në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.

Ndalem dhe lus që Zoti

të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

 

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndjej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;

Ke ecur dhe vepruar nëpër këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.

Koha të cilën e ke kaluar në tokë ka qenë për ty e mbushur me përkujdesje ndaj njerëzve.

Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 15, 26-16,4

 

26 E kur të vijë Mbrojtësi,

të cilin do t’jua dërgoj prej Atit

‑ Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit ‑ Ai do të dëshmojë për mua.

27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua,

sepse jeni me mua që në fillim.

16

1 Jua thashë këto

që të mos moliset feja juaj.

2 Do t’ju përjashtojnë prej sinagogave.

Edhe më! Po vjen koha,

kur secili, që t’ju vrasë,

të mendojë se i bën shërbesë Hyjit.

3 E do të veprojnë kështu,

pse nuk e njohën as Atin as mua.

4 Jua tregova këto gjëra

që, kur të vijë koha,

t’ju bjerë ndër mend se jua pata thënë.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjëra të tmerrshme janë bërë në emër të Zotit. E pra, mënyra se si vepron Hyji është dashuria, dhe Jezusi na siguron që ata të cilët bëjnë ashtu – që bëjnë krime duke menduar se i bëjnë shërbesë Hyjit –janë mashtruar keq. Ta lusim Zotin që të mund ta “njohim” atë në mënyrë më të veçantë për të mos i bërë të njëjtat gabime. Të lutemi për të tjerët që veprojnë pa qenë të motivuar nga dashuria, ndërsa mendojnë se janë duke i pëlqyer Zotit.

– Sa jam i/e gatshëm/e për të dëshmuar rëndësinë e pranisë së Hyjit në jetën time, me fjalët, veprimet dhe vendimet e mia të përditshme?

  

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe lutjeje në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »