Aftësia t`i dallosh nevojat e tua

May 3 • Meditimi i ditës

3 maj 2013 – E martë, Shën Filipi e Jakobi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1 Kor 15,1-8a, Ps 18; Gjn 14,6-14)

 

Prania e Hyjit

 

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Do të pushoj një moment, të marrë frymë lirshëm në praninë gjallëruese të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në gjithë jetën time.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shumti më bllokon prirja ime

që të lejoj të robërohem me ndjenja frike dhe pritshmëri se çfarë do të nevojitej apo do të duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe pjekurisë sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon nga unë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do

i vështroj të gjitha çfarë më ka ndodhur ditën e kaluar,

nga ky momenti e mbrapa, hap pas hapi.

E sjell në mend gjithë atë çfarë ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet, anët e dobëta dhe e pyes veten çfarë më flasin; lus për shërim, përforcim, falje.

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt le të ma ndriçojë mendjen dhe zemrën që të përgjigjem në porosinë e ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 14, 6-14

 

6 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.

7 Nëse më njohët mua,

do ta njihni edhe Atin tim.

Që tani e njihni

dhe e keni parë.”

8 Filipi i tha:

“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”

9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?

Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.

Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’

10 Po a nuk beson

se unë jam në Atin e Ati është në mua?

Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes:

Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.

11 Më besoni mua:

Unë jam në Atin dhe Ati është në mua.

Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!

12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush beson në mua,

veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë.

Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,

sepse unë po shkoj tek Ati.

13 Dhe çdo gjë që të kërkoni në Emër tim

do ta bëj

që të lavdërohet Ati në Birin.

14 Nëse do të më kërkoni ndonjë gjë në

Emër tim, do ta bëj.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– A vërej te vetja diçka nga karakteri i Filipit: edhe pse po jetonte me Jezusin dhe e dëgjonte, kërkonte diçka edhe më shumë.

Ndërsa lus sot do të marr pak kohë dhe do të përgjoj se ku më ka folur tashmë Zoti në jetë. Para se të kërkoj diçka tjetër do t`i kujtoj dhuratat që Zoti tashmë m`i ka dhënë.

– E admiroj sinqeritetin e Filipit. Ka qenë i aftë hapur dhe miqësisht t`ia shprehë Jezusit nevojat e veta.

Do të ndërgjegjësohem se nuk ka asgjë në zemrën apo mendjen time që s`do të mund t`ia shprehja Jezusit, madje edhe nëse do ta kisha të vështirë t`i gjeja fjalët. Do t`i lejoj Zotit që t`i “lexojë” këto dëshira të thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

 

Faleminderit, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »