Shën Jozefi – modeli i punëtorit të përvuajtur

May 3 • Kisha në Kosovë

Festa e Shën Jozefit, punëtor në Famullinë e Pjetërshanit (1 maj 2016)

Me 1 maj Kisha katolike feston Shën Jozefin punëtor, që tek ne në Kosovë kremtohet në dy Famulli: në Pjetërshan dhe në Stubëll.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, sivjet ishte i pranishëm në Famullinë e Pjetërshanit, komuna e Gjakovës, për të kremtuar meshën për Pajtorin e kësaj Famullie, i cili është i nderuar shumë edhe prej vendeve tjera përreth Gjakovës dhe më gjerë. Si zakonisht festa e Shën Jozefit punëtor ka shumë besimtarë të devotshëm,  që e mbushin oborrin e madhe, të gjelbër e piktoresk të Kishës së Pjetërshanit, sepse në kishë brenda është e pamundur t’i nxe të gjithë.

Në bashkëmeshim me meshtarët e dekanatit të Gjakovës, Imzot Dodë Gjergji e kremtoj meshën solemne dhe bëri pretkun, i cili u përqendrua tek Shën Jozefit punëtor, model për çdo punëtor të krishterë. Ja disa pika nga pretku i ipeshkvit të përmbledhura nga ne.

Ne të krishterët besojmë në Zotin që punon, në Zotin punëtor, sepse ai, siç na dëftohet në Shkrimin e shenjtë, me punën e vet e ka krijuar universin, njeriun.  E jo vetëm kaq, por ai ka dashur që edhe ne të jemi pjesëmarrës në punën e tij, të jemi bashkëpunëtor të tij për të punuar në këtë botë, për ta bërë më të bukur. Për fat të keq ka pasur ideologji të ndryshme gjatë historisë që punën dhe kapitalin e kanë ngritur në idhull, duke e menduar si shpëtimtaren e njerëzimit. Edhe sot ka të atillë që e mendojnë se duhet të pasurohen pa punu, edhe kjo mund të jetë një idhull modern, që devijon prej kuptimit të punës. Edhe njëra edhe tjera nuk e kanë në qendër njeriun dhe dinjitetin e njeriut punëtor.

Kisha ka dashur që në ditën ndërkombëtar të punës t’ia paraqes botës modelin e Shën Jozefit, punëtor,  punëtorin e përvuajtur të Nazaretit, i cili me thjeshtësinë e tij ka ushqyer familjen e shenjtë. Ne jemi të thirrur që duke e ndjekur shembullin e Tij, të kapim këtë dimension të punës: përvujtërisht të bëhemi (bashkë)punëtor të Krijuesit tonë, që puna të jetë në shërbim të njeriut e jo njeriu në shërbim të punës.

Në fund të pretkut ipeshkvi uroj që ndërmjetësia e Shën Jozefit të nxjerr bekime për familjet e të gjithëve, dhe ju premtoj se do të jenë të gjithë në lutjet e tija.

Mesha u transmetua drejtpërdrejt edhe nga Radio Maria Kosovë, e cila mundëson që kremtimet tona të shenjta të mund të përcillen edhe prej atyre që për arsye të ndryshme nuk mund të përcjellin, në mënyrë të veçantë të sëmurët dhe pleqtë.

Teskti dhe fotografitë: Besim Ndau

Shpërndaje

Comments are closed.

« »