Urtësi për të folur e për të heshtur

May 4 • Meditimi i ditës

4 maj 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 17,15.22-18,1; Ps 148; Gjn 16,12-15)

 

Prania e Hyjit

 

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

 

Zot, bëj që kurrë mos ta marrë dhuratën e lirisë
si diçka të mirëqenë.

Ti ma ke dhënë bekimin e madh të lirisë së shpirtit.

Mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe 
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 16, 12-15

 

12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë

por tani s’mund t’i kuptoni.

13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑

Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.

Ai s’do të flasë prej vetvetes,

por do të flasë çka të dëgjojë

dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.

14 Ai do të më lëvdojë,

sepse do të marrë prej simes

e do t’ju zbulojë juve.

15 Gjithçka ka Ati, është imja.

Prandaj edhe ju thashë:

‘Merr prej simes

dhe do t’ju zbulojë juve’.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

–  Jezusi është i ndjeshëm ndaj aftësisë së kufizuar të ndjekësve të vet për të kuptuar. Duke u thënë se ka edhe shumë të tjera për t`ua thënë përpiqet t`i përgatis ata butë. Do të lus për urtësi që të di se kur është mirë të flas, e kur është më mirë të pres dhe të hesht.

– Jezusi e di se jemi të shqetësuar kur duhet ta lëmë pas të kaluarën dhe të besojmë se çfarë do të sjellë e ardhmja. A mund të flas me të në lidhje me shqetësimet e mia?

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »