Uljet e ngritjet në pjekurinë e besimit

May 6 • Meditimi i ditës

6 maj 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 18,9-18; Ps 46; Gjn 16,20-23a)

 

Prania e Hyjit

 

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.

Do të ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

 

Ka pak njerëz që e kuptojnë

çfarë do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tija

dhe po t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij (Shën Injaci)

Lus për hirin e dorëzimit të tërësishëm në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në rrjetën e gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte – në lidhje me natyrën, me njerëzit, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që qarkullon nëpërmjet tyre.

Disa nga këto marrëdhënie janë të deformuara, disa të rrënuara, disa të ndërprera:

Ndoshta për këtë arsye ndihem i/e trishtuar, i/e pikëlluar, i/e nervozuar, i/e zhgënjyer.

Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ta dëgjoj në mënyrë që ta marrë vesh çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 16, 20-23

 

20 Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

ju do të qani e do të vajtoni

e bota do të gëzojë.

Ju do të trishtoheni,

por trishtimi juaj do të kthehet në gëzim.

21 Gruaja, kur i lind fëmija, është në trishtim,

sepse i erdhi ora e saj,

porse, pasi i lind fëmija,

nuk i bie më ndërmend vuajtja

prej gëzimit që lindi një njeri në botë.

22 Kështu edhe ju: tani jeni të trishtuar,

por unë prapë do të vij t’ju shoh

e zemra juaj do të galdojë

dhe askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj.

23 Atë ditë nuk do të më pyetni më për asgjë.

Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim,

do t’jua japë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Maria, Nëna e Hyjit, përjetoi lartësitë dhe thellësitë e përvojës njerëzore. Në “po”-në e saj që ia shqiptoi engjëllit ajo u hap në besim ndaj çdo gjëje që do të vinte. Përjetoi gëzime e hidhërime, si çdonjëri, hap pas hapi, në udhëtimin e errët të besimit.

– Në këtë muaj të Marisë mund të gjej ngushëllim dhe urtësi duke reflektuar mbi ngjashmëritë që ekzistojnë në mes përvojës së Marisë dhe atë time.

 

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo nuk më pëlqen?

Ndërsa e imagjinoj Jezusin sesi rri ulur apo qëndron pranë meje,

me mbështetje, me besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »