Dhimbja e largimit – fillim i ri – mundësi për rritje

May 7 • LEXIMET E SË DIELËS

Të ngriturit e Jezusit në Qiell (C)

 

Leximi i parë: Vap 1, 1-11

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigji: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!

Fjala e Zotit.

 

Psalmi  47

Ref: Ngjitet Zoti me këngë të hareshme

—————————————

Duartrokitni, o popuj të gjithë,

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,

Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

———————————————

Ngjitet Hyji me brohori,

Zoti me zë trumbete.

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

————————————————–

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:

këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 

Leximi i dytë: Heb 9, 24-28; 10, 19-23

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; – përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetës. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.  Pra, o vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë, me shpirt të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti. 

Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.

Aleluja

 

Ungjilli:   Lk 24, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. Dhe, ja unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të vesheni me Fuqinë prej së larti.”  Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ç`do të thotë “Ngjitja e Zotit në qiell”? Ku paska shkuar Zoti? Ç`do të thotë: “Ai ka për të ardhur përsëri”? Prej atyre që shkojnë rregullisht në kishë dhe janë të rrënjosur në traditën e fesë mund të presim që ta dinë se për se bëhet fjalë. Te çdo meshë të dielave, por edhe në shumë raste të kremtesh shpallim duke thënë: “Besoj në Jezu Krishtin… Ai u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit…” Shumica e dinë që para Rrëshajëve (Zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostuj) kremtohet Ngjitja e Zotit në qiell. Por çfarë do të thotë kjo? Thënë shkurt: Ngjitja e Jezusit në qiell do të thotë se Jezusi nuk është më në këtë botë ashtu si përpara, por ai jeton dhe është i pranishëm në jetën tonë. Ai nuk është larguar nga bota. Ai vetë ka thënë: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në mbarim të botës.”

Jeta jonë është e përbërë nga përvoja e takimeve, përshëndetjeve, por edhe lamtumirave, ndarjeve. Kush nuk e ka përjetuar atë ndjenjën kur na është dashur t`i themi “mirupafshim” apo “lamtumirë” dikujt që e duam. Nga stacioni i autobusit apo ndonjë vendi tjetër të ndarjes, kur jemi kthyer në shtëpi, na ka kapluar një boshllëk i trishtuar, sepse ajo që e kishim pasur të përbashkët, sikur fillon të tretet… Dëshirojmë t`i mbajmë situatat e mëparshme të cilat i kishim të njohura. Nuk na pëlqejnë të panjohurat, gjendjet e reja që na duhet t`i mësojmë nga e para…

Me ndjenja të ngjashme iu desh të ballafaqoheshin edhe apostujt. Ngjitja e Jezusit në qiell është një ditë lamtumire. Nxënësit në fillim ndjen vetëm humbjen. E patën të vështirë ta përpijnë të Premten e madhe, pësimet dhe vdekjen e Jezusit. Nën barrën e zhgënjimit të madh Pjetri dhe dishepujt e tjerë iu kthyer profesionit të tyre të mëhershëm, peshkimit. Sa herë dishepujt e Emausit flasin me një ndjenjë rezignacioni për fundin mizor të Jezusit. Si është e mundur që përfundoi aq keq?!? – thoshin me vete – kurse ne shpresonim… U deshën disa takime me Krishtin e Ngjallur, për të kuptuar se Jezusi është ende i pranishëm, por jo siç kishte qenë para Ngjalljes.

Ngjitja e Jezusit në qiell na bën të qartë se Zoti i transformuar i shmanget shqisës së të prekurit dhe pikëshikimit tonë. Në paramendimet tona hapësinore ai lë një boshllëk, por kuptimi tij për nxënësit nuk zvogëlohet, por bëhet më i madh. Tek ta fillon të rritet një kuptim i ri, një hapje sysh nga Shpirti i Shenjtë.

Ngjitja e Zotërisë në qiell nuk është vetëm një ditë lamtumire, por një ditë pjekurie, një hap drejt pjekurisë, një pavarësie më të madhe. Jezusi inkurajon Apostujt, kur u thotë: “Shkoni te të gjithë njerëzit dhe bëni dishepuj të mi të gjitha popujt.”

Jezusi është “në qiell”, e megjithatë te ne. Si duhet kuptuar këtë? Me siguri jo që ai të jetë “gjysmë-gjysmë”, pakëz “atje lartë” dhe pakëz “këtu poshtë”. Ai nuk është një “endacak” midis dy botëve, siç iu duhet sot shumë vetëve shpesh herë të enden midis vendit ku banojnë dhe vendit të punës.

Ngjitja e Zotit në qiell mund të krahasohet me ndarjen e nevojshme nga prindërit, që na duhet ta bëjmë dhe ta përjetojmë për t`u bërë vetvetja, plot vetëbesim dhe vetë-respekt.

Çdo zhvillim bëhet përmes ndarjes dhe fillimit të ri: te lindja më parë na duhet prerë kërthizën për të lejuar një jetë të re, të pavarur. Diçka e ngjashme për të dytën herë ndodhë në pubertet, kur lihet shtëpia prindërore, në mënyrë që fëmija të piqet dhe të bëhet i rritur. Çmimi i identitetit dhe i forcës personale është që të përjetojmë shumë lamtumira!

Lumturia e fillimeve të reja mund të bllokohet në qoftë ngurrojmë dhe mbërthehemi vetëm në të kaluarën, në atë që ishte më parë.

“Dil, shko jashtë qytetit të vendlindjes sate”, kështu Abrahami e kishte marrë thirrjen e Hyjit. Kjo do të thotë: Ec përpara, dil nga mjedisi yt i zakonshëm, nga përcaktimi i vazhdueshëm i prindërve dhe normave farefisnore. Mos lejo të kufizohesh nga të menduarit e ngushtë dhe të qëndrosh i varur nga të tjerët, shoqëria. Nisu drejt një vendi të ri, të panjohur.

Kjo është një frazë mijëravjeçare nga Libri i Zanafillës (kapitulli 12), e cili është gjithmonë e re, ende vlen! Ndarjet dhe lamtumirat na çojnë për t’u takuar me jetën tonë personale.

E kremtja e Ngjitjes së Zotit në qiell na parashtron pyetje të tilla si: Ku anoj me frikë të sigurohem duke u ngjitur pas një gjëje? Kush apo çfarë më pengon në rrugën e zhvillimit tim?

Tendenca jonë për t`u mbajtur shtrëngueshëm për të kaluarën vepron fuqishëm. E pra, pa ngjitjen e Jezusit në qiell nxënësit kurrë nuk do të ishin të udhëhequr dhe të hedhur në “Shpirtin në ta.” Për shërimin dhe forcimin tonë “guru (mjeshtri) duhet të shkojë.”

Jezusi ndihmon të kapërcehet dhimbja e ndarjes, madje thekson: “Është mirë për ju, nëse unë shkoj. Sepse në qoftë se unë nuk shkoj, Ngushëlluesi (Shpirti i Shenjtë) nuk do të vijë te ju.” Në një mënyrë shpëtimtare, Jezusi tërhiqet nga nxënësit e vet. Ai thjesht i lë të “qëndrojnë”. Ata qëndrojë duket shikuar lart. Atyre do t`ju kumtohet nga engjëjt, se do të duhej të shikonin poshtë. Ata do të duhej të shkojnë poshtë, të zbresin nga mali, të kthehen në jetën e përditshme, dhe në të gjithë botën.

Krishti i ngushëlloi dishepujt e vet, duke thënë: “Është mirë për ju, që unë të shkoj” dhe “Unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës.” Në një formë të re të transformuar ai mund t`i kapërcejë të gjitha kufijtë e kohës dhe hapësirës dhe të qëndrojë i afërt, në fakt të qëndrojë edhe më afër, për të vepruar në të gjithë besimtarët.
Prindërit dhe edukatorët mund të jenë të lumtur në qoftë se përvojat dhe bindjet e tyre të vlefshme i përjetojnë edhe fëmijët, dhe ato të japin fryt, në mënyrë që edhe ata që janë më të rinj edhe vetë të bëhen bartës të dijes, besimit dhe jetës. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

O Zot, Ati ynë, ti e ke ngjallur Jezusin nga të vdekurit dhe kështu na ke rihapur qiellin. Ne po t`i drejtojmë lutjet tona:

– Për të gjithë ata që dëshirat e flakta i lidhin për këtë tokë dhe u mbesin të paplotësuara: dhuroju shenja që i çojnë përtej kësaj bote, të lutemi.

– Për të gjithë ata që mbyllen të frikësuar në botën e tyre të vogël: Hapu sytë për një shikim që sheh përtej të zakonshmes, përtej asaj me çka janë mësuar, të lutemi.

– Për të gjithë ata që nuk arrijnë të kthjellohen në jetën e tyre: Jepu orientim dhe zemër për të bërë hapat e nevojshëm, të lutemi.

– Për të gjithë ata që përhumben në iluzione dhe mashtrime: bëj që ta gjejnë atë kuptim të realitetit për të cilin kanë nevojë, të lutemi.

– Për të gjithë ata që në këtë jetë nuk kanë shumë shpresa: dhuroju vëmendjen e njerëzve me të cilët jetojnë, të lutemi.

– Për të gjithë ata që janë të zhgënjyer nga kisha jonë: bëj që të takojnë njerëz që u hapin pikëpamje të reja, të lutemi.

– Për të gjithë të vdekurit: dhuroju jetën në plotësinë e lavdisë sate, të lutemi.

O Zot, Atë qiellor, dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam. Ne po të lavdërojmë, sepse je i madh, por të falënderojmë se je edhe krejt afër nesh, tash e në shekuj të shekujve. Amen.

 

Pëgatiti:P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »