PAPA FRANÇESKU: Ç’po ngjan me ty Europë?

May 9 • Kisha në botë

Të premten, në orën 12.00, në Vatikan, Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian  Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker,  kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera. Çmimi,  me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Europës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e  tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë  fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.

Me këtë rast, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës: 

 

Miq të Ndritur,

ju uroj  nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht  zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët  e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Europës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm. 

Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Europës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.

Kjo “familje popujsh”(1), që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë,  kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur  arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë  e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. (2)

Në Parlamentin europian ia lejova vetes ta quaja Europën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Europe të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Europe në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Europe, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese  përfshirëse e shndërruese; një Europe, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim  i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Europe që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).

Ç’të gjeti kështu, Europë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Europë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Europë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dëlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?

Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (khs. Nxitje. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).

Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Europës. Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Europës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.

Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Europa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.(3) Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.(4) Projekteve të  Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje  kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë europian, Atdheut tonë Europës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” (5)

Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Europës. Një Europe, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar.

 

Aftësia për të integruar

Erich Przywara, në veprën e tij të ndritur “Ideja e Europës”, na sfidon, duke na nxitur ta mendojmë qytetin si vend bashkëjetese të instancave e niveleve të ndryshme. Ai e njihte mirë këtë prirje reduksionistike, që e gjejmë në çdo përpjekje për ta menduar e për ta ëndërruar indin shoqëror. Bukuria, e rrënjosur në shumë nga qytetet tona, vijon të na mahnisë për faktin se u arrit të ruhen në rrjedhë kohe, ndryshimet e epokave, të kombeve, të stileve, të vizioneve. Mjafton ta kundrosh pasurinë e paçmueshme kulturore të Romës, për të pohuar edhe një herë se pasuria dhe vlera e një populli rrënjoset pikërisht kur di t’i harmonizojë të gjitha këto nivele në një bashkëjetesë të suksesshme. Reduksionistët dhe të gjitha synimet rrafshuese, larg çdo aftësie për të krijuar vlera, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. E larg çdo aftësie për të krijuar madhështi, pasuri e bukuri, përjashtimi krijon vetëm poshtërsi, mjerim, mizori.

Rrënjët e popujve tanë, rrënjët e Europës, shkonin duke u konsoliduar në rrjedhë të historisë së saj, duke e mësuar t’i integrojë në sinteza përherë të reja kulturat më të ndryshme e në dukje, pa asnjë lidhje ndërmjet tyre. Identiteti evropian është e ka qenë gjithnjë shumëkulturor, në zhvillim të vazhdueshëm.

Veprimtaria politike e di se ka ndër duar këtë punë themelore, që nuk mund të shtyhet për më vonë. E dimë se “e tëra është më shumë se pjesët, e edhe se shuma e tyne e thjeshtë”, prandaj duhet punuar gjithnjë për të pranuar të mirën më të madhe, nga e cila mund të përfitojmë të gjithë.”(Nxitje. Ap Evangelii gaudium, 235). Ftohemi t’i japim shtytje integrimit, duke pranuar solidaritetin si mënyrën me të cilën duhen bërë gjërat, mënyrën që na tregon si duhet ndërtuar historia. Solidaritet, që nuk duhet ngatërruar kurrë me lëmoshën, por  duhet parë si krijim i mundësisë që të gjithë banorët e qyteteve tona – e të shumë qyteteve të tjera – të mund ta realizojnë me dinjitet jetën e tyre. Koha po na mëson se nuk mjafton më vetëm përfshirja gjeografike e njerëzve, por sfida është integrimi i vërtetë kulturor. 

Në këtë mënyrë, bashkësia e popujve evropianë mund ta kapërcejë tundimin për të këmbëngulur në paradigma të njëanshme e për t’u marrë me “kolonizime ideologjike”; përkundrazi, do të zbulojë madhështinë e shpirtit evropian, lindur nga takimi ndërmjet qytetërimeve dhe popujve, më e shtrirë se kufijtë aktualë të Bashkimit Europian dhe e thirrur të bëhet model i sintezave të reja dhe i dialogut. Vërtet, fytyra e Europës nuk dallohet për kundërvënien ndaj të tjerëve, por për faktin se mban gjurmët e tipareve të kulturave të ndryshme dhe ka bukurinë që sjell fitorja kundër mbylljes së dyerve. Pa këtë aftësi integrimi, fjalët e shqiptuara nga Konrad Adenauer në të kaluarën, do të tingëllojnë sërish sot si profeci për të ardhmen: “E ardhmja e Perëndimit nuk kërcënohet aq nga tensioni politik, sa nga rreziku i masivizimit, nga uniformiteti i mendimit dhe i ndjenjave; shkurt, nga i gjithë sistemi i jetës, nga mosmarrja e përgjegjësisë, me shqetësimin e vetëm për ‘unin’ personal”(6).

 

Aftësia për dialog

Nëse ka ndonjë fjalë, që duhet ta përsërisim derisa të lodhemi, është kjo: dialog. Jemi të ftuar të promovojmë një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet të shtrojmë çështje, në mënyrë që kjo të jetë e mundur e të na lejojë të rindërtojmë indin shoqëror. Kultura e dialogut nënkupton një formim të vërtetë e të vazhdueshëm, një lloj ushtrimi të asketizmit, që të na ndihmojë ta shohim tjetrin si bashkëbisedues të vlefshëm; që të na japë mundësinë ta shohim të huajin, emigrantin, të ardhurin nga një kulturë tjetër si subjekt për t’u dëgjuar, për t’u marrë parasysh e për t’u vlerësuar. Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë protagonistët shoqërorë në promovimin e “një kulture, që privilegjon dialogun si formë takimi, si kërkim konsensusi dhe marrëveshjeje, por, pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë e të mos përjashtojë”(Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”, 239). Paqja do të jetë e qëndrueshme, në masën me të cilën i armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre betejën e mirë të takimit e të bisedimeve. Në këtë mënyrë, mund t’u lemë trashëgim një kulturë, që di të përvijojë jo strategji të vdekjes, por të jetës, jo të mënjanimit, por të integrimit.

Kjo kulturë dialogu, që duhet të hyjë në të gjitha planet mësimore shkollore si bosht transversal i lëndëve të mësimdhënies, do të na ndihmojë të rrënjosim në brezat e rinj një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga ajo, me të cilën po i mësojmë. Sot, është urgjente të krijojmë “koalicione” jo më vetëm ushtarake apo ekonomike, por edhe kulturore, edukative, filozofike, fetare. Koalicione, që venë në pah se, pas shumë konflikteve, shpesh, është në lojë pushteti i grupeve ekonomike. Koalicione, të afta ta mbrojnë popullin, që të mos përdoret për qëllime të padenja. T’i armatosim njerëzit tanë me kulturën e dialogut e të takimit.

 

Aftësia krijuese

Dialogu dhe gjithçka lidhet me të na kujton se askush nuk mund të kufizohet e të sillet si spektator apo vëzhgues i thjeshtë. Të gjithë, nga më i vogli tek më i madhi, janë pjesë aktive në ndërtimin e një shoqërie të integruar e të pajtuar. Kjo kulturë është e mundur nëse të gjithë marrim pjesë në mendimin (ideimin) e në krijimin e saj. Gjendja aktuale nuk pranon vëzhgues të thjeshtë të luftës së tjetërkujt. Përkundrazi, është thirrje e fuqishme për përgjegjësi personale dhe shoqërore.

Në këtë kuptim, të rinjtë tanë kanë një rol mbizotërues. Ata nuk janë e ardhmja e popujve tanë, janë e tashmja; janë ata, që qysh sot, me ëndrrat e tyre, me jetën e tyre, po farkëtojnë shpirtin evropian. Nuk mund ta mendojmë të nesërmen, pa u lejuar atyre të marrin vërtet pjesë si tharm ndryshimi dhe shndërrimi. Nuk mund ta imagjinojmë Evropën pa i bërë pjesëmarrës e protagonistë të kësaj ëndrre.

Kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe e kam pyetur veten: si mund t’i bëjmë pjesëmarrës të rinjtë tanë në këtë proces ndërtimi, nëse i privojmë nga puna; nga punë të denja, që u japin mundësinë të zhvillohen përmes duarve, inteligjencës dhe energjive të tyre? Si mund të pretendojmë t’ua njohim vlerën e protagonistit, kur treguesit e papunësisë e të nënpunësimit të miliona të rinjve evropianë janë në rritje? Si t’ia bëjmë për të mos i humbur të rinjtë tanë, të cilët përfundojnë duke ikur gjetiu, në kërkim të idealeve e të përkatësisë, sepse këtu, në tokën e tyre, nuk dimë t’u ofrojmë mundësi e vlera?

Shpërndarja e drejtë e fryteve të tokës e të punës së njeriut nuk është filantropi e thjeshtë. Është detyrë morale (7). Nëse duam t’i rimendojmë ndryshe shoqëritë, kemi nevojë të krijojmë vende pune dinjitoze dhe të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë.

Kjo lyp kërkimin e modeleve të reja ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, që nuk orientohen në shërbim të pak vetëve, por në të mirën e njerëzve dhe të shoqërisë. E kjo na kërkon kalimin nga ekonomia e lëngshme [pra, që i përshtatet çfarëdo “ene” apo situate, pa pyetur për pasojat] në ekonominë shoqërore. Mendoj, për shembull, ppër ekonominë shoqërore të tregut, inkurajuar edhe nga Paraardhësit e mi (khs. Gjon Pali II, Fjala për ambasadorin e R. F. Gjermane, 8 nëntor 1990). Të kalohet nga një ekonomi, që synon të ardhura dhe fitime mbi bazën e spekulimit dhe të kredive me interes, në një ekonomi shoqërore, që investon mbi njerëzit, duke krijuar vende pune dhe kualifikim.

Duhet të kalojmë nga një ekonomi e lëngshme, që priret të favorizojë korrupsionin si mjet fitimi, në një ekonomi shoqërore, që garanton tokën e strehimin për të gjithë, përmes punës, si fushë në të cilën njerëzit dhe bashkësitë mund të venë në lojë “shumë përmasa të jetës: krijimtarinë, ardhmërinë, zhvillimin e aftësive, ushtrimin e vlerave, komunikimin me të tjerët, adhurimin e Hyjit. Prandaj, realiteti shoqëror i botës së sotme, përtej interesave të kufizuara të ndërmarrjeve dhe racionalitetit të diskutueshëm ekonomik, kërkon “të vazhdohet të ndiqet si përparësi, objektivi i punësimit… për të gjithë” (8).

Nëse duam të synojmë në një të ardhme dinjitoze, nëse duam një të ardhme në paqe për shoqëritë tona, mund ta arrijmë vetëm duke pasur si qëllim integrimin e vërtetë: “atë që ta jep puna dinjitoze, e lirë, krijuese, gjithëpërfshirëse dhe solidare” (9). Ky kalim (nga një ekonomi e lëngshme në një ekonomi shoqërore) jo vetëm do të hapë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete për integrim e gjithëpërfshirje, por do të na japë sërish aftësinë për ta ëndërruar atë humanizëm, për të cilin Europa ka qenë djepi e burimi.

Në rilindjen e kësaj Evrope të lodhur, por akoma të pasur me energji e mundësi, mund e duhet të kontribuojë edhe Kisha. Detyra e saj përkon me misionin e saj: kumtimi i Ungjillit, që sot, më shumë se kurrë, do të thotë, sidomos, kujdes për plagët e njeriut, duke i çuar atij praninë e fuqishme e të thjeshtë të Jezusit, mëshirën e Tij ngushëlluese e inkurajuese. Zoti dëshiron të banojë ndërmjet njerëzve, por mund ta bëjë këtë vetëm përmes burrave e grave që, ashtu si ungjillëzuesit e mëdhenj të kontinenteve, të preken me dorë prej Tij e ta jetojnë Ungjillin, pa kërkuar gjë tjetër. Vetëm një Kishë e pasur me dëshmitarë mund t’i vaditë sërish me ujin e kristaltë të Ungjillit rrënjët e Europës. Për këtë, rruga e të krishterëve drejt bashkimit të plotë është shenjë e madhe e kohrave, por edhe kërkesë urgjente për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit “që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21).

Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore” (10). Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Europë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Europë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Europë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Europë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Eu ropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit.    

Teksti nga www.radiovaticana.va/shqip

Fotot nga Sksioni Anglisht i Radio Vatikanit në FB

——————————————-

(1) Fjalimi në Parlamentin evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014

(2) Ibid.

(3) Deklaratë e 9 majit 1950, Salon de l’Horloge, Quai d’Orsay, Paris

(4) Ibi

(5) Fjalim në Konferencën Parlamentare Evropiane, Paris, 21 prill 1954

(6) Fjalimi në asamblenë e artizanëve gjermanë, Dyseldorf, 27 prill 1952.

(7) Discurso a los movimentos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(8) Enciklika “Laudato si’”, 127.

(9) Discurso a los movimientos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(10) Fjalimi për Këshillin e Europës, Strasburg, 25 nëntor 2014.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »