Shqisat në shërbim të zbulimit të pranisë së Zotit

May 10 • Meditimi i ditës

10 maj 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 20,17-27; Ps 67; Gjn 17,1-11a)

 

Prania e Hyjit

 

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdor në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

E lexoj Fjalën e Zotit pa u ngutur, disa herë, dhe dëgjoj çfarë më flet Hyji.

 

Gjn 17, 1-11

 

1 Jezusi, si i tha këto, i çoi sytë e vet kah qielli dhe vazhdoi:

“O Atë, arriti koha:

jepi lavdi Birit tënd

që Biri të të japë lavdi ty

2 e që me pushtetin,

të cilin ia dhe mbi çdo njeri,

t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.

3 E kjo është jeta e pasosur:

që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë,

dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë:

e kreva veprën,

që ma dhe ta kryej.

5 E tani, o Atë, më lavdëro para teje

me atë lavdi që e kisha te ti

para se të fillonte të ishte bota.

6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve

që ti m’i dhe nga bota.

Ata ishin të tutë, ti m’i dhe,

dhe ata e mbajtën fjalën tënde.

7 Tani e kuptuan

se gjithçka më dhe, vjen prej teje,

8 sepse fjalët që ti m’i dhe

ua dorëzova atyre.

Ata i pranuan

dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje

dhe besuan se ti më dërgove.

9 Unë për ta lutem.

Nuk lutem për botën,

por për ata që ti m’i dhe,

sepse janë të tutë.

10 Gjithçka kam unë është jotja

e çka ke ti imja,

dhe në ta u lavdërova.

11 Unë nuk rri më në botë

e ata janë në botë,

e unë po vij te ti.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

 

– O Zot, më duhet të përpiqem që këto fjalë të tua t`i kuptoj më mirë. Përshkrimi i jetës së pasosur është i qartë. Ta njohësh një të vetmin Hyj e tejkalon të kuptuarit tim. Ajo çfarë unë mbart në trupin tim janë shqisa e të parit, të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit dhe të shijuarit me ndihmën e të cilave unë në vetvete e thith realitetin e botës në të cilën lëviz. Si më ndihmojnë ato në zbulimin dhe njohjen e pranisë sate? Si t`i lidh ato me dimensionin shpirtëror të personalitetit tim?

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »