Në zemrën e dashurisë hyjnore

May 12 • Meditimi i ditës

12 maj 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës që jam duke ndenjur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji është duke më krijuar vazhdimisht.

Ndalem një moment, dhe bëhem i/e vetëdijshëm/e për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

Do të mundohem së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta janë duke më munduar në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendosi në duart e Hyjit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

E di se Hyji më do pa kushte.

Për këtë arsye sinqerisht e vështroj ditën, ndodhitë dhe përjetimet e kaluara.

A ekziston diçka për ç`gjë do të duhej të isha mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 17, 20-26

 

20 Në atë kohë Jezusi iu lut Atit: Nuk po të lutem vetëm për këta,

por edhe për të gjithë ata,

që, për shkak të fjalës së tyre,

do të besojnë në mua:

21 që të gjithë të jenë një.

Sikurse ti, Atë, që je në mua

dhe unë në ty,

ashtu edhe ata të jenë në ne,

që ta kuptojë bota se ti më dërgove.

22 Edhe unë ua dhashë lavdinë

që ti ma dhe

që të jenë një

sikurse ne jemi një

23 ‑ unë në ta e ti në mua,

që të jenë plotësisht një,

që bota ta dijë se ti më dërgove

dhe se i deshe ata siç më deshe mua.

24 Atë,

dua që ata, të cilët m’i dhe,

të jenë aty ku jam unë,

bashkë me mua,

që të kundrojnë lavdinë time,

lavdinë që ti ma dhe,

sepse më deshe

para se të krijohej bota.

25 Atë i drejtë!

Bota nuk të njohu

e unë të njoha.

Edhe këta e kuptuan

se ti më dërgove.

26 Këtyre ua dëftova Emrin tënd

dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj,

që dashuria me të cilën ti më deshe mua,

të jetë në ta

‑ dhe unë në ta.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Edhe unë jam njëri prej atyre që kanë besuar në Jezusin në saje të fjalëve që na i kanë shkruar dhe përçuar nxënësit. Këtu Jezusi flet për mua, lutet për mua që të mund të jem një me të dhe me Atin.

– Se Jezusi ishte dhe është Biri i Hyjit, kjo është tema që ndodhet vazhdimisht në sfond të Ungjillit të Shën Gjonit. Nga ana tjetër Jezusi na thërret në bashkim, në unitet me Atin dhe me njëri-tjetrin.

– Shumë prej nesh e jetojnë jetën vetëm në bazë të dukjes së jashtme, në vend se të jetojnë duke u nisur nga brenda. Nuk kanë guximin ta shikojnë thellësinë e qenies së tyre, dhe ta njohin të vërtetën që banon atje – se jam në zemrën e dashurisë hyjnore. A po reflektohet kjo në jetën time?

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e dhe të dëgjoj gjithçka që ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri ndërsa ai më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin ndërsa ia besoj brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën ndërsa i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Lus që të më ndihmojë në mënyrë që të mund t`i besohem plotësisht kujdesit të tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di cila është gjëja më e mirë për mua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që i kalova këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »