Shpirti Jetëdhënës

May 14 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela e Rrëshajëve (C)

 

Leximi i parë Vap 2, 1-11

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku

në të njëjtin vend.Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 104

Ref: Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot
——————————————————-
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
——————————————————–
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
——————————————————–
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

 

Leximi i dytë Rom 8, 8-17

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

Fjala e Zotit.

 

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritëra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

 

Aleluja
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja

 

Ungjilli Gjn 14, 15-16.23-26

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë. Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.”

Fjala e Zotit

 

SHPIRT JETËDHËNËS
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin!
Sot festojmë ditëlindjen e Kishës. Prandaj mund të themi: Urime ditëlindjen, Kishë! Dita kur filloi misioni i saj këtu në tokë. Garancia e kësaj është Shpirti i Zotit që banon në të, plotësimi i premtimit të Jezusit se nuk do të na lë jetimë. Shpirti i Hyjit me vete mbartë domosdo paqen.
Rrëshajët në fillim kanë qenë një festë e vjetër hebraike me prejardhje nga një kremtim i kananejve me besim në natyrë, festë e fryteve të para të të korrave. Më vonë u bë festë historike e përkujtimit të dhënies së Dhjetë Urdhërimeve në Malin Sinaj, ditë e Besëlidhjes së re.
Këtë festë në një mënyrë të re e përjetuan nxënësit, gratë dhe burrat, që ishin mbledhur rreth Jezusit në një vend. Ata shkuan pas tij, kishin jetuar me të dhe të cilin e përjetuan si të ngjallur nga të vdekurit. Ata në ditën e Rrëshajëve e përjetuan – sikurse Izraelitët në malin Sinaj – në një ndodhi të fuqishme praninë e Hyjit dhe Zotërisë së shenjtë, të paimagjinueshëm, të padukshëm. Luka në historinë e Veprave të apostujve tregon sesi kishte ndodhur kjo. Ata ishin të mbledhur me Zojën e Bekuar në një vend dhe luteshin duke pritur Fuqinë prej së Larti. Dhe ngjarjen e përshkruan me disa shenja të çuditshme: e përmend zjarrin, gjuhët, ushtimën e erës së fortë. Me figura apokaliptike dhe me figura të zbulimit të Zotit në Besëlidhjen e vjetër e përshkruan sesi Zoti e dëfton veten. Dëshiron t`u thotë besimtarëve sesi Hyji i gjithëpushtetshëm që nuk mund të shihet as të dëgjohet bëhet i dukshëm dhe i dëgjuar nëpërmjet shenjave. Ushtima e erës së fortë dhe gjuhët në formë zjarri janë shenja të amshimit dhe gjallërisë, të cilat ne njerëzit as nuk mund t`i kapim me duart tona as nuk mund t`i shtiem në mendjen tonë të kufizuar – pikërisht ashtu sikurse frymën dhe flakën që nuk mund t`i kapim.
Ashtu siç na paraqet Luka ngjarjen e Rrëshajëve mund të themi se Zotin mund ta paramendojmë vetëm me anë të sendeve që i dimë dhe i njohim, ashtu sikurse i përjetojmë, mirëpo kurrë nuk mund t`i kapim sikurse gjërat materiale. Hyji është i pranishmi, i gjalli, që frymëzon, nxitë. Me mendjen tonë të kufizuar për të marrë vesh ne hamendësojmë se në ngjarjen e Rrëshajëve është fjala për Shpirtin e Zotit, Shpirtin Shenjt. Për këtë Shpirt të Zotit që lëviz gjithçka, që gjallëron gjithçka, flasin shkrimet e shenjta dhe njerëzit deri në ditët tona.
Në fillim të Biblës, në Besëlidhjen e vjetër përmendet Shpirti i Hyjit. Ky e krijoi qiellin e tokën. Hyji është një krijues i amshuar – ne lusim në Besojmën: besoj në Krijuesin e qiellit e të tokës. Ky krijim nuk ka mbaruar. Zoti është krijues i përhershëm. Ai nuk rri duarkryq para botës dhe nuk hesht, por vepron me anë të Shpirtit të tij.
Hebrenjtë luten sot e kësaj dite: unë besoj…, që krijuesi, i ka krijuar të gjitha sendet, dhe që ai vetë i ka bërë të gjitha krijesat, dhe i përsosë dhe do t`i përsos ato.
Rrahjet e zemrave tona, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes, të gjitha këto janë shenja se Hyji është duke na krijuar vazhdimisht. Duhet të ndalem një moment në ditë, dhe bëhem i vetëdijshëm për këtë prani të Shpirtit të Zotit në mua.
Fjalët e Shkrimit shenjtë: Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra – e përshkruajnë gjendjen e tanishme të sendeve, jo njëfarë ngjarje të kaluar. Kur lus mbi Shkrimin Shenjt, i lejoj Shpirtit të Hyjit që të endet përmbi kaosin dhe errësirën e qenies sime.
Kur i lejoj Fjalës së Hyjit që të endet përmbi preokupimet e mia, atëherë mund të ndodhë gjithçka, sepse ai është Hyj i surprizave. Me rëndësi është që mos ta fshehë kaosin tim të brendshëm nga Fjala e Hyjit, Shpirti i Zotit dhe nga vetvetja. Shpesh herë jemi ashtu të mësuar që nuk guxojmë të lejojmë që ndonjë ndjenjë negative të hyjë në lutjen tonë, në veçanti jo ndjenjat negative për Hyjin. Nevojitet patjetër të mësohemi ta përballojmë një praktikë të tillë, duke i shprehur lirisht ndjenjat tona para Shpirtit të Hyjit dhe duke besuar që Ai është mjaft i madh që ta marrë mbi vete vullnetin tonë të keq. Nuk ka kuptim që të shtiremi para Hyjit i cili na njeh më mirë sesa ne e njohim vetveten.
Nuk ekziston ai mendim, ajo ndjenjë apo ajo dëshirë brenda teje që nuk do të mund të bëhej temë e lutjes në dritën e Fjalës së Hyjit, kur e di që Hyji e do kaosin tënd që është në ty dhe që Shpirti i tij duke vepruar në ty mund të bëjë jashtëzakonisht më shumë sesa ti mund ta mendosh apo paramendosh.
Shën Tereza e Avilës reflekton për mënyrën e Jezusit sesi e sjell paqen: Nëse gjendesh në dhimbje apo ndonjë vështirësi, këto pak fjalë të Jezusit – “Paqja me ju! Mos kini frikë!” – të mbush me paqe, kurse vështirësitë kalohen, vështirësitë prej të cilave nuk do të lironte as feja e një njeriut më të mençur në botë.
Duhet të ndalem gjatë ditës para fuqisë së Shpirtit të Zotit e ta pyes veten: Si jam duke e ndjerë veten përnjëmend? Pa halle? I trishtuar? Ndoshta jam i qetësuar, i lumtur që ekzistoj. Por ndoshta i frustruar, i brengosur dhe i nervozuar. E pranoj atë çfarë përnjëmend ndjej. Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend. Ai dëshiron të më ripërtërijë me Shpirti e vet që e kam marrë në pagëzim.
Të lutemi për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme dhe që të mund të arrijmë diçka të re nga ajo çfarë Shpirti i Zotit kërkon nga ne.
Shpirti Shenjt le të na ndriçojë mendjen dhe zemrën që të përgjigjemi porosisë së ungjillit: Që të bashkëpunojmë me frymëzimet e Shpirtit Shenjtë që ta duam Hyjin dhe të afërmit tanë si vetveten. Amen.

 

Lutja e Besimtarëve

 

O Zot, Jezu Krisht, Shpirti Shenjt, të cilin e ke dërguar, na lidh ne me ty. Ne po të drejtohemi me lutjen duke thënë:

 

      Dërgoje Shpirtin Shenjt, o Zot!

 

    – Mbi mbarë kishën tënde – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë ipeshkvinjtë, barinjtë e kishës sate – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë përgjegjësit në shoqëri – Dërgoje…
    – Mbi të gjitha bashkësitë dhe familjet – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë fëmijët dhe të rinjtë – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të rriturit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të moshuarit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të sëmurët dhe të dobëtit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të varfëritë dhe të nënshtruarit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të pikëlluarit dhe të frikësuarit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë të përndjekurit dhe të shtypurit – Dërgoje…
    – Mbi të gjithë popujt dhe vendet – Dërgoje…
    – Mbi të gjitha krijesat e tua – Dërgoje…

 

O Zot, Jezu Krisht, dërgoje Shpirtin tënd, e do ta përtërisht fytyrën e mbarë dheut.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »