Ta duash vetveten me dashurinë e Zotit

May 14 • Meditimi i ditës

14 maj 2016 – E shtune, Shën Matia, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 1,15-17.20-26; Ps 112; Gjn 15,9-17)

 

Prania e Hyjit

 

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

 

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem aty ku më prek, në atë fjalë që më flet personalisht.

 

Gjn 15, 9-17

 

9 Sikurse Ati më ka dashur mua,

ashtu edhe unë ju kam dashur ju.

Qëndroni në dashurinë time!

10 Nëse i mbani urdhërimet e mia,

do të qëndroni në dashurinë time,

sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim

dhe qëndroj në të.

11 Jua thashë këto,

që gëzimi im të jetë në ju

e gëzimi juaj të jetë i plotë.

12 Ky është urdhri im:

duajeni njëri‑tjetrin

sikurse unë ju desha ju!

13 Dashuria më e madhe që ndokush mund

të tregojë është:

të japë jetën e vet për miqtë e vet.

14 Ju jeni miqtë e mi

nëse bëni çka ju urdhëroj unë.

15 Nuk ju thërras më shërbëtorë,

sepse shërbëtori nuk di

çka bën zotëria i tij;

unë ju quajta miq,

sepse ju zbulova gjithçka

që dëgjova prej Atit tim.

16 Ju nuk më zgjodhët mua,

por unë ju zgjodha ju

dhe ju caktova

të shkoni e të jepni fryt

e fryti juaj të qëndrojë;

dhe që Ati t’ju japë

çkado të kërkoni në Emër tim.

17 Këtë gjë ju urdhëroj;

duajeni njëri‑tjetrin!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju“. Fakti që Jezusi më zgjodhi mua më jep kuptim  për vendin timnë botë, kuptimin e qëllimit të ekzistencës sime. Çfarë frytesh jam i/ thirrur për të dhënë?

– Duajeni njëri-tjetrin si Jezusi na deshi ne – duhet së pari të lejojmë që ta përjetojmë dashurinë e Jezusit. Unë nuk mund të mos e dua veten time, sepse jam i/e dashur nga Hyji (Romakëve 1,7)!

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonëssime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »