Dyshim e Besim

May 16 • Meditimi i ditës

16 maj 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Jak 3,13-18; Ps 18; Mk 9,14-29)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë gjallëruese dhe zemërdhënëse

në çdo pjesë të trupit tim, në të gjitha gjërat rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

 

O Hyj, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.

Unë ekzistoj në këtë jetë falë dashurisë sate.

Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur se Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si ka qenë dita e kaluar? Si jam duke e ndjerë veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo shprehjen që më flet diçka.

 

Mk 9, 14-29

 

14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta. 15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti:

“Mbi çka diskutoni me ta?”

17 Dikush prej morisë iu përgjigj:

“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”

19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”

20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.

21 Jezusi e pyeti babanë e tij:

“Tani sa kohë i ndodh kështu?”

22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”

23 “Nëse mund të bësh gjë… ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”

24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:

“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”

25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:

“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”

26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!” 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

29Ai iu përgjigj:

“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Vëreje padurimin e Jezusit në këtë rast. Në të mund të gjendemi në të njëjtën gjatësi vale me padurimin tonë njerëzor, por edhe të gjejmë forcën për qëndresë.

Dyshimi mund të jetë një pjesë e rëndësishme e besimit në Hyjin. Nëse nuk ka momente dyshimi, hapësira për rritjen tonë në besimin fetar mund të reduktohet.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezu, po më flet në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem kësaj thirrjeje të sotshme.

Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese

në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »