A e poshtëroj apo pranoj vetveten dhe të tjerët?

May 17 • Meditimi i ditës

17 maj 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Jak 4,1-10; Ps 54; Mk 9,30-37)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment dhe provoj të ndërgjegjësohem se Zoti është i pranishëm:

në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit të cilët i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte

se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,

dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,

i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë çfarë mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)

Lus për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,

a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Mk 9, 30-37

 

30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 31sepse i mësonte nxënësit e vet.

U thoshte:

“Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”

32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesinin.

 

33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti:

“Mbi çka biseduat rrugës?”

34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 35Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha:

“Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e pëqafoi dhe u tha:

37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”

  

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Nxënësit diskutonin në mes veti, duke u përpjekur të kuptonin se çfarë kishte thënë Jezusi. Megjithatë, ata kishin frikë ta pyesnin. Kush prej nesh nuk ka pasur luftëra të brendshme duke u përpjekur të kuptojë disa mësime të caktuara të besimit tonë, por edhe ka ngurruar të pyesë për shkak të frikës se mos po tregonte padijeni, injorancë?

– A sillem në atë mënyrë që njerëzit të ndjehen më të vegjël për shkak të asaj çfarë ata janë? Apo u jap zemër dhe i pranoj të tillë siç janë, sikurse ka bërë kështu Jezusi me fëmijën e vogël?

  

Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »