Shugurimi i Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit

May 17 • Kisha ndër Shqiptarë

 

Pas lajmit të bukur për Kishën ndër shqiptarë, kur me 5 prill, Papa Françesku e emërojë argjipeshkvit të ri ti Tivarit, Don Rrok Gjonlleshaj, meshtarin e Ipeshkvisë së Kosovës për ta zëvendësuar të nderuarin Imzot Zef Gashin, i cili për shkak të moshës doli në pension, me 14 maj 2016, në ora 11:00 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, u kremtua shugurimi i tij, në bashkësinë e 12 ipeshkvijve, 100 meshtarëve, murgeshave, seminaristëve dhe qindra besimtarëve. Është ky shugurimi i parë në Kosovë dhe i parë në katedralen e Prishtinës.

Meshës së shugurimit i priu argjipeshkvi i Tivarit në pension Imzot Zef Gashi, i cili ishte edhe kryeshuguruesi i Imzot Rrok Gjonlleshaj, me dy bashkëshugurues, Delegatin Apostolik për Kosovë Sh. T. Mons. Juliusz Janusz dhe Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës. Në Bashkëmeshim në këtë kremtim morën pjesë ipeshkvijë nga dy Konferencat Ipeshkvore: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë dhe Konferenca Ndërkombëtare e Shën Çirilit dhe Metodit, meshtarët nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, nga Bosnja, Kroacia dhe miq italian.

Në fillim të meshën, Ipeshkvi i Kosovës, nikoqiri i  këtij kremtimi solemn, Imzot Dodë Gjergji, i përshëndeti të pranishmit me gëzimin e fesë, që sot në këtë Shenjtërore të Nënë Terezës, biri i kësaj kishe po i bashkëngjitet korit të apostujve të Krishtit.

Sipas traditës, pas leximit të ungjillit dhe thirrjes së Shpirtit Shenjt – paraqitet i zgjedhuei dhe lexohet Bulla e Papës. Bullën e emërimit në gjuhën latine e lexoi Delegati apostolik për Kosovë, Sh. T. Mons. Juliusz Janusz, kurse në gjuhën shqipe Don Lush Gjergji.

BULA E EMRIMIT

Frençesku ipeshkëv, Shërbëtor i Shërbëtorëve të Zotit, birit të dashur Rrok GJONLLESHAJ, nga kleri i Administraturës Apostolike të Prizrenit, deri tash aty Famullitar i Shën Ndout në qytetin e Prishtinës, si dhe Ekonom i kësaj Administrature Apostolike, i zgjedhur Argjipeshkëv i Tivarit, shëndet dhe Bekim Apostolik.

Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili është ngjallur prej së vdekuri, na ka dhënë neve shpresën e jetës së pasosur, për t’i bashkuar të gjithë besimtarët në mbarë botën, në shqyrtim të zellshëm të nevojave të tyre baritore. Mbasi që selia e dashur dhe e lashtë e Tivarit, pas dorëheqjes së Vëllait të Nderuar Zef Gashit, S. D. B.,  ishte në pritje të shenjtë të Bariut, për Ty, Bir i dashur, kemi menduar. Ti vërtet me zell ke krye shërbimin në famulli, si dhe në radiostacionin “Maria”, po ashtu edhe detyrën e Ekonomit, duke dëshmuar shkathtësi të veçanta dhe përkushtim, zell baritor në shpalljen e Ungjillit, si dhe përvojë në administrim. Prandaj na dukesh Neve në tërësi i përshtatshëm për këtë detyrë. Pra, me Autoritetin tonë të plotë Apostolik, të emërojmë ty Argjipeshkëv të Tivarit, me të drejta dhe detyrë përkatëse. Shugurimin ipeshkvor mund ta pranosh kudo jashtë Romës duke respektuar normat liturgjike. Para kësaj duhet ta bësh dëshminë e fesë dhe të besnikërisë ndaj Nesh dhe Pasardhësve Tanë, sipas ligjeve dhe normave të Kishës. Duam ta njohim për këtë Dekret klerin dhe besimtarët e argjipeshkvisë tënde;  të gjithë ata i ftojmë që të prirë me Ty, ta plotësojnë vullnetin e Krishtit me jetën e përditshme. Më në fund Ty, Bir i dashur, të porosisim nën mbrojtjen e Virgjërës Mari, që ta udhëheqësh me urti e zell grigjën e besuar, në përkujdesje për të, në paqe dhe shpresë.

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më pesë prill, Viti i Zotit dymijë e gjashtëmbëdhjetë, në Jubileun e Mëshirës, viti i katër i Pontifikatit.

                                                                                               FRANÇESKU

 

Pasi leximit të bullës, e cila shpreh emërimin dhe lejen e shugurimit, Delegati Apostolik mbajti një fjalim të rastit si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, i cili shprehi kënaqësinë e pjesëmarrjes dhe gëzimin e emërimit të një prifti nga një Kishë e cila ndër shekuj ka dhënë burra të ndershëm në shërbim të Kishës dhe të popullit:

“Sot Kosova mund të këndojë “Gaude Mater Kosova prole feconda mobili”. Po, ndër shekuj ky vend ka dhënë shumë njerëz fisnik në shpirt, të guximshëm në shpalljen e fesë deri në martirizim. Me krenari mund të kujtoni gruan më fisnike të popullit tuaj, Shën Nënë Terezën. Është e njohur që Kosova ka ofruar njerëz të Kishës për të shërbyer si ipeshkvij në vende të ndryshe të rajonit. Të gëzohemi pra për këtë zgjedhje të Papa Françeskut, duke ia besuar mikut tonë Don Rokut misionin e paraardhësve të apostujve.”

Duke i uruar shërbim të shenjtë e të frytshëm në misionin e ri në Mal të Zi, Delegati u shpreh: “Ju duhet ta ndihmoni grigjën e Malit të Zi të evitoj murtajën e shekullarizimit, indiferentizmit përball nevojtarëve dhe të konsumimit që i shkatërron vlerat e fesë. Ju e bartni me vete shpresën e Krishtit të Ringjallur dhe fuqinë e Shpirtit Shenjt.”

Imzot Zef Gashit, në pretkun e tij të titulluar “Ipeshkvijtë,  zëvendës të apostujve”, nisi me përshëndetjen drejtuar të zgjedhurit Imzot Rrok Gjonlleshaj dhe Imzot Dodë Gjergjit, zotit të shtëpisë, pastaj e shprehi kënaqësinë që është i pranishëm në këtë shenjtërore të mrekullueshme për të shuguruar pasardhësin e tij:

Kam nder dhe kënaqësi që si ish famullitar i Prishtinës, aktualisht argjipeshkëv i Tivarit, sot me 14 maj 2016 në Vigjiljen e festës së Rrëshajëve, ta shuguroj famullitarin e deritanishëm të famullisë së Prishtinës, Don Rrok Gjonlleshaj për argjipeshkëv të Argjipeshkëvnis së Tivarit. Kjo është ngjarje historike, sepse për herë të parë po shugurohet një ipeshkëv në Prishtinë, në qytetin e të madhit Imzot Pjetër Bogdanit, i cili ishte për 10 vjet administrator apostolik i Argjipeshkvisë së lashtë të Tivarit. Tashmë mund të thuhet lirisht edhe në qytetin e Nënë Terezës, sepse ky shugurim po ndodh në katedralen-shenjtoren e saj, pikërisht në vitin e shenjtërimit të saj, që do të behët në Romë, më 4 shator 2016. Pas këtyre  e ngjarjeve të mëdha në jetën time meshtarake dhe episkopale, mund të them lirishtë: ”Nunc dimittis, Domine servum tuum in pace”.

Pas këtyre fjalëve argjipeshkvi kryeshugurues shtjellojë domethënien e të qenit ipeshkëv:

“Zotëria Jezusi, pasi që ju lut Atit, i thirri tek vetja ata që deshi dhe kështu formoi një kolegjium të të dymbëdhjetëve për të qëndruar me të dhe për t’i dërguar pastaj në përhapje të Ungjillit mbi mbretërinë qiellore. I dërgoi më së pari tek bijtë e Izraelit e pastaj tek të gjithë popujt dhe kështu ata e përhapën Kishën duke ushtruar shërbimin e vet në të, nën udhëheqjen e Zotërisë dhe kështu do të ndodh deri në mbarim të botës. Për këtë mision qenë përforcuar ditën e Rrëshajëve, sipas Premtimit Hyjnor. Ky mision hyjnor i besuar apostujve nga vet Krishti, duhej të qëndrojë deri në mbarimin e shekujve sepse ungjilli të cilin ata duhet ta transmetojnë (përçojnë) është për Kishën parim për tërë jetën e saj në çdo kohë të historisë njerëzore,” dhe ky parim dhe mision vazhdon të jetësohet edhe në ditët tona nëpër trashëgimin e shugurimit ipeshkvor:

Për këtë arsye apostujt, në këtë shoqëri rregulluar në mënyrë hierarkike, kanë pasur për kujdes të lënë zëvendësit e vet duke iu porositur që të kujdesën për tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt i kishte vendosur që ta udhëheqin Kishën e Zotit. Ata vendosnin njerëz të sprovuar dhe iu jepnin autorizime, që pas vdekjes së tyre, këta ta vazhdonin misionin apostolik, si trashëgimi e vazhdueshme hierarkike. Në këtë vijë Koncili II i Vatikanit mëson se ipeshkvijtë përmes institucionit hyjnor janë zëvendësit fuqiplotë të apostujve si barinj të Kishës: Kush i dëgjon ata e dëgjon Krishtin, kush përbuz ata e përbuz Krishtin, atë që i ka dërguar. Jezu Krishti është i vetmi ndërmjetës i yni tek Zoti, sepse ai ia paraqiti Hyjit Atë flinë e denjë me të cilën  ju dhuron njerëzve jetën me hire. Jezu Krishti vazhdon pandërprerë në Kishën e vet ushtrimin e misionit meshtarak duke e paraqitur Atit të amshueshëm flinë e korpit dhe të gjakut të vet në meshën shenjte dhe duke e ndarë me anë të sakramenteve jetën e hireve. Në këtë veprimtari shëlbimprurëse Ai shërbehet me njerëz, si ndihmësit e vet, të cilëve ju jep pushtetin mbi sakramente si dhe mbi gjymtyrët e Korpit të tij mistik, d.m.th. besimtarët. Këtë pushtet Krishti e jep nëpërmjet urdhrit të shenjtë të meshtarisë.” tha mes tjerash Imzot Zef Gashi.

Pas pretkut, sipas liturgjisë së paraparë, pasoi riti i shugurimit, shtrirja e duarve që është pjesa kryesore dhe më e rëndësishme shugurimit, lyerja me krizëm, dorëzimi i shenjave, simboleve ipeshkvore dhe vendosja e tij në fron për ta paraqitur bashkësisë të saposhuguruarin.

Gëzimi dhe hareja e bashkësisë së krishterë ishte shfaqur në fytyrat e të pranishmëve për këto dhurata të hirit që Zoti i zbraz në Kishën e vet ndër popullin tonë. Eja o Shpirt Shenjt, ripërtërije fytyrën e tokës, fytyrën e tokës dhe të popullit tonë, e na dhuro përherë dhuratat e tua nëpërmjet burrave e grave fisnike që e fisnikërojnë dhe e nderojnë popullin tonë.

 

Teksti: Rev. DRITA

Fotografitë: Palush Nikollaj dhe Arian Ramaj

[wonderplugin_gallery id=”1″]

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »