Krezmimi – lyerje dhe vulosje me Shpirtin Shenjt

May 18 • Këndvështrime

 

 

Nga Don Anton Uka

 

“Unë do t’ju japë një zemër të re, një shpirt të ri do të fus në ju, do ta nxjerrë nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju japë një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëjë që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia” (Ez 36, 26-28).

Tërë jeta dhe misioni i Zotit tonë Jezu Krishtit zhvillohet nën ndikimin e Shpirt Shenjt dhe në një bashkim të plotë me Të; kështu që edhe Kisha – Trupi mistik i Krishtit, gjatë tërë shekujve, vazhdon të jetojë dhe të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt, si dhe të njëjtin Shpirt ua dhuron bijve dhe bijave të veta përmes sakramentit të përforcimit apo krezmimit.

Ky sakrament quhet Krezmim për arsye se riti themelor që e përbën këtë sakrament është pikërisht lyerja me krizmën e shenjtë, vaj i përzier me balsam, i shuguruar nga Ipeshkvi në Meshën krizmale të mëngjesit të së Enjtes së Madhe. Përndryshe, ky sakrament quhet edhe Përforcim, për arsye se e konfirmon dhe e përforcon sakramentin e Pagëzimit.

Termi “krezmim” ka të njëjtë origjinë të termit Krisht, që e kanë prejardhjen nga fjala greke “krizma”, “lyerje”. Sikurse Krishti është i lyeri dhe i shuguruari Meshtar, Profet, Mbret, edhe Krezmimi, për të krishterin, është “lyerje” dhe “shugurim” në jetën e Krishtit Meshtar, Profet, Mbret. Për këtë arsye edhe thuhet se Krizmimi na bënë “ushtar të Krishtit”.

Ky sakrament administrohet me shtrirjen e duarve nga ana e ministrit që prononcon fjalët e ritit. Lyerja me vajin e shenjt bëhet mbi ballin e kandidatit, ndërsa ministri prononcon këto fjalë: “Merre vulën e Shpirtit Shenjt që të jepet si dhuratë”. Ky Sakrament është i papërsëritshëm, pra merret vetëm një herë në jetë, dhe mundë ta pranojnë vetëm ata që janë të pagëzuar. Administruesi i rregullt i këtij sakramenti është Ipeshkvi dhe kjo bëhet, jo sepse nuk mundë ta administrojë edhe një meshtar tjetër i deleguar i Ipeshkvit por, në këtë mënyrë shprehet lidhja e të kremtuarit me Kishën në dimensionin e saj Apostolik.

Efekti i veçantë i Përforcimit është zbrazja apo zbritja e Shpirti Shenjt mbi kandidatin, sikurse ajo e Rrëshajëve mbi apostujt. Zbritja e tillë e vulosë shpirtin e kandidatit me një vulë të pashlyeshme dhe sjellë një rritje të hirit pagëzimor, thellon më shumë në bijërinë hyjnore, bashkon me Krishtin dhe me Kishën si dhe dhuron një fuqi të veçantë për ta dëshmuar fenë e krishterë.

Zanafilla dhe domethënia e Krezmimit

 

Sakramenti i Krezmimit në zanafillën e tij nuk kishte një emër specifik, por identifikohej me vetë ritin me të cilin administrohej, që në atë kohë ishte “shtrirja e duarve”. Në shekullin e tretë identifikohet me termin grekë “Sfraghis”, në latinisht “signaculum” apo “consignato” që do të thotë “vulosje”. Duke filluar nga shekulli i pestë fillon të përdoret termi “confirmatio” në latinisht, në greqisht “bebàiòsis” që do të thotë “përforcim”. Dhe në fund, kemi të bëjmë me termin grek “crisma” që do të thotë “krezmim”, term ky që shprehë gjestin e lyerjes si dhe materien me të cilën kryhet ajo.

Terminologjinë e përdorur për të shprehur domethënien dhe esencën e këtij sakramenti e gjejmë në Shkrimet e shenjta të Besëlidhjes së Re. Veprat e Apostujve e përshkruajnë kështu: “Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt” (Vap 8, 14-17).

Kemi edhe pjesën tjetër të të njëjtit libër ku thuhet: “Ndërkohë që Apoloni ishte në Korint, Pali pasi i përshkoi krahinat e epërme, erdhi në Efes. Aty gjeti disa nxënës dhe u tha: “Kur pranuat fenë, a e morët Shpirtin Shenjtë?”Ata iu përgjigjën: Ne as që kemi dëgjuar se ka Shpirt Shenjt”. Cilin pagëzim atëherë vazhdoi Pali keni marrë? Ata u përgjigjën: “Pagëzimin e Gjonit.” Pali u tha: “Gjoni ka pagëzuar me pagëzimin e kthimit, duke predikuar popullit që të besojnë në Atë që do të vijë pas tij, dmth në Jezusin.” Kur dëgjuan, u pagëzuan në Emër të Jezusit Zot, e kur Pali i vuri duart mbi ta, në ta zbriti Shpirti Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë. Të gjithë së bashku ishin dymbëdhjetë burra” (Vap 19, 1-7).

Në lidhje me Përforcimin dhe pikërisht për përdorimin e vajit të shenjt apo krizmës na fletë edhe libri i dytë i Korintasve ku thotë: “Dhe Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji” (2 Kor, 1, 21).

Pasi që shpjeguam dhe kuptuam zanafillën e termit Përforcim dhe Krezmim është mirë t’i shtrojmë këto pyetje: çka domethënë për besimtarin të krezmohet apo të përforcohet? Pse Kisha e përforcon sakramentin e Pagëzimit…? Cila është domethënia e sakramentit të Krezmimit? Çka i shton sakramenti i Pagëzimit sakrametit të Krezmimit…? Me pranimin e sakramentit të Përforcimit, i pagëzuari është i thirrur të vetëdijesohet personalisht mbi atë që çka domethënë të jetë i krishterë dhe mbi angazhimet që duhet jetuar. Shën Tomë Akuini përgjigjet kështu: “Pagëzimi është lindja, ndërsa Krezmimi është rritja”.

Krezmimi është sakramenti i dëshmisë personale, është sakramenti i përforcimit, i guximit; është sakramenti i Shpirtit Shenjt, i ngjalljes së re; është sakramenti i bashkimit me Kishën. Prania e ipeshkvit apo e delegatit të tij në këtë sakrament shprehë bashkimin e të gjithë të krishterëve, për të cilët ipeshkvi është lidhje dhe garanci. Krezmimi është sakramenti që dhuron plotësimin e Shpirtit Shenjt i cili prodhon në jetën e atyre që e pranojnë: dashurinë, gëzimin, paqen duresën, mirësinë, bamirësinë, besnikërinë, butësinë, përvujtërinë…! Të gjitha sakramentet na dhurojnë Shpirtin Shenjt dhe çdo sakrament e ka prejardhjen nga tri vehtjet Hyjnore; çdo sakrament na dhuron jetën, faljen dhe Shpirtin. Kjo nuk pengon që një sakrament  të jetë i “posaçëm” në dhuratën e jetës, të faljes  dhe të Shpirtit. Kështu që çdo pagëzim është hyrje në Shpirt, por krezmimi dhuron dhuratën e plotë të Shpirtit Shenjt.

 

Përforcimi është një akt kishtar

 

Sakramenti, asnjëherë nuk mundë të jetë përshpirtëri apo devocion privatë: është një akt kishtar, që do të thotë i bashkësisë universale. Përforcimi është ai sakrament i atyre Rrëshajëve që nxori apostujt nga ajo errësirë dhe nga ajo mbyllje për t’i bërë dëshmitarë në mesin e shumë njerëzve të të gjitha kombësive. Përforcimi është një gjest i Jezusit i cili përsëritet në Kishë për të mirën e botës. Sakramentet nuk janë para së gjithash devotshmëri personale por janë ngjarje të historisë së shëlbimit për popullin e Zotit dhe për mbarë njerëzimin. Të gjitha sakramentet, kremtojnë ndodhinë pashkëvore të Jezusit Shpëtimtar që ka lindur në botë si një diell që nuk perëndon kurrë dhe është i gjallë përbrenda Kishës së Tij.

Duke e kremtuar Përforcimin, Kisha dëshmon të jetë një krijesë e re dhe gjithmonë e rinovuar, dëshmon të jetë një bashkësi e njerëzve të ri për ta ndërtuar një botë të re. Kisha e Rrëshajëve dhe e Përforcimit është populli mbi të cilin ka zbritur Shpirti Shenjt, për ta veshur atë përjetësisht me funksionin meshtarak dhe profetik për ta shpallur Lajmin e gëzueshëm. Lajmin që Zoti i donë të gjithë njerëzit dhe që kjo dashuri është një person, Shpirti Shenjt i cili vepron pandërprerë në botë, për shpëtimin e gjithë njerëzimit. Bashkësia e përforcuar apo e krezmuar, pranon misioni që t’i ndihmojë njerëzit ta rinjohin praninë e Shpirtit Shenjt që vepron në brendësinë e tyre dhe në botën mbarë. Hiri i përforcimit është hiri i Kishës që ka për qëllim ta ndihmojë misionin e vetë në botë. Pikërisht për këtë arsye Rrëshajët janë lindja e Kishës në të qenit e sajë misionare. Përmes sakramentit të Krezmimit Kisha është mbushur me Shpirtin Shenjt, dhe të pagëzuarit dërgohen në botë për ta ndihmuar shenjtërimin e të gjithë njerëzve në mënyrë që “Hyji të jetë gjithçka në të gjithë” (1 Kor 15, 28).

Tekstet e Besëlidhjes së Re na prezantojnë Pagëzimin dhe Krezmimin si dy sakramente të ndara, por në të njëjtën kohë të lidhura mes vete. Në Veprat e Apostujve, lexojmë kështu: “Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit dhe apostujve te tjerë: Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër? Pjetri u dha përgjigje: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do të merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt” (Vap 2, 37-38). Ndërsa Shën Pali shkruan kështu në letrën e tij drejtuar Titit: “Edhe ne dikur ishim të pamend, të padëgjueshëm, endeshim larg së vërtetës, robër të dëshirave edhe të prirjeve të ndryshme, kemi jetuar, në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur; kemi urryer njëri tjetrin. Por, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e Tij ndajë njerëzve. Ai na shëlboi, jo në sajë të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të Tij të jemi, në sajë të shpresës, trashëgimtar të jetës së pasosur” (Tit 3, 3-7).

 

Krezmimi – mbushje me Shpirtin Shenjt

 

Rrëshajët dhe Përforcimi janë lyerja apo shugurimi i Kishës dhe lyerja e të krezmuarve, për veprim të Shpirtit Shenjt, për jetën e tyre publike si kumtues të Lajmit të Gëzueshëm.

Me Krezmim bëhemi pjesëmarrës të shugurimit të Jezu Krishtit për ta vazhduar misionin e Tij në tokë. Me krezmim bëhemi pjesëmarrës, mbushemi me Jezusin dhe me Shpirtin e Tij aq sa që në një mënyrë tillë bëhemi edhe ne “hyjnor” në saje të: “Pjesëmarrës të natyrës së Tij Hyjnore” (1 Pjt 1, 4). Kështu bëhemi ata që duhet ta parfumosim botën mbarë: “Faleminderit Hyjit, i cili na nderon përherë me fitore në saj të Krishtit dhe përmes nesh shpërndan në çdo vend erën e këndshme të dijes së vetë. E njëmend, ne jemi për hyjin era e këndshme e Krishtit, për ata që shëlbohen e për ata që dënohen” (2 Kor 2, 14-15).

Me pagëzim hyjmë dhe bëhemi pjesë e familjes së madhe, që është Kisha; kalojmë nga vdekja në jetë, bëhemi të gjallë, fillon ringjallja jonë. Me Përforcim Shpirti Shenjt na bënë gjallërues, shpërndarës të jetës. Me fjalë të tjera: Pagëzimi na bënë të lindemi nga Zoti, na bënë bij të Zotit në Jezu Krishtin; ndërsa Krezmimi, më dëshminë dhe shpërndarjen e kësaj jete që është në ne, në bënë prindër shpirtëror, në shembullin e Marisë, nënës së Kishës. Me Pagëzim bëhemi “nxënës”- bëhemi “Kishë”, e cila e dëgjon Fjalën e Zotit e mediton në zemrën e vetë për ta vënë në praktikë; ndërsa me Krezmim bëhemi “profet”- bëhemi “Kishë” e cila fletë, e cila e shpallë Jezusin, e cila mëson, e cila arrin të të gjithë pa dallim gjuhë, kombësie apo religjioni, për të mësuar dhe dëshmuar se Jezusi është Zot dhe Shëlbues i të gjithë njerëzve. Në sa të pagëzuar, Kisha për ne është një familje, një shtëpi, ku jemi të shërbyer, të ushqyer, të dashur, të pranuar, të ngushëlluar, të pastruar, të udhëzuar…!

Ndërsa në sa të krezmuar, Kisha bëhet për ne një fushë veprimi, një marrje përgjegjësie: një bashkësie të cilën duhet animuar, duhet ruajtur, duhet rritur, duhet aktivuar, duhet dëshmuar… secili sipas mundësive dhe karizmave të veta. Shpirti Shenjt na bënë amtarë aktiv dhe përgjegjës të jetës dhe të misionit të Kishës dhe të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe më vëllazërore. Me Pagëzim “jemi veshur në Krishtin” (Gal 3, 27) që Ai të jetoi në ne. Me krezmim jemi bëtë të aftë ta rrezatojmë Jezu Krishtin, sikurse shenjtërit, nga të cilët dilte fuqia e Shpirtit Shenjt që u bënte të gjithëve.

 

Kush është Shpirti Shenjt?

Shpirti Shenjt është vetja e tretë hyjnore e së shejtnueshmes Trini. Shpirti Shenjt është Zot, është një Person, jo me fytyrë të dukshme. Jezusi, Shpirtin Shenjt, e krahason me frymën: “Era fryn në drejtim që do; ia dëgjon ushtimën e nuk e di nga vjen e kah shkon” (Gjn 3, 8). Shpirti është fryma që flet. Sikurse fryma ashtu edhe simbolet tjera të Shpirtit: uji, zjarri, ajri, fryma… nuk sjellin asnjë figurë (fytyrë) por paraqesin apo parafytyrojnë një prani të gjithmbarshme. Shpirti i Zotit është fuqi dhe dashuri gjithëpërfshirëse. Shpirti i Zotit është fryma e vrullshme që frynte mbi ujërat në ditën e parë të krijimit; është fryma që zbriti mbi virgjëreshën Mari në ditën e parë të shëlbimit: “Shpirti Shenjt do të zbres në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojnë me hijen e vetë” (Lk 1, 35).Shpirti i Zoti është fuqi dashurie sepse vetë Zoti është dashuri.

Në librin e Veprave të Apostujve, lexojmë kështu: “Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; Atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte më Të” (Vap 10, 38). Jezusi e komunikon këtë fuqi dashurie pandërprerë dhe pa pushuar të gjithë popullit: “Do ta kini fuqinë e Shpirt Shenjt” (Vap 1, 8). Dhe Shpirti do të prodhoj në të gjithë një vërshim karizmash dhe do të krijoi zemra besimtare në Zotin dhe të dashura ndaj të tjerëve. Kështu lexojmë në librin e Isaisë profet: “Unë do t’ju japë një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerrë nga mishi juaj zemrën e ngurtë e do t’ju japë një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëjë që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia” (Ez 36, 26-28). Ky ishte premtimit i Atit që realizohet saktësisht ditën e Rrëshajëve. Ja çka shkruajnë Veprat e Apostujve: “Kur erdhi dita e Rrëshajve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, sit ë ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend një nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin” (Vap 2, 1-4).

Shpirti Shenjt, i cili është dashuri, bashkon njerëzit në diversitetin e tyre, në ndryshueshmërinë e gjuhëve, e kulturave dhe të vendeve. Kisha është universale, katolike – e gjithëmbarshme: në të çdo kombësi është sikurse në shtëpinë e vetë dhe e dëgjon gjuhën e vetë. Fuqia e Shpirtit Shenjt i bënë të krishterët dëshmitarë të bindur dhe të sigurt. Këtë e kishte thënë edhe Jezusi: “Nuk do të jeni ju që flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flas nëpërmjet jush” (Mt 10, 20). “E Shpirti Shenjt – Mbrojtësi do t’ju mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë” (Gjn 14, 26). Shpirt Shenjt është premtimi i Atit dhe i Birit, Jezusi kishte thënë: “Edhe unë do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju” (Gjn 14, 16-17).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »