Ndikimi i madh i veprimeve të vogla

May 19 • Meditimi i ditës

19 maj 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Jak 5,1-6; Ps 48; Mk 9,41-50)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.
Reflektoj sesi gjithçka rreth meje,
ajri të cilin jam duke e marrë, i tërë trupi im,
është duke reflektuar praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse vetëm diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provojë t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mk 9, 41-50

41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë sepse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.”

42”Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë (në mua) të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.

43Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr ‑ në zjarr që s’fiket kurrë. [44]45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. [46]47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 48 Ku‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’

49 Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr.

50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe me njëri-tjetrin!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– “Qoftë edhe një gotë ujë…” Madje me veprimet e vogla kontribuojmë në formësimin e shoqërisë në të cilën jetojmë.

– A kam vërë ndonjëherë ndonjë pengesë, a kam bërë ndonjë skandal para “një nga më të vegjlit” që Jezusi fuqishëm i mbron? Dhe a jam një nga “më të vegjlit”, edhe të mbroj vetveten.

 

Bashkëbisedimi

 

Nganjëherë nuk di çfarë të them në takimin personal me ty.
Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.
E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbartur
dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar momentet e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

 

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që ma dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »