Çiftet bashkëshortore nuk janë pronë

May 20 • Meditimi i ditës

20 maj 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Jak 5,9-12; Ps 102; Mk 10,1-12)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

E marr me mend sesi gjithçka rreth meje,

ajri të cilin jam duke e marrë, i tërë trupi im,

është duke vibruar praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse vetëm diçka prej kësaj ekziston në mua,

a mund të provojë t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.

Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.

Ke shëruar të sëmurët, ke ngjallur të vdekurit; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 10, 1-12

 

1 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Judesë (dhe) në anën përtej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon. 2 Atëherë (iu afruan farisenjtë) e, për ta sprovuar, e pyetën:

“A ka leje burri ta lëshojë gruan?”

3 Ai u përgjigj:

“Çka ju urdhëroi Moisiu?”

4 Ata i përgjigjën:

“Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e divorcit e të lëshohet. ’“

5 Jezusi u tha:

“Atë rregullore Moisiu e shkroi për ju për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Këndej pra, nuk janë më dy, ‑ por një trup i vetëm. 9Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!”

10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha:

“Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi e vendos idealin e martesës. Na sjell në mend se çfarë është dhe si ajo duhet të jetë, ndoshta edhe jo me fajin tonë, mund të ndodhë që mos ta jetojmë. Hyji është gjithmonë i pranishëm në mesin e çifteve bashkëshortore përkundër dobësive njerëzore për shkak të të cilave edhe ndahen.

– Jezusi dënon ngurtësinë e zemrës që çon në divorc. Të fejuarit dhe çiftet bashkëshortore nuk guxojnë ta konsiderojnë njëri-tjetrin si pronë të pavlefshme që mund të hidhet tej. Janë të ftuar, në vend të kësaj, për të jetuar një jetë respekti dhe miqësie të ndërsjellë.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »