I dashur si fëmijë

May 21 • Meditimi i ditës

21 maj 2016 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Jak 5,13-20; Ps 140, Mk 10,13-16)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.
Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurët, ke ngjallur të vdekurit; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 10, 13-16

 

13Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 14 Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Edhe unë jam si fëmijë në prehrin e Jezusit. Dëshiroj t`ia besoj jetën time, dëshiroj që të jetë pranë meje në gëzime dhe hidhërime. E lus për këtë dhe lus për të gjithë ata që janë të lidhur ngushtë me mua.

– Jezusi dëshiron të jetë afër nesh sikurse edhe ne dëshirojmë miqësi të afërt me të. Fëmija që është në mua le të besojë, të kërkojë dhe thjesht të kënaqet në të vërtetën se është i dashur.

 

Bashkëbisedimi

 

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë, o Zot,

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllje

 

Faleminderit, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »