Trinia e shenjtë – Dashuria në marrëdhënie

May 21 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e Trinisë së shenjtë (C)

Leximi i parë Fu 8, 22-31

Lexim prej Librit të Fjalëve të Urta

Urtia e Zotit flet: “Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta,

që në fillim, para se të krijonte ndonjë gjë.

Kam qenë shuguruar prej amshimit,

që në kohët më të lashta, para se të krijohej toka.

Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur,

ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta,

para se të viheshin themelet e maleve,

para se të ishin kodrat, unë linda.

Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat,

as elementet e para të pluhurit të tokës.

Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë,

kur hoqi një rreth, ligj të sigurt, rrethues të humnerës,

kur në lartësi i dendi retë,

kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës

kur ia vuri kufirin rrethues detit

dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet,

kur tokës ia qiti themelet,

unë isha pranë si kryemjeshtër:

kënaqësia e tij për çdo ditë,

duke luajtur pranë tij gjithë kohën,

duke luajtur mbi globin tokësor:

kënaqja ime është të jem me bijtë e njerëzve.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi  8

Ref: O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt!

———————————————————————————————————-

Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu,

hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,

biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

——————————————————–

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,

e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.

——————————————————-

Gjithçka vure nën këmbët e tija:

delet e kafshët të gjitha,

për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpëndët e ajrit dhe peshqit e detit,

të gjitha që përshkojnë udhët e detit!


 

Leximi i Dytë Rom 5, 1-5

Lexim prej Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve

Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:

Hyji që është, që ishte dhe që po vjen.

Aleluja

 

Ungjilli Gjn 16, 12-15

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet:

Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë

por tani s’mund t’i kuptoni.

E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑

Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.

Ai s’do të flasë prej vetvetes,

por do të flasë çka do të dëgjojë

dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.

Ai do të më lëvdojë,

sepse do të marrë prej simes

e do t’ju zbulojë juve.

Gjithçka ka Ati, është imja.

Prandaj edhe ju thashë:

‘Merr prej simes

dhe do t’ju zbulojë juve’.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Më kujtohet se si një herë në tren, u zhvillua një bisedë mes dy udhëtarëve, njëri prej të cilëve qëlloi një i krishterë ‘i thekur’ e tjetri besimtar mysliman. Biseda vërtitej rreth misterit të fesë së një Hyji të vetëm në tre persona. Me gjithë vullnetin e tij të mirë, i krishteri nuk po ia dilte ta bindte bashkëbiseduesin e vet se nuk kishte kurrfarë kundërshtie në atë fill të menduari që pajton numrat tre dhe një (një natyrë hyjnore – 3 veta) kur flitet për Hyjin që, – sipas tjetrit – duke qenë përsosmëri absolute s’ka si të jetë njëherazi shumësi: përsosmëria kërkon njësi, ndërkohë që shumësia është fryt i një bashkimi copëzash, pra mospërkryerje.

Duke më parë mua, ulur aty pranë tyre, prift dhe jezuit, ishte e pashmangshme të mos më bënin pjesë të bisedës së tyre. Thashë, menjëherë e pa i ardhur rrotull, se neve na është zbuluar ç’është më thellë në veten e Hyjit, që Ai është dashuri, dhe se dashuria prej natyre është burim bashkimi, ku ndryshueshmëria dhe njësia nuk i kundërvihen njëra-tjetrës.

Dashuria s’mundet veçse të dojë, prandaj Dashuria nënkupton aty për aty dy të Dashur: një që jep dashurinë e tjetri që e merr. Kështu, ne themi At e Bir, ku Ati s’mundet veçse ta dojë e të japë gjithë vetveten për të dashurin e vet, të Birin, i cili duke mos qenë asgjë më pak se Ati, i përgjigjet kësaj dashurie duke e dorëzuar krejt jetën e vet tek Ati.

Dashuria në Hyjin pajton në mënyrë të përkryer ndarjen dhe bashkimin, shumësinë dhe njësinë. Dhe ajo lidhje që mban të bashkuar Atin me Birin është aq reale sa të quhet Shpirt Shenjt, Vetje e tretë. Ati dhe Biri janë pole që nuk mund t’i ngatërrosh njëri me tjetrin dhe pikërisht për këtë arsye janë të tillë që i jepen realisht dhe tërësisht njëri-tjetrit, në Shpirtin Shenjt.

Kështu na shfaqet realiteti i thellë i dashurisë së vërtetë. Edhe aty ku ne shohim pengesa faqe dashurisë, dashuria vazhdon të dojë. Na është thënë se dashuria dhe sakrifica shkojnë dora-dorës, madje ta mendosh dashurinë pa sakrificë – thotë një i urtë indian, Tagore – s’është veçse një iluzion. Mirëpo, ajo çfarë na habit e mrekullon është fakti se kjo dashuri shfaqet pikërisht sepse i dhurohet në një masë të pazakontë njeriut nga Perëndia, bash këtij njeriu që dashurinë nuk e vë në themel të vlerave të veta, përkundrazi e mohon dhe e banalizon.

“Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në Të të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 16). Neve as që na e rrok mendja se pa dashuri të vërtetë, kemi marrë shtegun e vdekjes, çdo vlerë tjetër jashtë dashurie na shpie drejt kundërshtive, dënimit dhe kurrsesi drejt jetës: “Kush beson në Të nuk dënohet”. E në këtë prizëm, Ati dhe Biri janë aq të bashkuar sa Biri është i gatshëm t’i dorëzohet vdekjes për të na shpëtuar ne të gjithëve prej saj.

Nëse dashuria nuk ka natyrën e një lidhjeje të tillë hyjnore, për Jezusin Nazarenas gjithçka do të ishte një dështim absurd, e pakuptimtë dhe e kotë; por ama nëse kemi hirin të zbulojmë se pikërisht këtu qëndron thelbi i gjithçkaje, atëherë e kemi kuptuar se me të vërtetë dashuria ka fituar në Jezusin dhe ka fituar përgjithnjë. Nëse njeriu nuk beson në dashuri dhe nuk e mirëpret atë, jeta e tij është me të vërtetë në rrezik. Ja përse Hyji dashuri na zbulohet në një masë të pazakontë dhe na dhurohet me gjithë veten e vet, si dhuratë e Birit dhe e Shpirtit Shenjt, duke na vënë të gjithëve në rrethin e bashkimit trinitar.

Por ky zbulim sjell një sërë pasojash, të dish do me thënë të bëhesh i përgjegjshëm. Një mister kaq i ndritshëm e themeltar është i padukshëm për njeriun, por vjen e shfaqet nëse ne, edhe pse të ndryshëm mes nesh, bashkohemi si një gjë e vetme në sajë të dashurisë së ndërsjellë, e cila i bën ballë çdo pengese. Thotë Gjoni në letrën e tij të parë: “Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e Tij në ne është e përkryer” (1 Gj 4, 12).

Pra duke e mirëpritur misterin e Trinisë së Shenjtë, ne para së gjithash përmbushim çka më së shumti dëshirojmë, ta realizojmë plotësisht jetën tonë dhe të kemi paqe e mirësi, po ashtu i japim lavdi të pamasë Hyjit duke ua bërë të njohur të gjithë atyre që nuk besojnë për shkak se nuk dinë e nuk shohin. Ne jemi të thirrurit për të paraqitur fytyrën e vërtetë të Hyjit Dashuri, Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. Nëse rrimë të bashkuar, Hyji është mes nesh. Të rrimë pra së bashku, të vazhdojmë të duam gjithnjë, në familje, mes bashkëshortësh, mes bijsh dhe prindërish, në shoqëri, në punë, gjatë kohës së lirë. Jemi të thirrur për të dhënë dashuri e jo për të gjykuar e dënuar. Sigurisht, dashuri është edhe ta kritikosh vëllanë tënd, por kjo duhet bërë me dashuri dhe jo i rrëmbyer nga zemërimi dhe inati.

Nëse jemi bij të Hyjit, e në fakt të tillë jemi me anë të Pagëzimit, nuk mund të reshtim së dashuri, përtej gjithçkaje, pavarësisht mendimit ndryshe që kemi për partitë, për klasat shoqërore etj.

“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Dashuria bashkon të kundërtat, ndriçon marrëdhëniet njerëzore, ndihmon në përballimin e çdo lloj vetmie. Asnjë njeri nuk është ishull më vete: të gjithë gjendemi brenda bashkimit të Hyjit që është At, Bir dhe Shpirt Shenjt. (P. Armando Ceccarelli SJ)

 

LUTJA E BESIMTARËVE

Hyji kërkon që të mos mbetemi të mbyllur në vetvete, por gjithnjë të vihemi në marrëdhënie me Të dhe me të afërmin. Si të krishterë jemi të thirrur të jemi të vetëdijshëm se madhëria e këtyre relacioneve nuk do të harxhohet kurrë. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na shto dëshirën me t’njoftë!

1.  Bën që të gjithë besimtarët e krishterë të besojmë se Ti vërtetë na do nga amshimi, të lutemi

2. Bëjë që marrëdhënia jonë me Ty të bëhet model për të krijuar marrëdhënien me vëllezër dhe motra, të lutemi

3. O Zot, na aftëso që të arrijmë t’i kuptojmë e t’i sfidojmë vështirësitë e jetës dhe momentin e vdekjes, duke qenë të vetëdijshëm se heshtja e jote nuk është sinonim i mospranisë tënde, të lutemi

4. O Zot, na aftëso të dimë të ecim përherë në drejtim të njohjes dhe të kuptimit të Fjalës tënde, duke e kuptuar se kjo asnjëherë nuk është një arritje e jona, por përherë një dhuratë e jotja, të lutemi

O Atë, misteri yt është i thellë. Përmes Birit tënd Jezu Krishtit, dhe me animimin e Shpirtit Shenjt, Ti na thërret të vihemi në zbulimin e tij, e mbi të gjitha ta duami atë. Na ndihmo që këtë mision ta kryejmë me dinjitet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »