Kaloi në amshim Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Dioqezës së Sapës

May 22 • Kisha ndër Shqiptarë

Ipeshkvia e Sapës, përmes një komunikate publike ka bërë të njohur lajmin e hidhur për kalimin në amshim të bariut të Dioqezës së Sapës, Imzot Lucjan Avgustini.

Komunikata ka këtë përmbajte: Ipeshkvia e Sapës, me shumë dhimbje njofton se në orën 15:15 të datës 22.05.2016 në të kremten e Trinisë Shenjte, në Selinë e Ipeshkvisë, i rrethuar nga kleri i Tij i dashur dhe gjithë familjarët e tij ka kaluar në shtëpinë e Atit, bariu i saj Imzot Lucjan Avgustini.

Tingujt e Kambanave të Kishave në mbarë Dioqezën, u kanë lajmëruar besimtarëve kalimin në

Amshim të Ipeshkvit të tyre. 

Trupi do të vendoset në Kishën Katedrale Nënë Tereza në Vau-Dejës, që sonte në orën 20.00, ku do të lutemi për shpirtin e tij dhe do të bëhen homazhet. 

Të mërkurën me datë 25 maj 2016, në orën 10.00 do të kremtohet Mesha e Salikimit dhe pas Meshës trupi i tij do të prehet në kriptën e katedrales.

 

Pushoftë në Paqe!

 

——————————————————–

Kush ishte Imzot Lucjan Avgustini?

Sh. T. Imzot Lucjan Avgustini, lindi  me 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në Ferizaj, të mesmen në gjimnazin klasik në Suboticë, fakultetin teologjik në Zagreb, ku edhe është diplomuar në Teologji Morale.

Me 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit, nga Imzot Nikë Prela.

Me 10 shtator 1989 emërohet ndihmës për botime liturgjike në gjuhën shqipe dhe ushtron detyrën e sekretarit të Imzot Nikë Prelës. Në fillim të marsit 1991 vjen për herë të parë në Shqipëri, si i dërguar i ipeshkvit të Kosovës, Imzot Nikë Prela. Merr pjesë në hapjen e shtëpisë së parë të murgeshave të Nënës Terezë në Tiranë dhe pastaj në hapjen e Kishës Katedrale në Shkodër.

Në vitin 1992 emërohet drejtor i Caritas-it të Kosovës, institucion ky, i sapoformuar.

Në prill të vitit 1993 emërohet famullitar në Ferizaj.

Në vitin 1994, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Kishës në Shqipëri, ofrohet vullnetarisht për mbarështimin e shërbesës baritore në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Si fillim ka ushtruar detyrën e ndihmës famullitarit në Katedralen e Shkodrës ndërsa nga korriku i vitit 1995 emërohet famullitar i saj.

Në vitin 1997, me 24 maj, emërohet prej Atit të shenjtë, Shën Gjon Pali II, Kapelan i tij duke i dhënë titullin Monsinjor.

Në vitin 1998 nga Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra emërohet në detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të kësaj Dioqeze.

Në dhjetor të vitit 2006 emërohet Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës. Me dt 6 Janar të vitit 2007 shugurohet Ipeshkëv në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau-Dejës.

Gjatë viteve 2009 – 2012 ushtroi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Në vitin 2012 zgjidhet Nënkryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, detyrë të cilën e ka kryer deri në mbarim të shërbimit të tij. Në brendësi të Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, ka ushtruar edhe detyrën e Kryetarit të Komisionit për Ekumenizëm, të Komisionit për Kulturë dhe atë për Katekezë.

Kaloi në amshim, ditën e diell, në të kremten e Trinisë së Shenjtë, më 22 maj 2016, në selinë e Ipeshkvisë së tij në Vau i Dejes – Sapë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »