Trinia e Shenjtë – model për shoqërinë

May 22 • Meditimi i ditës

22 maj 2016 – E diel, TRINIA E SHENJTË, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Fu 8,22-31; Ps 8; Rom 5,1-5; Gjn 16,12-15)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time. Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella, Duke më nxitur butësisht drejt asaj që është e mirë. Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete? A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme? Nëse vetëm diçka prej kësaj ekziston në mua, a mund të provojë t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

  

Gjn 16, 12-15

 

12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë

por tani s’mund t’i kuptoni.

13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑

Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.

Ai s’do të flasë prej vetvetes,

por do të flasë çka të dëgjojë

dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.

14 Ai do të më lëvdojë,

sepse do të marrë prej simes

e do t’ju zbulojë juve.

15 Gjithçka ka Ati, është imja.

Prandaj edhe ju thashë:

‘Merr prej simes

dhe do t’ju zbulojë juve’.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Jezusi dëshiron të më fut në jetën e Zotit. Misteri i Trinisë së Shenjtë më përkujton që Zoti më mban në jetë [Ati], më shpëton [Biri] dhe shenjtëron [Shpirti Shenjt].

– Jezusi e paraqet Trininë në kuptimin e marrëdhënieve hyjnore: ajo është një bashkësi dashurie dhe duhet të jetë model për të gjithë shoqërinë.

– Shën Injaci pat folur për Trininë si tri taste që e bëjnë harmoninë muzikore – secila i jep një kontribut të paçmuar tërësisë. Kjo mundet, por s`do të thotë patjetër, të na ndihmojë ta kuptojmë Trinitetin. E pra ajo që është shumë më e rëndësishme është se tre personat hyjnorë na kuptojnë dhe na duan!

  

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »