Ballafaqim zemërgjerë me përgjegjësitë vetjake

May 24 • Meditimi i ditës

24 maj 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1 Pjt 1,10-16; Ps 97; Mk 10,28-31)

 

Prania e Hyjit

 

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mk 10,28-31

 

28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:

“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi nuk kërkon që t`i lëmë pas dore detyrat/përgjegjësitë tona. Nëse e bëjmë këtë, atëherë nuk ndihmojmë ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Ai na fton të kultivojmë lirinë dhe bujarinë e shpirtit që bazohen në një të mirë më të madhe. Më me liri e ndjekim kur kujdesemi për të mirën e tjetrit dhe jemi tashmë pjesë e Mbretërisë.

– A mund të kërkoj prej Jezusit të më ndihmojë që të ballafaqohem guximshëm dhe me zemërgjerësi me detyrat/përgjegjësitë prej të cilave ndoshta largohem?

  

Bashkëbisedimi

 

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »