Mbahen homazhet për Imzot Lucjan Avgustinin, Ipeshkëv i Sapës

May 24 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Violeta Marashi

 

“Besimtarëve të tu, o Zot, jeta nuk u merret por u shndërrohet dhe, ndërsa u shkatërrohet kjo banesë tokësore, u çelet në qiell një banesë e amshuar”. (Prefacioni për të Vdekur I)

Janë këto fjalët e Prefacionit për të vdekur, që na japin ngushëllim në këto ditë pikëllimi, dhe si besimtarë të Krishtit Zot na bëjnë më të fortë për të përballuar humbjen e bariut të dashur me fe dhe besim.

Që prej mbrëmjes së datës 22 maj 2016, Ipeshkvia e Sapes vazhdon te jete nen klimen e lutjes se pershpirtshme dhe homazheve per Bariun e saj, Imzot Lucjan Avgustinin, i cili kaloi në amshim të dielen e Trinisë Shenjte, në moshën 53 vjeçare. Nga momenti i marrjes së lajmit të hidhur, e gjithë hierarkia e kishës në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi i është bashkuar klerit dioqezan të Sapës dhe qëndrojnë afër kësaj dioqeze dhe familjarëve të ipeshkvit të ndjerë, duke bashkëndarë dhimbjen.

Janë të shumtë besimtarë, qytetarë të tjerë të besimeve të ndryshme fetare, autoritete të larta civile, dhe diplomatë që drejtohen drejt Katedrales “Nënë Tereza” në Vau-Dejës, për të bërë homazhet e fundit pranë trupit të Ipeshkvit të Sapës.

Si nga ana e besimtarëve ashtu edhe e meshtarëve dhe rregulltareve homazhet janë shoqëruar me lutje dhe uratë për shpirtin e tij.  Lutjet kryesore janë ato të mëngjesit në orën 8.00; Kremtimi i Meshës Shenjte në orën 18.00 dhe lutja e Mbremjes në orën 20.00. Në shumicën e rasteve pjesëmarrësit kanë shfaqur edhe lot duke shpreh pikëllim të thellë për humbjen e parakohshme të bariut të kësaj grigje.

Shumë prej autoriteteve të larta shtetërore nëpërmjet mesazheve të tyre, kanë shprehë edhe ngushëllimet e rastit për ndarjen nga jeta të parakohshme për ipeshkvin e Sapës dhe Nënkryetarin e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Lucjan Avgustinin. Përmendim këtu mesazhin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në të cilin thuhet:  “Me keqardhje të parrëfyeshme dhe dhimbje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut të shtrenjtë, klerikut të shquar, e bariut të dedikuar shpirtëror, i cili gjithë jetën dhe shërbimin e tij fetar ia kushtoi dedikimit ndaj Zotit dhe përkujdesjes për grigjën e besimtarëve në trojet shqiptare dhe kudo tjetër e thërriste detyra e shenjtë”, shkruan Presidenti në mesharin e tij.

“Me largimin e parakohshëm nga kjo jetë, Kishës Katolike në përgjithësi, dhe në veçanti, Konferencës Ipeshvnore të Shqipërisë do t’i mungojë së tepërmi ky prelat i devotshëm, dhe personalitet mbresëlënës i shqiptarisë, i cili duke ndjekur shembullin dhe veprën e Nënë Terezës, la gjurmët e veta të palshlyeshme bamirëse në Kosovë e në Shqipëri. I përjetshëm qoftë kujtimi i Imzot Avgustinit dhe shpirti i tij i pastë dritë!”, nënvizohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Kujtojmë se Mesha e Salikimit do të kremtohet të mërkurën me 25 maj në orën 10.00 në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës, e cila do të udhëhiqet nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra.

[wonderplugin_gallery id=”2″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »