Midis fantazisë dhe realitetit

May 25 • Meditimi i ditës

25 maj 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1 Pjt 1,18-25; Ps 147; Mk 10,32-45)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment
dhe mendoj për praninë gjallëruese dhe jetëdhënëse
në çdo pjesë të trupit tim, në të gjitha gjërat rreth meje,
në tërë jetën time.

 

Liria

 

O Hyj, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë jetë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit në jetë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur se Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.
Si ishte dita e djeshme? Si jam duke e ndier veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 10, 32-45

 

32 Ishin në udhëtim e po ngjiteshin në Jerusalem. Jezusi u printe. Nxënësit çuditeshin, por e ndiqnin edhe pse me frikë. Jezusi rishtas i mblodhi rreth vetes të Dymbëdhjetët e filloi t’u tregojë se çka do t’i ndodhë:

33 “Qe se po ngjitemi në Jerusalem e Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do ta lëshojnë në duar të paganëve. 34 Do ta vënë në lojë, do ta pështyjnë, do ta frushkullojnë e do ta vrasin. Por ai, pas tri ditësh, do të ngjallet.”

35 Atëherë Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë:

“Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.”

36 “Çka dëshironi ‑ u tha Jezusi ‑ të bëj për ju?”

37 Ata i thanë:

“Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

38 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”

39 “Jemi të zotët!” ‑ iu përgjigjën ata.

Jezusi vijoi:

“Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. 40 Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time ‑ kjo nuk është në pushtetin tim ta jap ‑ kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”

41 Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan me Jakobin e në Gjonin. 42 Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha:

“Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. 43 Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 44 dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, 45sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

 

– “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi.” Jam i/e befasuar nga ky fjalim. Je përpjekur t`i përgatitësh miqtë për pësimin dhe vdekjen tënde, o Jezus, që e parashihje. Por a të kanë dëgjuar? Jakobi dhe Gjoni nuk ishin në gjendje të dëgjonin as ta imagjinonin fatin për të cilin ishe duke folur prandaj merreshin me fantazitë e tyre mbi Mbretërinë, ku ata do të rrinin mbi fron

– Fantazitë e mia janë nganjëherë të njëjta: kënaqësi afatshkurtra në jetën time, duke harruar thirrjen tënde, o Zot. Vetëm ti e di se a mund ta pi gotën që ti e pi. Por në qoftë se do të ma ofrosh, do të përpiqem ta dalloj se prej nga vjen ajo.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezu, po më flet nëpërmjet tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që të përgjigjem në këtë thirrje të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese
në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »