Si sillem me aftësitë e mia të kufizuara?

May 26 • Meditimi i ditës

26 maj 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 1 Pjt 2,2-5.9-12; Ps 99; Mk 10,46-53)

 

Prania e Hyjit

 

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Zoti gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.

Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.

Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.

Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 10,46-52

 

46 E arritën në Jerihon. Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. 47 Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtiste:

“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

48 Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort:

“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

49 Jezusi zuri vend e tha:

“Thirreni!”

Ata i bënë zë të verbërit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” 50I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. 51Jezusi e pyeti:

“Çka dëshiron të bëj për ty?”

“Rabbuni! Që të shoh!” ‑ u përgjigj i verbëri.

52 Jezusi i tha:

“Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!”

53 Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit.

 

 Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Jezusi e pranon se pikërisht besimi i Bartolemeut ka bërë që ky të shërohet. Besimi në Jezusin i jep atij një jetë krejt të re – bëhet një dishepull i lumtur.

Çfarë ndryshimi bën besimi im në jetën time?

– Njerëzit që jetojnë me aftësi të kufizuara, me mungesa të tilla si verbëria, shpesh shfaqin guxim të madh, kanë shumë ide dhe karakter të fortë. A i çmoj me të vërtetë aftësitë dhe dhuntitë e tjera natyrore që m`i ka dhënë Zoti? A jam mirënjohës/e për këto dhunti të mrekullueshme? Dhe a i kërkoj me përvujtëri Zotit të më ndihmojë që të jetoj normalisht me aftësi të kufizuara, mungesa, dobësi dhe kufizime të mia?

 

Bashkëbisedimi

 

Çka po ndodh në mua kur lus, meditoj?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje

dhe ia tregoj të gjitha ashtu siç i përjetoj.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »