Një pjesë e imja do të varroset me ty, e një pjesë e jotja do të jetojë në mua

May 27 • Kisha ndër Shqiptarë

Homelia e Imzot Dodë Gjergjit me rastin e Meshës së Salikimit dhe të varrimit të Imzot Lucjan Avgustinit

 Katedralja “Nënë Tereza”, Vau-Dejës, 25 maj 2016

Fort të dashur vëllezër në episkopat dhe në meshtari,

të dashur rregulltarë e rregulltare , seminaristë e kandidate,

të dashur motra dhe vëllezër në pagëzim,

shumë e nderuar Familje Avgustini,

e nderueme Dioqezë e Sapës, Ju grigjë e dashur.

 

Me ju dhe në emrin tuaj, dëshiroj ta falënderoj Presidentin e Shqipërisë, të gjitha autoritetet shtetërore e politike,  përfaqësuesit e komuniteteve fetare, pjesëtarët e korit diplomatik dhe gjithë miqtë e dashamirët, që sot bashkë me ne dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit, shumë të dashurit dhe të paharruarit,  Ipeshkvit të Sapës, pinjollit te familjes Avgustini, mikut tonë Imzot Lucjan Avgustinit, të cilin Zoti deshi ta thërras te vetja. Jam shumë i bindur që, derisa ne të trishtuar e pranojmë vullnesën e Zotit, ai gëzon në lumninë e qiellit dhe paqen e amshueme.

Nuk e di cilit prej jush nuk do t’i dridhej sot buza, po të detyrohet të flas për këtë njeri kaq të mrekullueshëm! E le ma mua, që më duhet t’i belbëzoj këto fjalë për mikun më të shtrenjtë të jetës sime, i cili na la mu atëherë kur pritnim më së shumti prej tij. I lutem Hyjit që të më forcoj me qëndresën e pathyeshme të fesë në Birin e Tij Jezu Krishtin, edhe pse zemra na u nda përgjysmë! Megjithatë, me fe do të dimë të përballojmë trishtimin e me uratë ta mundim dhimbjen.

Këndej, i lutem Zotit të më dhuroj duresën e Jobit, kur Zoti i mori gjithçka, atë qetësinë që i dha Davidit kur nuk ja dëgjoj uratën dhe ia mori të birin, guximin e Marisë për të qëndruar nën Kryqin e Krishtit të Kryqëzuar.  Po ashtu i lutem Hyjit, që të marrë një gacë nga zjarri i Shpirtit Shenjt të tij, e t’i djeg buzët e mija që t’ju flas goja ime në këtë moment kaq të dhimbshëm për gjithë ne, sidomos për Kishën në Shqipëri, për dioqezën e Sapës, për familjen Avgustini dhe për gjithë popullin tonë kudo.

Ne të gjithë shpresonim që ky do të jetë e ardhmja e Kishës në Shqipëri, shumëkush në mendimet e veta po edhe në përgjegjësitë që bartnin, thurnim plane se ku dhe si do të shfrytëzonim më mirë zellin e tij baritor, aftësitë e tij drejtuese dhe kapacitetet e tija shpirtërore. Në anën tjetër Kisha e Sapës, me xhelozi kujdesej që të tjerët të mos ja marrin bariun, të cilin e donin shumë. Por, ja që rrugët e Zotit qenkan të pashqyrtueshme, vullneti i tij i pandryshueshëm dhe planet e tija të pakuptueshme.

Hyji e paska përgatitë atë për amshim, vullneti i Tij paska qenë që ta ngrit në “fronin e shenjtërve” dhe në shoqërinë e engjëjve të vet.  Kurse,  si duket, neve të gjithëve, me këtë humbje ka dashtë t’na i shkund shpirtin”, që gjërat t’i shohim me dritën e fesë.

Kështu, në festën e Trinisë së Shenjë, Zoti përfundimisht e thirri te vetja duke e bashkuar atë me shenjtërit e Tij, me Nënë Terezën, që do të shenjtërohet dhe me martirët që do të lumnohen.

Në uratën time i thashë Zotit: po a pakë të dhamë, po a nuk e ka mbushë, kjo kishë, qiellin me martirë gjatë shekujve e sidomos gjatë diktaturës së fundit? Dhe në shpirt dëgjova një përgjigje: po ju më dhatë se i vratë, por këtë dua ta marr unë.

 

E si ngjau e gjithë kjo?

Para tre muajve u konstatua se Monsinjor Lucjani mund të ketë një sëmundje të rëndë. Pasi u dha ky alarm shqetësues u munduam të përdorim të gjitha mjetet, që njeriu ka në dispozicion, për ta shëruar, por shumë shpejtë u konstatua se sëmundja e tij i tejkalonte mundësitë tona njerëzore dhe arritjet e medicinës.  Mu në valën e përpjekjeve tona, ai me çdo kusht, deshi të lente spitalin dhe të kthehej në Dioqezë, që për herë të fundit të kremtonte Pashkët me priftërinjtë e Dioqezës së vet dhe me grigjën e tij.  Ishte i lumtur për këtë gjë, sepse thoshte ishin këto Pashkët më të bukura që i kam kremtuar ndonjëherë.

Pas Pashkëve, përsëri u angazhuam t’ia zgjatnim sado pak jetën. Por mjerisht, mjekësia përsëri u dorëzua para sëmundjes së tij. Në këtë situatë, u deshtë që të marrim vendimin më të dhimbshmin, që ta kthejmë në Dioqezë, në mënyrë që të mos lëngojë nëpër spitalet e botës, por nëse duhej që të vdes, atëherë bariut i duhet të vdes në “prehnin e kishës së vet”,  i rrethuar prej grigjës tij”. Në këtë rast, lëshuam kushtrimin që nëpërmjet lutjes t’ia kërkojmë Zotit një mrekulli.  Ju lutëm, në gjitha Kishat tona, po edhe nëpër shumë Kisha të vendeve të tjera të botës që e kanë njohur dhe ku kishte mbërri jehona e dhimbjes, klithma e dashurisë e zëri u uratës tonë.

Kurse Dioqeza e Sapës dhe shumë ata që e kanë dashur, të bashkuar në uratë nën dritaren e Bariut, kalonin nëpër luginën e trishtimit, me shpresë që Zoti do të dëgjonte lutjen e tyre dhe dhembjen për vuajtjet e bariut që lëngonte në shtratin e vdekjes.

Në festën e Trinisë së Shenjtë,  rreth orës tre, në praninë e familjes së gjakut dhe asaj të shpirtit, Hyji që e kishte thirr në Jetë, Krishti që e kishte thirr në meshtarinë e Tij, Shpirti Shenjt që e ka Shuguruar tri herë, në pagëzim, në meshtari dhe episkopat, si Trini e Shenjtë, me një za trinitar,  përfundimisht  vendosi ta thirr  shpirtin e tij te vetja. Neve na mbeti vetëm trupi i tij, të cilën pas kësaj meshe drite, për shpirtin e Monsinjorit tonë të dashur, do ta varrosim e do t’ia dhurojmë tokës, që atje të pushoj në paqe, deri sa Ai, që rri në Fronin e gjithësisë t’i bëj të reja të gjitha gjërat dhe të fshijë çdo lot nga sytë tanë (Khs,. Zb 21,5b). Atëherë kur Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje, sepse gjithçka do të shndërrohet në të re. (Khs. Zb 21, 4).

Tani për tani mund të themi se “ne e pritnim shërimin, por ja tmerri”. U bëhet siç the ti, O Zot. Ashtu edhe le të jetë.

Ne me fe e me bindje e pranojmë vullnetin e Hyjit, që u shfaqë në Kishën e Krishtit, në personin e Imzot Lucjanit:

 

– E pranojmë si njerëz, që dinë të bahkëndajnë të mirën dhe të keqën, gëzimin dhe hidhërimin, vuajtjet dhe hiret.

– E pranojmë i shqiptarë, sepse gjithnjë kemi ditë ta kthejmë vajin në këngë, sepse shumë gjatë kemi vuajtur duke shpresuar dhe kemi shpresuar duke vuajtur, këndej edhe jemi gjallë.

– E sidomos e pranojmë këtë vullnet si besimtarë, të cilët besojnë se vdekja nuk është fjala e fundit, ajo është e fundit vetëm sa i përket mëkatit, po ja sa i përket Hyjit. Fjala e fundit e Hyjit është ringjallja dhe jeta. Mu ashtu sikur dëshmohet në pjesën e ungjillit që kemi lexuar kur Krishti na e thotë se Ai është ngjallja e vërteta dhe jeta, dhe kush beson në Të s’do të vdes kurrë. Ta lejojmë Krishtin Zot, që të na ngushëllojë edhe ne me të njëjtat fjalë feje që i ngushëllonte motrat e Lazrit. Sepse, për ne të krishterët, që vdekjen tonë e bashkojmë me atë të Krishti, të vdesësh do të thotë të shkosh i shoqëruar me të në amshim. Nuk ka, pra, tani kurrfarë dënimi, sepse Ligji i Shpirtit Shenjt që na jep jetën në Jezu Krishtin, na çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. (Khs. Rom 1,1-2). Këndej, me Shën Palin mund të dëshmoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne(Khs. Rom 1,18), në saje të Atij që na ka dashur. (Khs. Ron 8,37b)

 

Fort të dashur,

më lejoni t’iu them edhe një fjalë Kishës së Sapës, familjes Avgustini, dhe mikut tim të jetës që gjithnjë e kam quajtur “zemo”.

 

Kishë e Sapës: vazhdo të bashkohesh në lutje dhe bëhu e fortë, sepse në kohet e fundit ju jeni përballë me dhimbje të shpeshta; njëherë Zoti e mori Motër Marizën, Don Antonin, pastaj Don Gencin e tani po u merr Bariun. Por ju do të dini të qëndroni të pa luhatur në fe. Të pa luhatur, mu si Jobi. Ju deri tani jeni lut për Ipeshkvin tuaj, tani mundeni lirisht t’i luteni atij, që të ndërmjetësojë për ju. Ju s’do ta keni ma Ipeshkëv Lucjanin, por do ta keni mësimin, dëshminë dhe shembullin që ju ka lanë për trashëgimi.

E për ne të gjithë që e kemi dashur dhe e kemi njohur, le t’ia plotësojmë dëshirën e zemrës tij sikur e ka përsëritë shpeshherë: të realizohet një pajtim i gjithëmbarshëm, që të pajtohen të gjithë dhe të pajtohen deri në fund. Po edhe atë porosi që ju la për Pashkë: Done shumë njëri-tjetrin!

Familje e dashur Avgustini: Ju motra dhe vëllezër të Monsinjorit tonë të dashur, e di që e keni zemrën e thyme dhe që, tani me vdekjen e ma të mirit ndër ju, jeni të tronditur dhe të mërzitur shumë, por Zotin, dhe uratën e gjithë këtyre njerëzve e paçi në ndihmë në këtë sprovë të madhe për ju.

Ju ia keni dhurua Zotit një vëlla, një axhë, një dajë. Ai jetën e tij duke ja kushtuar Zotit, ju dhurojë gjithë ngushëllimin edhe këtyre besimtarëve. Ju duhet të ngushëlloheni me këtë dashuri, që këta njerëz e shprehin për vëllanë tuaj. Ju do të thoni po, po, por shumë i ri. Jo, ai nuk është i ri, por i pjekun në vullnetin e Zotit. Ai ka jetuar plot njëzet vjet ma shumë se Krishti. Ju, na keni dhurua një vëlla, ai sot po ju dhuron një Kishë!

Shpeshherë gjatë këtyre ditëve më keni thanë: tani të kemi vetëm ty! Po, do të më kemi. Por, mos pritni të bëhem Lucjan. Më leni të jam Dodë. Sepse do t’ju mjafton për ngushëllimin tuaj.

 

Vëlla i dashur,

çka të them ty, që më ke përcjellë gjatë gjitha ditëve të jetës sime, me duresë, dashuri dhe respekt. Këtu po ndahen rrugët tona. Ti ia mbërrite cakut, e mua më le prapë shtegtar, prandaj me duhet të them një fjalë falënderimi:

– Në radhë të parë, të falënderoj që ke ditë të jesh mik, mik në fe, mik në dashuri për kishën, mik në gatishmëri për sakrificë, mik në shërbim baritor, mik besnik i drejt dhe i paanshëm.

– Të falënderoj që ke qenë mik për dashuri ndaj popullit dhe kombit, mik në vizionin për të ardhmen.

– Të falënderoj, për dëshminë e mirë që e ke lanë kudo që ke shkuar, për qortimet që gjithnjë mi ke përsëritur dhe për gjurmën e fesë që ke lanë në mua dhe në zemrën e gjithë këtyre njerëzve që sot të rrethojnë.

– Të falënderoj që ishe ipeshkëv i popullit, i të varfërve, i të sëmurëve i të gjithë njerëzve në nevojë.

– Të falënderoj që gjithnjë më ke ndihmuar të shuaj zemërimin, më ke frenuare për të ngadalësuar ngutin, më ke ngushëlluar në dështime dhe më mbështetë në iniciativa.

– Të falënderoj që nuk u trondite kur të thash, se do të vdesësh, por prapë i fortë the, “nuk më dhimbsët vetja por kisha në Shqipëri. U baftë vullnesa e Zotit!”

Vëlla i dashur, mos të dhimbset as vetja as Kisha në Shqipëri, ndoshta deri sa lëngoje në shtrat, s’ke pas mundësi, por tani jam i sigurt që po e sheh që më shumë ke ungjillëzuar kur sëmundja të detyrojë të heshtës, se kur predikoje me zërin tënd kumbues. Janë më të shumtë ata që të kanë përjetuar në fe sot se sa kur ishe gjallë ndër ne. T’ kam lakmi për këtë dashuri kaq të madhe që je duke përjetuar sot, si nga qielli ashtu edhe nga toka.

Ti verbërisht me ke besuar, sepse gjithnjë të kam thanë të vërtetën. Këndej më duhet të rrëfej se pa të pyetur, ta dhashë Kryqin e Krahnorit tim, që ta marrsh me vete, dhe ta mora Kryqin e Krahnorit tënd. Krishti ka qenë ai që na ka miqësuar dhe e ka rritë miqësinë tonë, kështu më shkëmbimin e kryqave një pjesë e imja do të varroset me ty po edhe një pjesë e jotja do të jetojë në mua.

Tani pusho në paqe e lutu për ne të gjithë. Amen.

Titulli është i Redaksisë së Revistës DRITA

Shpërndaje

Comments are closed.

« »