Më thuaj çfarë ha, të them kush je

May 28 • LEXIMET E SË DIELËS

KORPI DHE GJAKU I KRISHTIT (C)

 

Leximi i parë (Zan 14, 18-20)

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë Melkizedeku, mbreti i Salemit, prifti i Hyjit tejet të Lartë i solli bukë dhe vërë, – e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të Lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i Lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duar të tua!” Abrami i dha të dhjetën e të gjithave.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 110 (109)

Ref: Ti, Krisht, je meshtar për amshim.

————————————————————-

I tha Zoti Zotit tim: “Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu shtrojë për këmbët e tua”!

—————————————————————

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni:

sundo mes armiqve të tu!

—————————————————————

Ty të përket më i larti pushtet

në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta

nga kraharori para Yllit të Dritës

unë të linda.

———————————————————–

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:

“Ti je prift për amshim

në mënyrën e Melkizedekut”.

 

Leximi i dytë (1 Kor 11, 23-26)

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve

Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit:

Nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.

Aleluja

 

Ungjilli (Lk 9, 11-17)

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë  Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë:

“Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.”

“Jepuni ju të hanë!” ‑ u tha ai.

Ata iu përgjigjën:

“Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!”

Bënë ashtu: i ulën të gjithë. 16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara.

Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Jetojmë në një botë me oferta nga më të ndryshmet. Ato na paraqiten joshëse, nganjëherë imponohen, duke supozuar se na duhen për jetën tonë. Shumë zëra e imazhe nëpër masmedia bashkëkohore na premtojnë se janë në gjendje të na shuajnë etjen, urinë për një jetë të denjë njerëzore. Vetëm duhet blerë dhe konsumuar artikullin përkatës dhe kështu do të na sigurohet lumturia. Mjafton t`i kujtojmë programet ekonomike propagandistike, publicitetet ose reklamat nëpër masmedia për t`u bindur se sa të pranishme janë ato në jetën tonë dhe sa ndikim të madh janë duke luajtur te shumica e njerëzve. Madje ekzistojnë oferta të tilla që të zbukuruara me etiketa apo maska të ndryshme nxisin të zgjedhim vlera që vetëm në dukje janë të tilla.

Prej çka jetojmë në të vërtetë? Ç`të mire përfitojmë në të vërtetë prej ofertave kaq të shumta? Nëse e marrim fushën e artikujve ushqimor ekzistojnë aq shumë rregulla dhe kontrolle se si duhet përdorur dhe konsumuar për të qenë të kënaqur, të lumtur. Mirëpo si qëndron puna me ushqimin e shpirtit?

Pikërisht programet ekonomike propagandistike llogarisin që çdo njeri e dëshiron kuptimin, lumturinë, kënaqësinë, lirinë dhe plotësinë e jetës. Ne njerëzit jemi të hapur për gjëra të mëdha. Këtu ndërhyn bota e konsumit me propagandat e tyre duke na u paraqitur si një idil i përsosur që i plotëson të gjitha dëshirat. Njeriu reduktohet në një qenie që e arrin qëllimin e tij të lumtur të jetës vetëm nëse e zgjedh cigaren e mirëfilltë, mjetet optimale pastruese, jogurtin më të mirë, veshjet më moderne dhe veturën me formën dhe funksionet e preferuara. Dhe ç`ndodh? Ne ulemi në veturën e blerë, me veshjet më moderne, të pastra dhe e pimë duhanin e preferuar, dhe vetëm pas kësaj na çelen sytë: plotësia që e kemi synuar ende nuk qenka arritur. Ne ndiejmë ende mungesën e saj. Atëherë e kuptojmë se njeriu paska edhe nevoja më të mëdha se konsumimi i gjërave materiale. Njeriu paska uri, dëshira për gjëra edhe më të thella, gjegjësisht për ushqimin e shpirtit.

Me fjalë të tjera, ne kemi nevojë më shumë për marrëdhënie, për një partneritet të lumtur, për fëmijë të mirë-edukuar, për një rreth të madh miqsh… Pa njerëz në të cilët mund të kesh besim askush prej nesh nuk do të mund të jetonte. Nga marrëdhënie të shëndosha mund të nxjerrim fuqi dhe kuptim. Atje ku e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë fitojmë siguri për të qenë në gjendje për t`i përballuar edhe situatat e vështira.

Kuptimi, forca, siguria, mirëbesimi, aftësia për t`u lidhur me të tjerët – bashkësia, përgjegjësia, janë vetëm disa elemente të “artikullit ushqimor marrëdhënie”, ashtu të themi. Ç`ndodh nëse këtu diçka shkon keq, e dimë nga gazetat dhe nga mjediset tona, ndoshta edhe nga përvoja jonë personale. Atje ku jeta e përbashkët nuk kultivohet, kur prishet, ku njerëzit tanë të dashur vdesin, ku miqësitë shpërndahen, atëherë marrëdhëniet si pjesë e jetës sonë të përditshme, si “bukë e përditshme”, bëhen papritmas gjëra të çmueshme dhe e ndiejmë se sa shumë paskemi nevojë për njerëz të tjerë.

Ç`kanë të përbashkët këto marrëdhënie që i përmendem me ungjillin e sotëm, që flet për bukën e jetës? Ekziston Dikush që angazhohet me mish e me shpirt për njerëzit, për atë ushqim që i bën njerëzit vërtetë të lumtur: korpi i Krishtit. Diçka e paimagjinueshme për ata që shikojnë nga jashtë. Vetë dashuria njerëzore nuk është e parashikueshme, aq më pak mund të shpjegohet dashuria e Zotit që dhuron vetveten. Ajo është e parrokshme për mendjen njerëzore, mirëpo ajo ka një ndikim të madh. Sepse, edhe pse dashuria nuk është e dukshme, e kuptueshme, mbetet dashuria ajo që dy persona mund t`i japin njëri-tjetrit, që prindërit mund t`i japin fëmijëve të tyre, jo vetëm simbolikisht, por ajo bëhet një realitet jetëdhënës.

Po aq reale është dashuria me të cilën Jezu Krishti e dhuron vetveten në bukë për njerëzit. E pakuptueshme, madje për njerëzit që nuk e kanë përjetuar këtë dashuri, ose që nuk munden ose nuk duan t`i lëshohen asaj, është diçka skandaloze. Vetëm kur unë jam i gatshëm të pranoj këtë ofertë të Zotit dhe të lejoj të përfshihem në eksperimentin e (mirë)besimit, vetëm atëherë do të filloj të kuptoj se çkado të thotë buka e jetës që më ofron Jezu Krishti. Kjo sjell ndryshim në marrëdhëniet tona, në jetën tonë. Kush ushqehet me bukën e shuguruar, me Fjalën e Zotit, bëhet i aftë për të dhuruar vetveten, për të jetuar me të tjerët, për të shijuar plotësinë e jetës. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

O Zot i mirë, ti dhuron jetën dhe e ushqen atë. Ne po t`i sjellim brengat tona dhe botën tonë të uritur para teje.

Të themi së bashku: Ti, o Zot, je ushqimi im

–  Po të lutemi për të gjithë ata, që nuk kanë bukë dhe ujë të shëndetshëm. Bëj që t`i ndajmë në mes veti pasuritë që na i ke dhuruar, që të gjithë njerëzit t`i shijojnë, të lutemi.

– Po të lutemi për të gjithë ata që kujdesen për të tjerët. Bëj që të gjejnë gëzimin në veprimet e tyre duke u bërë bukë e mirë për të tjerët, të lutemi.

– Po të lutemi për të gjithë ata, që kanë uri për marrëdhënie të kënaqshme. Aftësoji ata që të ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha dhe t`i kultivojnë ato, të lutemi.

–  Po të lutemi për të gjithë të vdekurit. Jepu atyre lidhjen intime dhe sigurinë, që Jezu Krishti ua premton të gjithë atyre që ushqehen me bukën qiellore, të lutemi.

Po të falënderojmë o Atë për Jezu Krishtin, që na dhurohet në këtë kremtim të shenjtë si bukë e jetës. Ty të qoftë nderi e lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »