Marrë-dhënie misterioze

May 29 • Meditimi i ditës

 29 maj 2016 – E diel, Korpi e Gjaku i Krishtit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 14,18-20; Ps 109; 1 Kor 11,23-26; Lk 9,11b-17)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse vetëm diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provojë t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.
Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 9, 11b-17

 

Ai i pranoi me njerëzi e u predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi.

12 Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë:

“Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.”

13 “Jepuni ju të hanë!” ‑ u tha ai.

Ata iu përgjigjën:

“Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!”

14 E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!”

15 Bënë ashtu: i ulën të gjithë. 16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara.

17 Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.

 

 Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Nënë Tereza pat thënë për Jezusin: “Ai na përdor ne për të qenë dashuria dhe mëshira e tij në botë, pavarësisht dobësive dhe brishtësisë sonë.”-

 Në këtë mrekulli Jezusi nuk prodhon ushqimin nga asgjëja. Ai merr atë pak çfarë kishin nxënësit dhe e shumëfishon një mijë herë. Nëse i vendos dhuratat e mia në shërbim të Jezusit, pa marrë parasysh se mendoj se sa pak kam, gjithçka bëhet e pakufizuar.

– Mrekullia e shumëzimit të bukës dhe peshkut ma kujton se Jezusi, gjithashtu, mund të sigurojë mbështetjen shpirtërore përtej pritjeve të mia. Ekziston një mospërputhje misterioze në mes të asaj që unë jap dhe asaj çfarë Zoti bën nga kjo.

 

 Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

Se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »