Aftësia për t’i njohur bekimet e Zotit

May 31 • Meditimi i ditës

31 maj 2016 – E martë, Vizita e Shën Marisë Virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë prishur, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

E lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet diçka.

 

Lk 1,39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim.45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Duke vështruar vizitën e Marisë bërë Elizabetës dhe mirëseardhjen e përzemërt që ia tregoi Elizabeta do të mendoj për bekimet në jetën time dhe nga kush vijnë të gjitha ato.

– Në lutje do t`ia paraqes Zotit të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar që të bëhem nxënës/e i/e tij. Në mënyrë të veçantë do t`i kujtoj të gjithë ata që e kanë nxitë buzëqeshjen në fytyrën time – do të falënderoj për ta në lutje.

– Elizabetës i është dashur të presë shumë që ta njohë plotësimin e premtimit të Zotit. Do të lus për durim dhe aftësi që t`i njoh bekimet e Zotit.

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »