Ta duash vetveten me dashurinë e Zotit

Jun 2 • Meditimi i ditës

2 qershor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

 

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mk 12, 28-34

 

28 Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti:

“Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”

32 Skribi u përgjigj:

“Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.”

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha:

“Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.”

Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

– Jezusi mëson se besnikëria ndaj riteve fetare siç e praktikonin në atë kohë udhëheqësit fetarë është më pak e rëndësishme, por më e rëndësishme është dashuria ndaj Hyjit dhe të afërmit. E pra ndonjëherë e kam më lehtë ta pranoj një praktikë fetare sesa të hyj në dialog me dikë që është i mërzitshëm ose i çuditshëm.

– Ta duash vetveten?! Pse? Sepse Zoti më do ashtu siç jam. Në të njëjtën kohë unë duhet të ndryshoj në mënyrë që tëbëhem i/e tillë siç dëshiron Zoti.

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia çeli zemrën time kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i vetëdijshëm se ai gjithmonë di ç` është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »