Në zemrën e Jezusit ka vend për mua

Jun 3 • Meditimi i ditës

3 qershor 2016 – E premte, ZEMRA E SHENJTË E JEZUSIT, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 34,11-16; Ps 22; Rom 5,5-11; Lk 15,3-7)

 

Prania e Hyjit

 

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

 

Ftoje Shpirtin Shenjt që të të ndihmojë të shikosh ditën me zemrën e Jezusit. Çfarë gëzimi ke gjetur sot? Ku e ke ndierdashurinë e Zotit? Çfarë ke bërë sot që zemra jote t`i përngjajë zemrës së Jezusit?

 

Ndërgjegjësimi

 

Vetëdijesohem që jam në praninë e Hyjit.

Do të kërkoj strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e pikëllimit.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 15, 3-7

 

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– E di mirë se si ndihet njeriu kur të jetë i humbur në shkretëtirë dhe gjehet përsëri! A besoj se kthimi im është me të vërtetë përbërës i rëndësishëm gëzimi hyjnor? Në Zemrën e Jezusit ka vend për mua!

– Cilat janë ato rrugë që më kanë çuar në shkretëtirë dhe si më ka shpëtuar Hyji? Do të mendoj në lidhje me këtë,dhe pastaj do ta falënderoj Shpëtimtarin tim.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »