Zemër e hapur dhe e gatshme për të mësuar

Jun 4 • Meditimi i ditës

4 qershor 2016 – E shtune, Zemra e Papërlyer e Shën Marisë Virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Is 61,9-11; Sam 2, 1.4-8; Lk 2,41-50)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

 

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem përmbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 2, 41-51

 

41 Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. 42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës. 43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. 44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. 45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjegjet e tij. 48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha:

“Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”

49 Ai iu përgjigj:

“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”

50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.

51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Në këtë takim ndjehet tensioni mes Marisë, e cila është e shqetësuar, dhe Jezusit, i cili i thotë që të mos shqetësohet, se është rritur mjaft për t’u kujdesur për veten e vet. Zemra e Nënës është e zgjuar dhe e ndjeshme, e mbushur me kujdes dhe dashuri. Maria ende nuk i kupton të gjitha se çfarë po ndodh me Jezusin, por zemra e saj është e hapur dhe e gatshme për të mësuar.

– O Zot, më jep një zemër të hapur dhe të gatshme për të mësuar si zemra e Marisë. Po të lus edhe për të gjithë prindërit që shkojnë në ekstreme duke i mbajtur fëmijët e tyre “nën kambanë qelqi”, dhe për të gjithë fëmijët në zhvillim që dëshirojnë me padurim të bëhen shpejt e shpejt të rritur.

  

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »