Dhembshuria ringjall

Jun 4 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela X gjatë vitit C

 

Leximi i parë (1 Mbr 17, 17-24) 

Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve

Në atë kohë u sëmur djali i zonjës së shtëpisë. Sëmundja qe shumë e rëndë saqë në të s’mbeti më frymë. Atëherë ajo i tha Elisë: “Ç’kam unë me ty, o njeriu i Hyjit?! Erdhe tek unë që të përkujtohen mëkatet e mia për të ma vrarë djalin”! Por ai i tha: “Ma jep djalin tënd”! dhe e mori prej prehrit të saj, e çoi në dhomën ku banonte ai dhe e vuri mbi shtratin e vet. Atëherë e thirri Zotin në ndihmë e tha: “O Zot, Hyji im! Vallë a do ta pikëllosh deri edhe gruan e ve, tek e cila unë po banoj si i huaj i humbur, saqë bëre t’i vdesë djali”? 
Atëherë u shtri tri herë mbi djalin, e thirri ndihmën e Zotit e tha: “O Zot, Hyji im, bëj, po të lutem, të kthehet shpirti i këtij djali në të”! Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë, u kthye shpirti në djalin dhe ai u ringjall. Atëherë Elia e mori djalin, e zbriti prej dhomës së sipërme poshtë në shtëpi, ia dha nënës së fëmijës e tha: “Ja, djali yt jeton”! Gruaja i tha Elisë: “Tani po e di se je njeri i Hyjit dhe se fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë”. 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 30 (29)

Ref: Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

—————————————————–

Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, 
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
—————————————————–
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, 
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, 
e mëngjesi plot hare!
—————————————————–
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, 
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle, 
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!
—————————————————–

 

Leximi i dytë (Gal 1, 11-19)

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim. 1
Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë – unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. 

Fjala e Zotit

 

Ungjilli (Lk 7, 11-17)

Leximi i Ungjillit të shenjët sipas Lukës 

Në atë kohë Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit. Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur – djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha: “Mos qaj”! U afrua, preku vigun – ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha: “Djalosh, ty po të them: çohu!”

I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës. Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë: “Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!” Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.  

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Jezusi takon gruan e ve, e cila duhej mbartur në varr djalin e saj të vetëm. Kjo grua përveç se ishte e rënduar nga vdekja e djalit të saj të vetëm, duhej mbartur edhe një barrë tjetër: ishte e ve. Humbja e djalit të saj të vetëm do të thoshte atëbotë që tani e tutje ajo duhej të mbështetej në shtagën prej lypsari. Palestina ishte një vend i varfër. Shpesh nuk kishte as punë të mjaftueshme për njerëz që kishin për të mbajtur familjen. Ndoshta mund të gjendej ndonjë njeri i mirë që herë pas here do t`i jepte punë kësaj gruaje për të punuar si shërbëtore, por kryesisht të vejat ishin të ekspozuar shumë problemeve – sidomos në moshën e saj.

Pra, kjo grua jo vetëm që po e çonte fëmijën e vet në varr, gjë që është mjaft e rëndë – ajo duhet të varroste bashkë me të, edhe të gjitha shpresat e veta për një të ardhme më të mirë, të gjitha shpresat për pak më shumë lumturi në jetë. Kështu që në kortezhin e përmortshëm sikur po mbartte në varr edhe vetveten.

Jezusi e shikoi gruan. Ungjilli thotë se ai pati dhembshuri për të. Para syve të Jezusit ndodhet i gjithë fati i kësaj gruaje. Nuk ishte faji i saj që ishte e prekur nga goditjet e jetës; ajo bën pjesë në mesin e më të varfërve: së pari humb bashkëshortin, – gjë që do të thotë që si e ve me një fëmijë duhet të depërtojë në jetë – me vdekjen e të birit të vet vjen përfundimisht kolapsi i plotë i çdo shprese se do të vijë një kohë kur gjërat kanë për t`u përmirësuar.

Jezusi qëndron pranë saj. Të gjithë janë të etur për të dëgjuar se çfarë do të ndodhë tani. Zoti bashkëndjen me të. Dhembshuria që vjen nga Jezusi, është më shumë se një dhembshuri e thjeshtë njerëzor. Te tronditja njerëzore e Jezusit është i pranishëm edhe Ati, Zotëruesi i qiellit dhe i tokës. Në Jezusin, Mesinë hyjnor, Hyji kujdeset për vejushat dhe jetimët. Ata janë nën mbrojtjen e tij të veçantë. Jezusi është zbatuesi i vullnetit hyjnor. Ashtu si Ati që është i mëshirshëm, ashtu edhe Jezusi ka mëshirë për njerëzit, që askush tjetër nuk mund t`iu ndihmojë, përveç të vetmit Zot.

Dhe të gjithë ata që akoma kanë dyshime se Jezusi ka fuqinë hyjnore, Luka Ungjilltar thërret për të drejtuar vëmendjen e tyre drejt mënyrës se si Jezusi e ngriti djalin e vdekur. Jezusi i urdhëron: Çohu! Dhe ai menjëherë çohet prej të vdekurish. Kështu mund të flasë dhe të veprojë dikush që jo vetëm mban titullin “Zot”, por edhe është me të vërtetë Zoti.

Të pranishmit ishin të magjepsur. Ata çuditen, janë të gëzuar dhe të prekur thellë. Ata e kuptojnë se nuk janë vetëm dëshmitarë të një mrekullie të jashtëzakonshme, por u është lejuar të takohen me atë në të cilin Hyji i realizon planet e veta.

Jezusi i drejtohet nënës duke i thënë: “Mos qaj!” Këto janë fjalë të drejtuara kryesisht gruas që ishte plot pikëllim dhe nuk kishte asnjë shpresë. Ne guxojmë t`i zgjerojmë këto fjalë si program të Jezusit, për të parë në to mesazhin themelor të tij drejtuar popullit: Mos qaj më kur jam unë i pranishëm. Unë e shoh ankthin, pikëllimin tënd. Unë s`jam indiferent dhe s`kaloj pranë teje pa ndjenja, pa dhembshuri.

Mrekullitë u ndodhin kryesisht atyre, të cilëve përndryshe askush nuk mund t`iu ndihmojë, – të cilët janë të përjashtuar për shkak të sëmundjes, të tillë si të gërbulurit, – që janë të prekur nga forcat e këqija, – që njerëzit për shkak të besimit të tyre i shmangin dhe shtypin, siç ishin Samaritanët apo paganët, – të cilëve nuk ishte në rregull t`u tregohej keqardhje, dhembshuri, për shkak se ata kishin rënë në mëkat, ose e kishin të ndaluar për të hyrë në tempull, sepse në punën e tyre mund të kenë hyrë në kontakt me ndonjë të papastër.

Ku Jezusi është i pranishëm, nuk ka arsye për trishtim, nuk guxon më të ketë britma, vajtime. Ku është Jezusi njerëzit mësojnë mëshirën dhe drejtohen, çohen në këmbët e veta.

Dhembshuria dhe mëshira duhet t`i cilësojnë besimtarët. Ata nuk do të jetë në gjendje të ngjallin askënd nga të vdekurit; këtë mund ta bëjë vetëm Zoti. Por, aty ku janë varrosur aq shumë shpresa, ne si dishepuj të vërtetë të Jezusit do të mund të ndihmonim që ato të zgjohen: shpresën për pajtim, për shembull, që të tjerët në ndërkohë e kanë varrosur, sepse kanë mbetur kaq gjatë të papajtueshëm. Ne do të mund ta ringjallnim këtë shpresë po të lejonim të hyjë në zemrën tonë mëshira dhe shpirti i Jezusit; shpresat e varrosura të disave, se janë të vlefshëm. Ne do të mund ta ringjallnim këtë shpresë me anë të njohjes dhe vlerësimit-mirënjohjes sonë ndaj tyre; shpresën e varrosur, që njeriu mund të ndryshojë gjë në këtë botë. Ne mund të ringjallim këtë shpresë, në qoftë se e kemi vullnetin e mirë, mund të ndryshojmë shumë gjëra – jo gjithçka, por shumëçka.

Dhe ku ne me të vërtetë jemi të pafuqishëm, mbetet akoma ajo që bëri Elia: lutja e zjarrtë drejtuar Hyjit dhe Zotit Jezu Krisht. Atje ku ne jemi të pafuqishëm, ata kanë fuqi: për të ftuar të vdekurit në jetë, atë që është penguar-mpirë për ta ringjallur ; shpresave të varrosura për t’iu dhënë një të ardhme.

Dhëntë Zoti që në jetën tonë të jenë të dyja të pranishëm: edhe përpjekja jonë edhe lutja jonë me besim drejtuar Zotit. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE 

O Zot i mirë, jeta është një dhuratë e madhe, por shumë njerëz kanë ankth dhe halle të mëdha përballë saj.

Për ta po të lutemi: Ki mëshirë për ne, o Zot!

–       Për të gjithë ata që enden nëpër botë, për të gjetur kushte më të mira jetese, të lutemi.

–       Për të gjithë ata të cilët i kanë ditët e numëruara për shkak të sëmundjes, të lutemi.

–       Për të gjithë ata që janë të kufizuar e të penguar në mundësitë e tyre të jetës shkaktuar nga aksidente të ndryshme apo aftësi të kufizuara, të lutemi.

–       Për ata që janë të angazhuar për një kulturë jete, të lutemi.

–       Për ata që janë lënduar ose kanë vdekur duke ndihmuar të tjerë, të lutemi.

–       Për të gjithë ata që tashmë kanë ndërruar jetë, të lutemi.

Ti, o Zot, mund të krijosh jetë të re dhe ti mund të japësh jetën e pafund. Ty po ta besojmë jetën tonë dhe jetën e të dashurve tanë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti. Pater Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »