Jezusi, dhurues i jetës

Jun 5 • Meditimi i ditës

5 qershor 2016 – E diela 10-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Para se të fillosh tërheqjen tënde shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.

Qetësohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,

I cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.

 

Liria

 

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

 

Momentalisht në çfarë gjëje në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer me mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të begatshëm?

Nëse kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që në të ardhmen do t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 7,11-17

 

11 Pastaj Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit. 12Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur ‑ djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. 13 Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha:

“Mos qaj”

14 U afrua, preku vigun ‑ ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha:

“Djalosh, ty po të them: çohu!”

15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.

16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë:

“Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”

17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Edhe në këtë ngjarje vërtetohen fjalët: “Unë jam ringjallja dhe jeta” dhe “Erdha që ta kenë jetën”.

– Vdekja, sado që të na frikësojë, është përfundim natyror i të gjithë njerëzve dhe qysh në zanafillën tonë ajo është shkruar në natyrën tonë njerëzore dhe për këtë arsye është e pashmangshme. E pra më ngushëllon feja që në këtë përfundim më pret ti, o Zot, dhe që me ty veç filloj të jetoj.

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë fjalët lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiron paqen.

Më ruaj, o Zot. E di se je gjithmonë pranë meje.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »