I/e lumtur përkundër vuajtjeve?!

Jun 6 • Meditimi i ditës

6 qershor 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 17,1-6; Ps 120; Mt 5,1-12a)

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës që jam duke ndenjur pranë kompjuterit tim, Hyji është këtu.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Ndalem një moment dhe e marr me mend

praninë gjallëruese të Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë për të zgjedhur.

Më ndihmo që të zgjedh që të mund të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

Ata në burg, ata që nuk janë të lirë publikisht ta shprehin fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnesën tënde, në të gjitha gjërat që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso sesi të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e fletës së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje,për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këtoose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 5, 1-12

 

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që qajnë

sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë të butë

sepse do ta trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi

sepse do të ngihen!

7 Lum të mëshirshmit

sepse do të gjejnë mëshirë!

8 Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin.

9 Lum pajtuesit

sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Katër herë na është thënë se ata që duket se janë më të pafatët në këtë botë, në fakt Hyji ka për t`i bekuar. Hyji ka për ta ndrequr atë për shkak së cilës gjë ata kanë vuajtur dhe ka për t`iu sjellë drejtësinë. Kjo i kthen me kokë poshtë të gjitha vlerat e botës. A e kam përjetuar tashmë kthimin përmbys të vlerave të mia të kësaj bote?

– Ata që janë të varfër dhe vuajnë ndoshta kanë hequr dorë nga Hyji, sepse duket që Hyji kurrë nuk po iu përgjigjet lutjeve të tyre. Por Jezusi na siguron se Hyji kurrë s`ka hequr dorë prej tyre dhe se atyre u përket mbretëria e Hyjit. Kur unë vuaj duke u përpjekur për të vepruar drejt, mund t`i lejoj qetë Lajmit të Mirë të Lumnive të më ngushëllojnë.

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »