Ndriçimi i shpresës së fshehur brenda nesh

Jun 7 • Meditimi i ditës

7 qershor 2016– E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: 1 Mbr 17,7-16; Ps 4; Mt 5,13-16)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty, 
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 5, 13-16

 

13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit shenjtë:

 

– Pasuria, pushteti dhe kontrolli vlerësohen lartë në botën tonë. Por Jezusi na bën me dije gjërat e vogla për të na mësuar vlera më të thella. Kripa ruan ushqimin – në duart e një kuzhinieri të shkathët i jep shije ushqimit. Efekti i kripës mbetet i fshehur për ne. Si kripa e tokës mund të jemi efektivë, duke sjellë një shije të jetës për të tjerët.

– Drita nuk e ndryshon dhomën: ajo na ndihmon të shohim gjërat në të. Na ndihmon të vlerësojmë se çfarë është e mirë dhe e bukur, sikurse na ndihmon për të shmangur pengesa dhe gropa në të cilat mund të biem. Jemi fëmijë drite: Jezusi, Drita e botës, ndriçon jetën tonë (Gjn 8,12). Kjo dritë na ndihmon të shohim shpresën e fshehur të lavdisë që është brenda nesh, kështu që mund të gëzohemi edhe në errësirën e botës.

  

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më largon?

Ndërsa e imagjinoj Jezusin sesi është ulur apo qëndron pranë meje,

me mirëbesim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »