Arbëreshi që shpëtojë vegëzimin e traditës

Jun 10 • Kulturë, Recension

(Isak SHEMA, Josip V. RELA, Jeta dhe krijimtaria letrare, DRITA, Prishtinë, 2016, f. 399)

Nga Don Lush GJERGJI

Prof. Dr. Isak SHEMA është një ndër studiuesit e  vëmendshëm dhe të kujdesshëm të letërsisë shqipe, që krijohet dhe botohet në botën shqiptare, i cili me kompetencë dhe përpikëri shkencore, letrare, “ndërmjetëson” komunikimin mes krijuesve dhe lexuesve, si kritik i njohur letrar ndër ne. Ai vazhdon ecjen gjurmëve të të madhit Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, kultivuesit të spikatur të traditës dhe kulturës sonë të dikurshme dhe të sotme.

Vepra që po promovojmë sot,  Isak Shema, Josip V. Rela, Jeta dhe krijimtaria letrare, DRITA, 2016, f. 399, është një dhuratë e çmua për opinionin dhe lexuesit tanë shqiptarë kudo në botë, duke lehtësuar komunikimin dhe porosinë e tij për ne dhe pasardhësit tanë, sidomos në 120 vjetorin e lindjes së tij, si shkrimtari dhe krijuesi më i shquar i asaj kohe në “oazën” arbërore të Kroacisë.

Fushë-krijimtaria e Josip Relës është pothuaj gjithëpërfshirëse, në poezi, në prozë, sidomos në dramaturgji, si pjesë e vuajtjeve, pësimeve  dhe  përndjekjeve shekullore arbërore, që ishin për të frymëzim dhe brengosje e vazhdueshme. 

“Vatra” e vjetër, apo “gaca” e mbuluar me hi, që dukej se ishte fikur, po zgjohet, ngjallet dhe kallet, dhe pas shenjave të jetës, po intensifikohet dhe begatohet. Arbëreshët e Zarës që nga shpërngulja e tyre nga trojet e lashta të Krajës, Briskut, Shestanit, kuptohet, pas përndjekjeve dhe masakrimeve turko-otomane, u vendosen në vendbanimin Arbanasi, kroatisht, Arbëreshë, shqip, Borgo Erizzo, italisht, (1734), dhe prej atëherë e deri me sot kanë bërë përpjekje të vazhdueshme, me përkushtim, mos të them “titanike” dhe me fanatizëm,  për ruajtjen e identitetit dhe personalitetit bazik  arbëror .

Isak Shema, gjurmëve të Idriz Ajetit, Gani Lubotenit, Rexhep Qosjes dhe të tjerëve, ka vazhduar ndërtimin e urave të komunikimit mes Kosovës dhe Kroacisë, në veçanti Arbëreshëve të Zarës dhe Universitetit të Kosovës, me takime, vizita, ligjërata, simpoziume, akademi, për të dhënë një hov të ri këtij bashkëpunimi dhe vëllazërie gjithëshqiptare.

Në “Ditët Përkujtimore Nëna Tereze”  që janë tashmë tradicionale në Kroaci, Arbëreshët e Zarës janë etapë e rëndësishme për këtë komunikim kulturor dhe shpirtëror. Mesha, lutjet, këngët, kremtimet e përbashkëta fetare, kombëtare, mësimi i gjuhës shqipe në mesin e tyre, bashkëpunimi mes Universitetit të Zarës dhe Prishtinës, vizitat e niveleve të larta shkencore dhe universitare, prekin damarët e zemrës, zgjojnë ndjena, vulosin zemra, na bëjnë që të ndihemi dhe jemi mirë, një, të bashkuar dhe të vëllazëruar me Arbëreshët tanë.

Nderimin dhe falënderim tim e që përcjellë me urim, së pari  autorit dhe përpiluesin e kësaj vepre domethënëse,  Isak Shemen, si dhe përkushtimi i qëlluar dhe domethënës i këtij libri:

Esad Mekult, pionierit, paraardhësit të poezisë, krijimtarisë shqipe  në Kosovë, njeriut i cili hapi shtigje për krijuesit e mëvonshëm  në vitet e errëta të mungesës së lirisë  dhe demokracisë. Ai ishte nismëtari dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve, si dhe i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, pra, njeriu shumë i merituar për kulturën dhe krijimtarinë tonë.

Ramiz Kelmendit,  njeriu, gazetari, publicisti, veterani,  i cili pjesën e madhe të jetës ia ka kushtuar krijimtarisë, kulturës shqiptare dhe më se 60 vjet është bërë pjesë përbërëse e gjithë asaj çka flitet, mendohet, shkruhet dhe jetohet shqip, duke i dhënë kuptim, domethënie, shije, bukuri e mbi të gjitha duke e shquar atë me përkushtim dhe dashuri krijuese.

Si dhe Shtëpisë Botuese DRITA, përgjegjësit të saj, Don Fatmir Koliqit, që na kanë mundësuar këtë “sofër” të begatshme me vlera letrare dhe artistike dhe me porosi historike dhe aktuale.

(Fjala nga Promovimi në Panairin e librit Prishtina 2016, më 10 qershor 2016. Titulli është i Redaksisë)                                   

Shpërndaje

Comments are closed.

« »