Imzot Pjetër BOGDANI (1625-1689). Jeton në amshim, në Kishë dhe në Popullin tonë

Jun 11 • Kulturë

Nga Don Lush Gjergji

 

Jeta dhe vepra e Imzot Pjetër Bogdanit është pak e njohur ndër Shqiptarë, edhe më pak e studiuar dhe hulumtuar në mënyrë shkencore dhe arkivore. Dy  ndër studiuesit më të shquar janë tashmë të ndjerët,  Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjëll Sedaj, që një pjesë të madhe të jetës dhe studimeve ia kanë kushtuar Imzot Pjetër Bogdanit, jetës dhe veprës së tij madhore, nëpërmjet tij periudhës së errët dhe tejet të rrezikshme për popullin tonë në kohën e tij.

Këta dy studiues qysh në vitin 1989, me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, ishin pjesëmarrës të një Seminar shkencor në Bronx – New York, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, nën udhëheqjen e atëhershme të Don Rrok Mirditës, më vonë argjipeshkvit Tiranë-Durrës në Shqipëri. Ligjërues ishin figura të ndritura të kulturës shqiptare:

Atë Daniel GJEÇAJ (1913-2002), përgjegjës për diasporën shqiptare katolike në botë, studiues, gjuhëtar dhe shkrimtar.

Prof. Arshi PIPA (1920-1997), studiues, shkrimtar, publicist dhe kritik letrar.

Dr. Ibrahim RUGOVA (1944-2006), erudit i spikatur i Imzot Pjetër Bogdanit, kritik letrar, më vonë Presidenti historik i Kosovës.

Prof. Martin CAMAJ (1925-1992), albanolog, linguist, shkrimtar.

Dr. Engjëll SEDAJ (1943-2006), filolog, latinist, shkrimtar dhe publicist.

Punimet e këtij Seminari janë botuar në një libër me titull “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, Seminari për Imzot Pjetër Bogdanin, Fardham University, Bronx, NY, f. 220.

Punimi shkencor i Dr. Engjëll Sedaj me titull “Vepra e Pjetër Bogdanit nga aspekti i traditës kulturore kosovare”, f. 107-122, ishte një zbërthimi i mirëfilltë nga këndvështrimet e ndryshme, sidomos historike, gjuhësore, përmbajtësore, si dhe aktualiteti i figurës dhe shkrimeve të tija për kohën dhe rrethana tona.

Bashkëpunimi i Dr. Ibrahim Rugovës dhe Dr. Engjëll Sedaj ishte frytdhënës në shumë lëmë, sidomos rreth Imzot Pjetër Bogdanit, me dy botime kapitale: Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, 1, Rilindja, 1990, f. 561; Pjetër Bogdani, 2, DRITA, Prizren, 1997, f. 414, si transliterime, studime dhe përkthime të suksesshme dhe shkencore, që mundësojnë brezave  të ardhshme hulumtime të mëtejme.

Pa dëshmitë, letrat, relacionet e tij, si ipeshkëv i Shkodrës, administrator i argjipeshkvisë së Tivarit, argjipeshkëv i Shkupit, administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, pra, gati i tërë Mesdheut, ne do të dinim shumë pak për sfidat e ndryshme të asaj kohe, që nga rezistenca luftarake, feja e krishterë, gjuha, tradita, kultura, qytetërimi ynë. Kështu Imzot Pjetër Bogdanin mund ta njohim si student në tri qendra: në Ciprovac të Bullgarisë, në Kolegjin “Illiricum” të Loretos në Itali, dhe në Kolegjin “Propaganda Fide” në Romë. Ishte studiues i mirëfilltë, meshtar i zellshëm, ipeshkëv i kujdesshëm, luftëtar i guximshëm për lirinë e popullit Arbëror, doktor i dyfishtë, në filozofi dhe teologji që nga viti 1658, njohës dhe kultivues i gjuhës shqipe dhe traditës së krishterë.

Këtë aspekt e kishte trajtuar me sukses Dr. Ibrahim Rugova me titull “Historia shqiptare në veprën e Pjetër Bogdanit”, si figurë qendrore për njohjen e shekullit 17 nga shumë aspekte dhe rrethana, kur kemi rrezikuar edhe vetë ekzistencën tonë.

 Relacionet e Imzot Pjetër Bogdanit  shquhen nga vendet e ndryshme, me informata të sakta, përshkrime të dhimbshme dhe trishtuese të rrënimeve, djegëseve, vrasjeve dhe shpërnguljeve nga dhuna turko-otomane, përndjekja dhe rrezikimi i vazhdueshëm i qenies sonë kombëtare dhe fetare.

Përpos punës baritore, raportimeve dhe shkrimeve të relacioneve, studimeve historike, gjuhësore, biblike, astronomike, Imzot Pjetër Bogdani ishte edhe organizatori dhe frymëzuesi kryesor i luftës dhe rezistencës kundër-osmane me ushtrinë e Austrisë dhe vullnetarët e luftëtarët shqiptarë, afro 6000, që ishin bashkangjitur luftës për liri në trojet tona.

Mirëpo çdo gjë ndryshoi për të keq me sëmundjen e murtajës, e cila ia ndali hovin dhe ia mori jetën më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë, e disa kohë më parë edhe gjeneralin kryesor  austriak,  Enea Silvio Piccolominin.

Ai e kishte përshkruar vetveten “gati si lypës” dhe endacak në vazhdimësi, për dy arsye: sepse i kishin rrënuar kisha, katedrale, rezidenca, pothuaj gjithçka, por edhe për t’i njohur, vizituar dhe përkrahur të krishterët (1661).

Kryevepra e Imzot Pjetër Bogdanit mbetet “Çeta e Profetëve”  botuar në Padorë  në gjuhën shqipe dhe italishte,  së pari në vitin 1685, më vonë edhe në vitin 1691 dhe 1702, dëshmi që tregon për rëndësinë dhe ndikim e saj në kohë dhe hapësira arbërore.  Pa ndihmë dhe përkrahje të kardinalit Barberigos,  të Kishës katolike dhe Selisë Apostolike në Romë, vepra do të mbeste ndoshta vetëm në dorëshkrim, apo do të zhdukej fare, si ka ndodhë me shumë shkrime dhe autorë të asaj kohe. Titulli dhe qëllimi i botimit është profetik dhe tejet i qëlluar,   me dritën e Krishtit, kulturën e krishterë të luftohet terri, injoranca, robëria, besëtytnia dhe e keqja.

Këtë mision dhe dërgim Imzot Pjetër Bogdani  ia kishte  beson së pari Zotit, fesë së krishterë, pastaj librave dhe botimeve të karakterit fetarë dhe kulturor.

Tashmë është tejet e njohur oferta e mikpritjes së kardinalit Barbarigo ndaj Imzot Pjetër Bogdanit, që të rrinte pak në Padovë, të pushonte, ta shijonte botimin e “Çetës së Profetëve”, që e kishte shkruar  dhe punuar me vite. Fjala e Imzot Pjetër Bogdanit ishte: “Fati im është fati i Popullit tim!”, identifikim ky madhështor dhe ungjillor me klerin dhe popullin e krishterë të përndjekur dhe rrezikuar në çdo vend, është dëshmi e dashurisë së krishterë për grigjën e besuar, edhe më gjerë, për mbarë Popullin tonë.

Vdekja dhe varrosja – zhvarrosja e Imzot  Pjetër BOGDANIT:

Duke u tërhequr përfundimisht në Prizren (mendohet për Imzot Pjetër Bogdanin, vr. ime), Atdheu i tij së bashku me fort të përndritshmin zotëri Gjeneralin Piccolomini për të pushuar pak, u sëmua i Përndritshmi me infektim, dhe pasi dëshironte ta përcillte atë deri ne ofshamën e fundit, u infektua edhe ai me të njëjtën sëmundje të murtajës, dhe për pesë ditë ia dorëzoi shpirtin Zotit në Prishtinë më 6 dhjetor të këtij muaji, i paisur me të gjitha sakramentet dhe i përkujdesur nga atë Cofferi i Shoqërisë së Jezusit.

Kufoma e tij që varrosur në Xhaminë Perandorake “Imperia Moschea” të atij vendi e bërë Kishë e re apo rishtas me titullin e Shën Fran Ksaverit dhe me pjesëmarrje të shumicës së klerit të tij,  si dhe qe përcjell me nderime dhe dhembje  jo vetëm nga kleri i tij, por nga mbarë krishterimi për humbjen e Bariut të kujdesshëm, i cili në atë anë ka lënë shembull të mirë për t’u imituar…” (Oddete Marquet, Pjetër Bogdani, Letra dhe Dokumente nga Arkivim i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit, Mediumi Shqiptar, Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997, fq. 512-513). Khs. Luigi MARLEKAJ, Pietro Bogdani e  l’ Albania del suo tempo, Liantonio Editrice, Palo del Colle (BA), 1989, fq. 166- 167). Ai saktëson edhe më hollësisht vendin e varrosjes së Imzot Pjetër Bogdanit në Kishën e Shën Fran Ksaverit duke shënuar këtë: “në anën e djathtë të Elterit të Madh” (Po aty, fq. 166).

Për zhvarrosjen e Imzot Pjetër Bogdanit:

Shosh i Pultit, 20. XII. 1698

Gjergj Bogdani, nipi i Pjetër Bogdanit, misionar në Janjevë dhe Administrator i Prishtinës dhe i Vuçiternës, shkruan për krimet e tmerrshme që i kanë bërë turqit familjes së tij, pikërisht Gjonit, vëllait të tij, si edhe për kufomën e zhvarrosur të Pjetër Bogdanit, e cila iu hodh qenëve derisa e mbante ende mitrën mbi kokë…”. (Odette Marquet, vep. e  cit. fq. 516; Luigj Marlekaj, vep. e cit. fq. 167).

Imzot Pjetër Bogdani s’ka as varr, pra, janë zhdukur edhe eshtrat e tij, si edhe të shumë kolosëve tanë. Fati ynë i mjerë. Megjithatë mbetet jeta e tij shembullore, përkushtimi i tij madhor, shkrimet, relacionet, veprat e tij, si dëshmi e pamohueshme e kujdesit dhe dashurisë së  madhe për Zotin, Kishën, Popullin shqiptar, si model shërbimi dhe flijimi. Edhe me këtë ribotim po “ngjallet” Imzot Pjetër Bogdani ynë, në mendjet dhe zemrat tona, për të jetuar mbi të gjitha në amshim, pastaj  edhe në Kishën dhe Popullin tonë.

(Fjala në promovimin e veprës në Panairin e librit Prishtina 2016, e shtunë 11 qershor 2016)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »