Të shohësh përtej të dukshmes 

Jun 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XI gjatë vitit “C”

Leximi i parë (2 Sam 12, 7-10. 13)

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit. Në dorën tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde, e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër. 
Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit! Për këtë arsye askurrë nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.” Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit!” 
E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. 

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 32

 

Ref: Ma e jep, o Zot, faljen tënde! 
—– —– —– —– ——- ——-
Lum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron 
ndër mëkatarë,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
—– —– —– —– ——- ——-
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
—– —– —– —– ——- ——-
Ti je strehimi im, ti më ruan 
prej vështirësisë,
do të më rrethosh me këngë gëzimi.
—– —– —– —– ——- ——-
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,
brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.
—– —– —– —– ——- ——-

 

Leximi i dytë (Gal 2, 16. 19-21)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, e dimë se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të ligjit. 
Sepse, me anë të ligjit, vdiqa për ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot. 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja
Hape, o Zot, zemrën tonë, 
që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja

 

Ungjilli (Lk 7, 36 – 8, 3)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, zuri vend pas tij, te këmbët e tija, dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.
Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.” 
Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka të të them.” “Fol, Mësues!” – iu përgjigj ai. “Një huadhënës – vazhdoi Jezusi – kishte dy detyrës. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë dinarë. Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta duajë më fort?” Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilit i fali më shumë.” “Mirë pleqërove!” – i tha Jezusi. 
Dhe, si u suall kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, qysh se hyri, nuk pushon të m’i puthë këmbët. Ti nuk ma leve kryet me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!” 
Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendojnë në vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!” Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të dymbëdhjetët dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit e nxënësve. 

Fjala e Zotit. 

 

POROSIA

Të dashur vëllezër e motra në Krishtin!

Për meshën shenjte themi se është eukaristi, d.m.th. falënderim, mirënjohje. Mirëpo, për të themi edhe se është gosti. Në të vërtetë, e tërë jeta është gosti, mirëpo, për fat të keq, shumë njerëz vdesin nga uria. Jemi të rrethuar me gëzim, me lumturi dhe me dashuri. Shumica e njerëzve nuk di për këtë. Përse? Sepse janë lidhur për gjërat që kalojnë. E kur Shpirti i Zotit na dëfton se nuk është lumturia në sendet që kalojnë, shfaqet në ne zbrazëtia. Çfarë bëjmë pastaj? Ikim prej saj, e ndezim televizorin, radion, kërkojmë të bisedojmë me dikë e t`i tregojmë tjetrit për atë filanin që nuk ka sukses, nuk mundet, se është kësi apo asi. Kërkojmë argëtim, kërkojmë diçka që nuk do të na lë të përqendrohemi. Pastaj arsyetohemi duke thënë: Të gjithë bëjnë kështu. Kjo është një industri e madhe në botën e sotshme, një industri e organizuar për hutim, shpërqendrim dhe zbavitje.

Çfarë ndodhi me fariseun që e kishte thirrur Jezusin në shtëpinë e vet. Ai vepron pikërisht sikurse ajo fjala “të gjithë po veprojnë kështu”, duke menduar në vete për gruan që kishte ardhur: “ajo është mëkatare”. Të gjithë i dinë të gjitha, secili gjykon secilin, çdonjëri ia ngjet etiketat secilit. Madje edhe për Jezu Krishtin mendon se si nuk po e ditka ky që është mëkatare dhe se duhet të largohet prej saj. Sa “normale”, ashtu të themi, na duket kur dikush flet sipas formularëve të mësuar për dikë. Më së lehti e kemi të themi atë çfarë na vjen te goja, apo çfarë na bie në mend, që e kemi mësuar përmendsh dhe si mendojnë të tjerët. E ku është zemra? E ku janë sytë që ta shohim anën tjetër të njeriut?

Gjëja më e vështirë në botë është të mund të dëgjosh, të shohësh. Ne nuk dëshirojmë të shohim, sepse po të kishim parë, do të kishim mundur të ndryshoheshim.

Si reagoj Jezu Krishti? Ai e mori iniciativën dhe guximin. Po si se! Kurrfarë analize, kurrfarë vlerësimi, kurrfarë fjalosje për tjetrin – një porosi personale e qartë. I drejtohet të zotit të shtëpisë me emër. I drejtohet krejt njerëzisht. E merr seriozisht, dhe bisedon me të butësisht. Jezusi nuk ngrit mure. I thotë Simonit: kam diçka për të thënë. Simoni është i hapur, sepse i thotë: Fol, Mësues!

Jezu Krishti nuk ia tërheq vërejtjen me gisht, nuk e ngrit zërin duke i bërtitur përse kështu, dhe nuk i flet prej së larti. Kurse ne sa lehtë rrëshqasim në thashetheme e me vërejtje e me fjalë se si duhet e si nuk duhet, se çfarë ndëshkimesh meriton filani e çfarë ai tjetri. Jezusi thjesht e tregon një shembull, që mund ta marri vesh edhe një fëmijë i vogël. Ai apelon që të na çelen sytë: sa më shumë të përjetojmë dashurinë aq më shumë edhe do të japim; sa më shumë falje marrim, aq më shumë duhet të jemi mirënjohës/falënderues.

Jezusi i thotë: A po e sheh këtë grua? I flet Simonit i kthyer kah gruaja. A je duke e parë? Sikur deshi t`i thoshte se deri më tash nuk e paske vërejtur. Krejt i kthyer në vetvete, njeriu shpesh herë nuk mund të shohë gjënë më konkrete para vetes. Në atë kohë mëkatarja konsiderohej “e papastër” dhe të gjithë largoheshin prej saj. I zhytur në mentalitetin kolektiv, duke i mbajtur ligjet për shkak të ligjeve, adetet për shkak të adeteve, të shtunën për shkak të shtunës e jo për shkak të njeriut, Simoni i kishte humbur sytë për njeriun konkret, për krijesën e Zotit. Jezusi ia përkujton gjestet e saja që Simoni nuk i kishte vërejtur fare: kur erdha ti nuk më dhe ujë për këmbët e mia, kurse ajo me lot mi lau, ti nuk më përqafove kur hyra ajo vazhdimisht mi puth këmbët e me flokët e veta mi fshin. Fariseu nuk ka mundur t`i vërejë këto të mira të gruas, sepse e kishte zënë vetë vendin e Zotit, Gjyqtarit që i njeh zemrat.

Jezu Krishti e kthen gruan në midis të jetës. Deri më tash ajo nuk ishte vërejtur, ishte lënë anash, ishte e margjinalizuar, njerëzit i largoheshin. Krishti ia kthen dinjitetin dhe e kthen në shoqëri.

Çfarë ndryshim i perspektivës, çfarë vëmendje i kushton Jezusi njeriut. Simonit ia hap sytë që mos të shikojë vetëm nga ajo perspektiva “të gjithë po bëjnë kështu”, por tash e tutje të shikojë me sytë e Zotit. Pyetja e Jezu Krishtit është sot e kësaj dite aktuale në botën ku dominon burri, ku gruaja shikohet si shërbëtore më e ultë: A po e sheh këtë grua? – na pyet të gjithë ne Jezusi. Të shikojmë, të dashur vëllezër e motra rreth nesh – në familjet tona, në të afërmit e mi, në bashkësi, në ipeshkvi, në kishë – se a jam duke i vërejtur njerëzit si krijesa të Zotit apo aq shpejt ia zë vendin Zotit duke i gjykuar të tjerët.

Kur mësohemi të lidhemi për sende, njerëz, për vende atëherë më së shpeshti mendojmë se ne jemi sendet, ne jemi ajo çfarë thonë të tjerët… A do të jemi të gëzueshëm apo të mërzitur do të varet jo nga hiri i Zotit, por nga sendet që ndoshta i kemi pasur por tash nuk i kemi, nga thashethemet e njerëzve, sepse tash nuk po flasin mirë për mua… A jeni ndalë ndonjëherë, vëllezër e motra, dhe a keni menduar se ne nuk jemi ajo çka kemi/posedojmë, por ajo çka jemi. Se gjërat që i posedojmë janë të kalueshme dhe se nëse lidhemi për to bëhemi të varur për to. Bëhemi lojë në duart e gjërave që kalojnë. Atëherë përse është për t`u çuditur kur shohim aq shumë njerëz të mërzitur dhe të lodhur, sepse presin miratimin e atyre në të cilët e kanë mbështetur besimin. Kjo nuk është njerëzore.

Të gjithë ne sikur e mbajmë regjistrin se si dikush duhet të duket dhe si duhet të sillet filani: kësi flokë, kësi këmbë, asi fytyre, kësi hunde… sipas shijes sime. Aq mekanikisht veprojmë duke menduar se më e rëndësishmja është se çfarë mendojnë të tjerët. Çfarë je në sytë e Zotit, a thua nuk paska vlerë? Zoti thotë: o njeri, nuk po të dua pse i ke këpucët e mira apo kravatë të mirë, që i ke sytë e zi apo të kaltër, pse jeton në këtë qytet apo atë fshat, apo për shkak të fqinjëve të mirë apo shtëpisë së bukur. Unë të dua në rend të parë pse ti je krijesa ime, unë të kam krijuar, për shkak se ekziston dhe e kam dhënë birin tim për ty, të kam shpëtuar. Të gjitha gjërat e tjera ekzistojnë vetëm e vetëm që këtë ta kuptosh. Nuk je i/e lindur për jetë të sosur, por për të pasosur.

Ajo për të cilën kemi më së shumti nevojë është gatishmëria që të mësohemi të shikojmë me sy të ri – me sytë e Zotit.

Reagimi i parë është frika. Mirëpo, jo prej të panjohurës, por prej asaj që veç e kemi – iluzionet tona, ngjitjet tona për sendet e kalueshme. Të gjithë ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin për shumëçka. Kjo është në rregull nëse e rregullojmë shoqërinë tonë dhe iu ndajmë shërbesa të ndryshme njerëzve të ndryshëm për të mirën e të gjithëve, kështu që të funksionojmë më mirë dhe të jetojmë më mirë – së paku ashtu shpresojmë. Mirëpo, mos të ngjitemi për të tjerët psikologjikisht dhe emocionalisht? Sepse kjo do të thoshte se lumturia ime varet nga njerëzit tjerë dhe jo nga Zoti.

Të mendojmë pak për këtë, sepse nëse lidhemi emocionalisht për të tjerët, atëherë, me dije apo pa dije, do të kërkojmë prej të tjerëve që të na prodhojnë lumturi. Çfarë ndodhë atëherë. Hapi tjetër është frika nga humbja, frika se mos tjetri po na largon, nuk po na jep lumturi, pastaj ankimi, fajësimi i njëri-tjetrit, konfliktet e panevojshme. Fjala e Zotit thotë se në dashurinë e sinqertë nuk ka frikë. Dashuria e çliron njeriun nga frika. Ku ka dashuri, nuk ka varësi. Lumturia ime është jeta e pasosur. Unë mund të kënaqem në shoqëri me dikë, mirëpo nuk e mbështes tërë jetën time në sende që kalojnë. Ajo në çka gëzohemi është diçka më e madhe se unë dhe ti.

Le të na bien në mend fjalët e Jezu Krishtit: Nëse dikush vjen pas meje dhe e do më shumë babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat…, secili që nuk e mohon krejt pasurinë e vet nuk mund të jetë nxënës i im. Sa radikal është Jezusi me varësitë e kësaj bote.

Etërit shpirtërorë na tërheqin vërejtjen që ta kuptojmë se kurrë nuk do ta prekim realitetin derisa mos t`i hedhim iluzionet, derisa mos të na çelen sytë. Vetëm atëherë kurrë nuk do të mbesim të vetmuar. Vetmia shërohet me kontaktin me realitetin, nëse largohemi nga varësitë, lidhjet, ngjitjet për sendet e kësaj bote. Mirëpo, hapi i parë që këtë ta bëjmë është që ta kuptojmë se kjo është një gjë e dëshirueshme dhe e mirë. Nëse nuk e shohim, si t`i afrohemi? Prandaj kemi nevojë ta lusim Shpirtin e Shenjtë, që të shohim me sytë e tij. Ta thërrasim në ndihmë Fuqinë e Zotit që t`i largojmë bindjet e gabueshme, që mos të mbretërojnë në zemrat tona sendet që kalimtare, por drita e mbretërisë së Zotit që na bënë t`i shohim vëllezërit dhe motrat tona me të mirat dhe dobësitë e tyre. Amen.

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »