Falja skandaloze  

Jun 12 • Meditimi i ditës

12 qershor 2016 – E diela 11-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2 Sam 12,7-10.13; Ps 31; Gal 2,16.19-21; Lk 7,36-8,3)

 

Prania e Hyjit

 

Kur jam i grishur të rri me mikun,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në praninë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë ia hap mendjen dhe zemrën Hyjit,
dhe lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

 

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohem në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Lk 7, 36-8,3

 

Në atë kohë, një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm. Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t’ia lajë me lot këmbët dhe t’ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t’ia puthte e t’ia vajoste me vaj erëkëndshëm. Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë.” Dhe ai tha: “Fol, Mësues.” Dhe Jezusi i tha: “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?.” Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë.” Dhe Jezusi i tha: “Gjykove drejt.” Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lau këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë. Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm. Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.” Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur.” Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: “Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?.” Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët, dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë, Por Jezusi i tha asaj gruaje: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!.” Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.

 

 Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Fariseu ishte i befasuar dhe i tronditur kur pa se Jezusi lejoi ta prekte mëkatarja. Ai ende duhej ta kuptonte se Jezusi i pranon dhe shëron mëkatarët. Por vetë ai as që mendon se do të duhej të shërohej. A ka menduar fariseu ndoshta më vonë në lidhje me këtë ngjarje dhe a ka mësuar diçka?

– Të gjithë mëkatarët kanë të ardhme. O Zot, kurrë mos u dëshpërofsha nga vetja ime, sepse as ti nuk je dëshpëruar nga unë. Falja u ofrohet të gjithëve, dhe ku ekziston nevoja më e madhe, aty edhe përgjigja është më bujare e Zotit.

  

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »