E keqja mundet vetëm me të mirën

Jun 13 • Meditimi i ditës

13 qershor 2013 – E hënë, Shën Antoni i Padovës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 21,1b-19; Ps 5; Mt 5,38-42)

 

Prania e Hyjit

 

  Njerëz të mirë, lutuni për të mërziturit dhe të dëshpëruarit, ata që ndjehen të vetmuar dhe të lënë prej të gjithëve, të cilët nuk shohin dalje, ndërsa në lutje janë të dobët.Që Hyji tu japë fuqi, që t`ua tregojë rrugën. Që tua kthejë buzëqeshjen dhe fenë që të mund të dëshmojnë për dashurinë e Tij.

 

Liria

 

Lus për hir

që t`i harroj të gjitha shqetësimet e mia,

që të jem i/e hapur se çka po kërkon Hyji prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kurse tani mendimet e mia po i lartësoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe po kërkoj pushim e këndellje në afërsinë tënde.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj fjalën e Zotit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë a ngjarje që më prek, që më flet personalisht.

 

Mt 5, 38-42

 

38 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. 39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 40 Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. 41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Natyra radikale e mësimeve të Jezusit na detyron që të angazhohemi në mënyrë pozitive ndaj të gjithë atyre që i takojmë. Qërimi i hesapeve të vjetra dobëson të dyja palët. Në vend të kësaj Jezusi është bujar kur njerëzit i bëjnë kërkesa të pandershme. Ai thjeshtë i do të gjithë.
– Nga sot e tutje do të përpiqem mos t`iu kthehem ofendimeve dhe lëndimeve. Në këtë mënyrë, do t`i përngjaj të paktën pakëz më shumë Zotit.

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »